Malaga shkruan historinë. Spanjollët sigurojnë një vend në çerekfinalet e Championsit pasi eliminojnë Porton.
Sezonin tjetër nuk mund të luajë në Evropë, por kjo nuk e pengon Malagën që sivjet të regjistrojë një sukses historik: për herë të parë në historinë e vet, skuadra e Pelegrinit kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Suksesi i andaluzianëve vjen falë fitores 2-0 në shtëpi kundër Portos, duke përmbysur humbjen 1-0 nga sfida e parë.
Talenti Isko i dha udhë ëndrrës së të tijve me një supergol dy minuta nga fundi i pjesës së parë, ndërsa zëvendësuesi Santa Kruz me kokë përmbushi misionin në të 77-ën.
Triumfi i vendasve në “La Rosaleda” u bë më i lehtë pas daljes me kartonin e dytë të verdhë të Defurit, që i detyroi portugezët ta luajnë me një lojtar më pak thuajse krejt pjesën e dytë.
Kështu, Malaga i bashkohet mes tetë më të mirave të kontinentit Realit, Bajernit, Dortmundit, Juventusit, PSG-së, Barcelonës dhe Gallatasarajit.
/Start/