Republika e Maqedonisë po humbë në vijimësi kuadrin e lartë arsimor. Sipas statistikave zyrtare, rreth 30 për qind e kuadrit superior ka ikur nga shteti, ndërsa shqetësuese është fakti se më shumë se tri të katërtat e kuadrit akademik, dëshirojnë të largohen nga Maqedonia.
Këto rezultate janë dhënë në një hulumtim në kuadër të propozim-strategjisë kombëtare të Qeverisë së Maqedonisë. Me këtë strategji Shkupi zyrtar synon të ulë ikjen e gjeneratave më të reja nga vendi.
Organizatat e ndryshme të të rinjve thonë se përmes këtyre nismave, të cilat kryesisht mbeten vetëm në letër, nuk mund të ndryshohet realiteti në Maqedoni, raporton REL.
Marija Zabërçanc nga Forumi për arsimimin e të rinjve, thotë se autoritetet shtetërore shumë vonë janë kujtuar të marrin masa konkrete për këtë çështje.
“Dy problemet kryesore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ikje e asaj që thuhet ‘truri’ i një shteti është punësimi partiak dhe kualifikimi i pamjaftueshëm gjatë studimeve në universitetet e vendit që nuk mundëson të rinjtë të marrin kualifikime praktike që do t’u hynin në funksion gjatë ushtrimit të profesionit”, thotë Zabërçanc.
Derisa shumica e të rinjve shqiptarë preferojnë vendet e Evropës dhe të Amerikës së Veriut, pjesa dërmuese e maqedonasve udhëtojnë drejt Australisë dhe Zelandës së Re.
Studentët e anketuar thonë se pak besojnë se në Maqedoni mund të kenë sukses për t’u dëshmuar profesionalisht.
“Nuk është se shohim shumë perspektivë, për shkak të politizimit të skajshëm të shoqërisë. Gjatë procesit zgjedhor jepen shumë premtime për punësime dhe pasi të mbarojnë zgjedhjet, gjendja e të rinjve mbetet e njëjtë”, shprehet Besart Emini, i cili ka diplomuar në Gjuhë latine.
Edhe pse në një degë specifike të Fakultetit Filologjik, Besarti thotë se nuk arrin të marrë vendim pune në ndonjë nga institucionet arsimore.
Bujar Adili është student në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Ai thotë se nuk i pëlqen që perspektiva e të rinjve është e varur nga pjesëmarja në politikë.
“Ardhmëria jonë? Nga ajo që kemi ëndërruar si të rinj, shumë pak mund të realizohet. Rinia shqiptare këtu, pasi t`i kryejë studimet shumë vështirë e ka të gjejë punë. Mund të punësohet vetëm nëse është krahu i djathtë i një partie politike, përkatësisht i asaj që është në pushtet”, thotë Bujari.
Nga ana tjetër, sociologët dhe ekonomistët vlerësojnë se nëse së shpejti nuk gjendet një zgjidhje sa i përket hapjes së vendeve të reja të punës, shumë të rinj, por edhe kuadrot më të mira, do të largohen nga Maqedonia.
“Të rinjtë kanë ndjenjën se një kohë të gjatë do të mbeten pa punë, se maltretohen se nuk do të mund t’i realizojnë synimet profesionale etj, dhe në fakt kjo është dhe realitet. Madje, për mua ky hap që po e ndërmerr Qeveria gjatë kohës që vendi përballet me proces zgjedhor, për mua është edhe më i dyshimtë”, vlerëson sociologia Iliaja Acevski.
Ndryshe, ikja e trurit nga Maqedonia, por edhe nga Kosova e Shqipëria është një realitet i pashmangshëm. Kjo edhe për faktin se disa vende të BE-së, kanë shprehur interesim për t’i mbledhur kuadrot shkencorë, por edhe ato të mjekësisë, për t’i punësuar në vendet e tyre. Kjo në njërën anë krijon mirëqenie personale, por varfëron mirëqenien kolektive.
previous article
100 euro qiraja, 2 mijë denarë ndihma sociale
you might also like
1 hour ago
1 hour ago