Stadiumi “Maracana” do të jetë gati për Kupën e Konfederatave.
Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke ka marrë garanci nga autoritetet në Rio de Janeiro.
Zyrtari konfirmoi se impianti do të jetë gati për aktivitetin në qershor. Nuk ekziston asnjë plan alternativ dhe punimet në stadium do të kenë përfunduar deri në fund të prillit.
-Kur je vetëm 100 ditë larg aktivitetit fillon të ndihesh pak më tepër nervozizmin dhe sheh me dyshim çdo problem të vogël. Gjithmonë kërkohet perfeksioni. Asnjë impiant nuk mund të jetë gati kaq përpara afatit, por ato do të përfundojnë në kohë për Kupën e Konfederatave.
Pas vizitës tre ditore në qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet, Valcke konfirmoi besimin te Komiteti Organizator Brazilian.
-Nuk kemi asnjë plan rezervë. Për këtë arsye po kërkojmë të punohet sa më shumë që gjithçka të përfundojë në afat dhe stadiumet të jenë gati. Ndeshjet do të luhen në 6 impiante dhe kjo nuk mund të ndryshojë, pasi shitja e biletave ka nisur.
Mes të tjerave, sekretari i FIFA-s konfirmoi rregullin, sipas të cilit gjatë Kupës së Konfederatave dhe Botërorit 2014 do të ndalohet duhani.
Stadiumet do të kenë zona të veçanta për duhanpirësit, siç ndodh në aeroporte.