Kryetari i Komunës së Strugës do të jetë shqiptar. Kështu kanë deklaruar kandidatët e BDI-së dhe PDSH-së, Arben Labënishti dhe Ziadin Sela duke u shprehur të gatshëm jo vetëm të mbështesin, por edhe të bëjnë bashkërisht fushatë me kandidatin  që do të kaloj në rrethin e dytë zgjedhor. Labënishti dhe Sela këto komente i bënë në një tribunë të organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës me temë “Me Strugën, për Strugën”, i cili, përfundoi me shtrëngim duarsh nga dy kandidatët për kryetar komune.
“Në lidhje me këtë për një votë më tepër, unë ka 2 muaj që jam drejtuar publikisht, atëherë kur nuk dihej nëse LSDM do merr pjesë në zgjedhje apo jo. Jam drejtuar publikisht dhe i kam thënë atëherë kur e dha dorëheqjen Arbeni, i kam thënë i lemë këto muhabete hajde të merremi vesh dhe ai që ka një votë me pak ja jep dorën tjetrit dha ja uron fitoren prej në raundin e parë, sepse atëherë me dy kandidat maqedonas, priteshe që të dy ne të shkojmë në raund të dytë, e thash këtë dhe kjo është e shkruar, është intervista ime, sepse nuk kishte asgjë fisnike dhe burrërore të kërkojmë vota nga maqedonasit. Shqiptarët në raundin në dytë do të votojnë shqiptarin si duhet, as Arbeni dhe as Ziadini” , tha Ziadin Sela, kandidat i PDSH-së për Strugën.
Edhe kandidati i Bashkimit Demokratik për integrim Arben Labënishti  tha se do të mbështes kundër-kandidatin e vet nëse ai do të kalonte në raundin e dytë. Labënishti tha se është i gatshëm që edhe fushatën ta bëjë bashkë me të, që Struga nesër të qeveriset nga Shqiptarët.
“Struga është e Shqiptarëve, shqiptarët janë shumicë në Strugë, atë na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë. Për ne kush do që të vijë në krye të Strugës do të jetë kryetar komune i të gjithë qytetarëve te Strugës dhe jo vetëm i shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë këtu. Dhe tjetra unë e thash që jam i gatshëm, ai që nesër do marri një votë më shumë në raundin e parë, në raundin e dytë bashkërisht ta bëjmë fushatën, po them të shkojmë fshat më fshat në interes të shqiptarëve, në interes të fitores të kryetarit shqiptar për të menaxhuar Strugën nesër, jo vetëm unë, por edhe partia ime”, deklaroi  Arben Labënishti, kandidat i BDI-së për Strugën.
Në tribunën e organizuar para intelektualëve, biznesmenëve dhe studentëve, dy kandidatët prezantuan programin e tyre zgjedho për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar në komunën Strugës. Ndryshe, gatishmëria e partive shqiptare për të bashkëpunuar në rrethin e dytë zgjedhor vjen pas koalicionit mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së për të dalë me një kandidatë të përbashkët në Strugë.  /Alsat-M/