Në City Center në Gostivar, në sallën e kinemasë, Forumi Rinor Islam organizoi finalen e madhe të projektit “Talentium”.
Fillimisht fjalë rasti pati kryetari i Forumit Rinor Islam, Fisnik Shabani, i cili uroi nxënësit për suksesin e treguar përgjatë gjithë këtyre javëve që u organizua ky projekt si dhe falënderoi përgjegjesit e të njëjtit, për angazhimin e tyre në mbarvajtjen e projektit.
Më pas fjalë përshëndetëse pati përgjegjësi i projektit, Liridon Ismaili, i cili tregoi për rrjedhën e projektit, kohëzgjatjen dhe angazhimin e nxënësve pjesëmarrës.
Në garë dolën tetë nxënës, juria e përbërë nga Qenan Ismaili, Berat Limani dhe Rahim Husejni zgjodhi tre më të mirët:
-
Vendi i parë – nxënësja Jetmire Ferati me temë “Ëndërro dhe vlerësoji gjërat më të shtrenjta në jetë”;
-
Vendi i dytë – nxënësi Eren Ali me temë “Institucioni i ndërgjegjësimit”;
-
Vendi i tretë – nxënësi Adis Rakipi me temë “Kur vendos të ndryshosh”.
Më pas u vlerësuan edhe dokumentarët e përgatitur nga nxënësit e këtij projekti. Juria e përcaktuar për vlerësimin e dokumentarëve, e përbërë nga Vigan Demiri dhe Berat Azizi, vlerësoi:
-
Vendi i parë – dokumentari “Normal Normali”, i përgatitur nga nxënësit e qytetit të Shkupit;
-
Vendi i dytë – dokumentari “Dy shokë”, i përgatitur nga nxënësit e Gostivarit;
-
Vendi i tretë – dokumentari “Kam një ankth”, i përgatitur nga nxënësit e Kumanovës.
Shpërndarjen e certifikatave për të gjithë nxënësit pjesëmarrës, për përfundimin me sukses të projektit dhe pjesëmarrës si finalistë në garë, e bëri kryetari i dëgës së FRI-së në Gostivar, Mevlan Zendeli.
Nxënësit fitues u shpërblyen me nga një shumë simbolike të hollash dhe nga një komplet librash.
Poashtu, u shpërndanë mirënjohje edhe për përgjegjësit e këtij projekti si dhe jurinë që bëri vlerësimet në finale.
Në projektin “Talentium”, i realizuar nga Forumi Rinor Islam tashmë për katër vite me radhë, përfshihen shkollarët e mesëm të vitit të tretë dhe të katërt. Edhe sivjet projekti zgjati katër muaj dhe në vete përfshiu trajnime në sferën e komunikimit, mediumit dhe lidershipit.