8 Marsi është i njohur për ne si Festa e Nënave, pjesë e atij togfjalshi dy ditor (7-8 Marsi) në kujtesën e largët dedikuar grave, e cila përkonte dhe me rishfaqjen e mimozave. Gratë e përkujtuara në ikonografinë e socializmit ishin pjesë e asaj trinie që kërkonte të transhendonte amësinë gjer tek Partia: kam tre nëna o fëmijë/ një në kopësht e një në shpi/ tjetra është nëna Parti.
Vitet pas rënies së komunizmit sollën një tjetër lloj celebrimi të kësaj dite kushtuar grave (e përkitazi një tjetër lloj modeli nëne) edhe më larg origjinës së saj ideologjike, ku mediat e vendit raportojnë për party grashë ku të vetmit meshkuj janë kamarierët dhe ‘the stripper,’ mashkulli model pa dhjamë të tepërt që del cullak para grarisë festive.
Mes haresë së kësaj dite, ashtu si pritej, një nga aktivistet më të njohura në vend për të drejtat e njeriut, Elsa Ballauri, solli në kujtesën publike me rastin e 8 Marsit faktin se:
Shqipëria, si një vend me problem të pafundme në fushën e të drejtave të individit, ku gratë janë akoma të papërfillura në shoqëri, ka krijuar një fasadë ambigue; nga njëra anë me përpjekje të vërteta, nga ana tjetër me falsitet të përkryer… Ambiguiteti ka nevojë për balancën e vet në mënyrë që të ketë një shpjegim të arsyeshëm dhe t’i shërbejë pozitivisht qëllimit. Nëse krahas përpjekjeve që bëjnë gratë e angazhuara për të ndryshuar gjendjen (dhe këto nuk janë të pakta në këto 22 vjet të demokracisë fëmijërore shqiptare), më shumë vend zë veprimi i përhershëm i psikologjisë sonë i “të bërit sikur”, asaj që më troç do ta quaja i falsitetit tonë. Përpjekjet për angazhimin e grave në politikë janë më tipiket në këtë rast. 30 përqindëshi i famshëm në politikë është një nga temat më qesharake ku vetë gratë janë futur në një kurth nga ku nuk dinë të dalin. Dhe kjo shoqërohet me aksione sipërfaqësore politike, me slogane dhe me dashamirësi qeveritare që nuk përfaqësojnë aspak problemet e vërteta të grave, por vetëm plotësojnë axhendat e partive.
Më pas, znj. Ballauri bën thirje për një ndërmarje të kordinuar të aktivisteve për të drejtat e njeriut dhe femrave politikisht të angazhuara:
“për të ndryshuar gjendjen e dhunës ndaj grave dhe psikologjisë ndaj sheriatit”.
Znj. Ballauri nuk jep asnjë shpjegim më shumë për sa thotë: cila është kjo psikologji e sheriatit dhe si lidhet me problemtatikën që ajo shtron? Por le të vënë në dukje disa fakte të mirënjohura:
Aplikimi i Sheriatit në shumë vende të botës, dallueshëm Pakistani, Nigeria e Afghanistani, është i lidhur me abuzimin e të drejtave themeltare të grave dhe po aq sa është e dhimbshme për veshët e myslimanëve kur Sheriati asociohet me shkelje të tilla, duhet të na bëjë të reflektojmë rreth shkeljeve masive që kërkojnë legjitimim në emër të Sheriatit. Me këtë rast, vlen të shohim dhe punën studimore të studiesëve, si Asifa Quraishi, që ka demonstruar se si, fjala vjen në kontekstin e Pakistanit, aplikimi i ashtuquajtur i Sheriatit bëhet në kundërshtim të vetë Sheriatit.
Por është po aq e ditur se në Shqipëri nuk është Sheriati ai që shkakton, motivon apo legjitimon shkeljen e të drejtave të grave. Znj. Ballauri mund të kishte plot shembuj organikë për të adresuar sisteme e kode që luajnë një funksion të tillë, qysh nga kanuni e gjer tek psikologjia maskiliste që objektifikon femrat në komoditet seksual. Referenca ndaj Sheriatit na shpie larg problematikës tonë në kontekstin shqiptar.
Së fundmi, problemi me këtë referencë ambigue të ‘psikologjisë së Sheriatit’ nuk qëndron vetëm në faktin se nuk është organik apo i importuar nga realitete të largëta, por mbi të gjitha, në realitetin shqiptar, gjuha kundra ‘Sheriatit’ është përdorur për të mohuar të drejtat e femrave myslimane, fakt ky i mirënjohur nga znj. Ballauri, e cila është e mirënjohur në qëndrimin e saj në mbrojtje të të drejtave të femrave muslimane dhe kundra margjinalizimit të bashkësisë muslimane. Për këtë arsye, në dallim nga realitete si në Pakistan, në Shqipëri retorika e sheriatit dhe të drejtave të grave kthehet kokë-poshtë dhe është retorika kundra sheriatit që kërkon të legjitimojë shkeljen e grave të besimit mysliman.
Kemi vënë në dukje dhe më parë në këtë blog, se teksa përgjithësisht Sheriati në mendjen e shumë jo-muslimanëve njihet për kodet penale, në fakt, kodet penale zënë një vend minimal në korpusin e Sheriatit dhe shumica e këtij korpusi, dhe si njihet nga muslimanët, ka të bëjë me lutjet, agjërimin, ndihmën ndaj nevojtarëve e pelegrinazhin. Kësisoj, një retorikë kundra ‘psikologjisë së sheriatit’ është për muslimanët një retorikë kundra ‘psikologjisë së lutjes, agjërimit, solidaritetit me të tjerët’ etj, gjëra që për ne myslimanët janë në esencë të kuptimit tonë të marëdhënies me Krijuesin tonë. Do besonim që pikërisht një aktiviste e mirënjohur e të drejtave të njeriut nuk do donte t’i kontribuonte gjuhës së margjinalizimit ndaj një komuniteti që mblidhet rreth këtyre ideale të shërbimit ndaj Zotit dhe krijesave të Zotit.
Sheriati nuk po rrezikon festën e 8 Marsit në Shqipëri. Le të nisim betejat e vërteta për të drejtat e grave në Shqipëri, gjë që muslimanët duhet ta nisin brenda bashkësisë së tyre.
/e-zani/