Kryeqytetit të Maqedonisë i ka përfunduar koha kur shkollat ishin të maqedonasve në kuptimin e dominimit të tyre si numër nxënësish dhe numër paralelesh. Tanimë matematikat kanë ndryshuar dhe nxënësit shqiptarët janë shumë më tepër se gjysma e nxënësve maqedonas apo më saktë – se gjysma e atyre që mësojnë në gjuhën maqedonase. Këtë vit për shembull, arsimin fillor në shkollat e Shkupit pritet ta mbarojnë 4 457 nxënës të cilët mësojnë në paralelet maqedonase, kurse 2.613 që mësojnë në gjuhën shqipe. Pra, raporti i nxënësve shqiptarë vizavijë nxënësve maqedonas, në shkollat e kryeqytetit është 1 me 1.7, sipas të dhënave zyrtare të siguruara në Qytetin e Shkupit. Epërsia e maqedonasve ndaj shqiptarëve nuk është më shumë se 0.7 sa u takon gjysmëmatuartëve të këtij viti. Ky raport madje, ka tendencën e ngushtimit në të ardhmen nëse kemi parasysh natalitetin gjithnjë e më të ulët të maqedonasve. Përllogaritjet për numrin e nxënësve bëhen sipas gjuhës me të cilën zhvillohet mësimi dhe jo në bazë të përkatësisë etnike të nxënësve. Në rajone të caktuara të Shkupit, ka ende raste kur nxënësit shqiptarë mësojnë në paralelet maqedonase, pasi për mungesë shkollash, prindërit detyrohen ti regjistrojnë fëmijët në paralelet maqedonase sidomos në ciklin e lartë të arsimit fillor. Idizova, Karposhi dhe Aerodromi janë vetëm disa prej rasteve të cilat kanë pasur jehonë mediale, mirëpo ka edhe shumë të tjera që flasin për prezencën e shqiptarëve në paralelet maqedonase. Të mos flasim pastaj për romë dhe boshnjakë, apo edhe disa të tjerë, të cilët sipas kryetarit të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Shkup, përbëjnë me siguri rreth 10 për qind të paraleleve maqedonase. Kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta sjellë në vëmendje rastin e shkollave fillore të Sarajit. “Atje nuk ka thuajse asnjë nxënës maqedonas. Të gjithë janë boshnjakë, por që mësojnë në gjuhën maqedonase”. Edhe në Çair, plotëson më tej ai, nëpër paralelet maqedonase ka më shumë romë dhe boshnjakë se sa maqedonas. “Pavarësisht asaj se rreth 10 për qind e nxënësve janë jomaqedonas, parë se prapë llogariten si ‘maqedonas’, pasi mësojnë në atë gjuhë”, sqaron Dardhishta.
Rikonfirmimi
Kryetari i LASH-it, thotë se nga Ministria e Arsimit (MASH) nuk i përgjigjen asnjëherë kërkesës për numrin e nxënësve të regjistruar viteve të fundit në shkollat fillore të Shkupit dhe as për numrin në përgjithësi të nxënësve sipas përkatësisë etnike.
Ndërkaq për mediat, ka disa vite që MASH-i ka vendosur ndalesën e dhënies së këtyre informacioneve, të cilat KOHA është e detyruar ti sigurojë çdo herë përmes rrugëve alternative. Kështu, një vit më parë, sipas të dhënave të cilat u përdorën për përpilimin e Konkursit për regjistrimin e nxënësve nëpër shkollat e mesme (për vitin shkollor 2012/2013), rezultonte se numri i gjysmë maturantëve shqiptarë në nivel shteti është 35 për qind, kurse 36.5 për qind në kryeqytet. Konkretisht, sipas atyre të dhënave (për përdorim zyrtar nga vetë MASH-i), vitin e kaluar kishte 23.922 gjysmëmaturantë, prej të cilëve 8.323 shqiptarë. Ndërkaq, në Shkup, kishte 7.324 gjysmëmaturantë, prej të cilëve 2.677 shqiptarë. Tanimë kjo përqindje jo vetëm që nuk mund të vihet në dyshim, por po rikonfirmohet rishtas nga një burim tjetër alternativ, por sërish zyrtar.
Në propozimin-konkursin e Qytetit të Shkupit për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme të Shkupit për vitin 2013/2014, MASH-it i janë dërguar edhe të dhënat mbi numrin e gjysmëmaturantëve të këtij viti (2012/2013). Momentalisht, në Shkup kemi këtë situatë: 4.457 gjysmëmatuantë në paralele maqedonase, 2.613 në paralelet shqipe, 156 në paralelet turke dhe 7 gjysmëmaturantë në paralelet serbe. E thënë në përqindje, prej numrit të përgjithshëm të gjysmëmaturantëve kryeqytetas të këtij viti, shqiptarër përbëjnë sërish 36.5 për qind, kurse maqedonasit kanë ngelur në kuotën e 61.6 përqindëshit. Kjo situatë është sa i takon përllogaritjes së përgjithshme ku bëjnë pjesë edhe turqit dhe serbët, sepse e llogaritur vetëm në totalin e nxënësve të paraleleve shqipe dhe maqedonase, pjesëmarrja e shqiptarëve është 37 për qind. Kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta pohon se nuk i posedon këta të dhëna, mirëpo thotë se vërtetësia e tyre nuk duhet vënë në dyshim. “Meqë janë nxjerrë nga Qyteti i Shkupit dhe për nevoja të konkursit, s’ka vend për dyshime. Këto numra tregojnë realitetin dhe në fund të fundit, konfirmojnë të gjitha analizat se shkollat e Shkupit kanë mbi 35 për qind shqiptarë”, shprehet Dardhishta.
Paradoksi
Nëse MASH-i do të vinte në dispozicion të dhënat sipas përkatësisë etnike të nxënësve, përqindjet me siguri se do të rriteshin për shqiptarët dhe do të zvogëloheshin për maqedonasit. Mirëpo, kjo jo vetëm që do të dëshpëronte maqedonasit, por do të hapte edhe debatin për numrin e mësimdhënësve dhe drejtorëve. Konkretisht, nga 23 shkolla të mesme të Qytetin e Shkupit, vetëm në dy prej tyre kanë drejtorë shqiptarë. Kjo i bie që shqiptarët të drejtojnë vetëm 6 për qind të shkollave në një kohë kur pjesëmarrja e tyre me nxënës kalon 36 përqindëshin. Paradokse të këtilla, jo që nuk i ka të njohura opinioni, mirëpo nuk merren në konsideratë nga personat kompetente për krijimin e politikave arsimore. Indikacionet se shqiptarët po bëhen faktor çdo herë e më dominues i shkollave në Maqedoni nuk janë të këtyre dy tre viteve të fundit. Kjo është e njohur prej shumë kohë më parë dhe sigurisht që nuk ka të bëjë vetëm me natalitetin e shqiptarëve, por edhe me zgjerimin e të drejtës së tyre për shkollim në gjuhën amtare. Nëse në vitin 2013 në Maqedoni ka ende qindra fëmijë shqiptarë që shkollohen në gjuhën maqedonase, para 10 apo 20 viteve situata ishte ende më alarmante. Në shtator të vitit të kaluar, në sistemin e arsimit të mesëm u përfshinë thuajse 97 për qind e atyre që kishin kryer shkollën fillore. Mirëpo, jo më larg se viti 2000/2001, sipas Konkursit për regjistrim në shkollat të mesme, MASH nuk lejonte të hapen më shumë se 29 paralele.
E përpjesëtuar me 2.178 sa ishte numri i gjysmëmaturantëve të atij viti, i bie që të sigurohej vend vetëm për 47 për qind të atyre nxënësve. Në po këtë vit, me po të njëjtin Konkurs, në paralelet maqedonase hapeshin më shumë vende se sa ishte realisht numri i nxënësve që kishin mbaruar filloren në gjuhën maqedonase. Në vitin shkollor 1990/1991, gjendja ishte ende më e mjerë. Për 1.800 nxënës që kishin kryer arsimin fillor në gjuhën shqipe, në qytetin e Shkupit atë vit u lejuan vetëm 5 paralele. Pra kishte vend vetëm për 10 për qind të atyre që kryenin shkollën e tetë.
Sidoqoftë, duke analizuar këto të dhëna, ajo që bie në sy është rritja e numrit të nxënësve shqiptarë. Pra, nëse para 22 viteve kishin 1.800 gjysmëmatuarëntë, vetëm pas një viti kishte 100 më tepër. Duke u rritur nga viti në vit, ai numër shkoi në 2.677 vitin e kaluar. Sivjet, ka rënie prej 64 nxënës më pak, mirëpo nuk ka munguar as rënia në numrin e përgjithshëm të paraleleve./koha/
EDITOR
12 years ago
previous article