Futbollisti tetovar, Agim Ibraimi, është në qendër të vëmendjes pas serisë së shkëlqyeshme të paraqitjeve pozitive. Futbollisti i Mariborit përveç se është një prej aduteve kryesore të kombëtares së Maqedonisë në përballjet me Belgjikën, njëkohësisht ka gjasa që të premten të shënojë emrin e tij në historinë e futbollit vendor. Na fakt, Ibraimi është në seri prej 4 ndeshjeve me rradhë me fanellën kombëtare në të cilat shënon gol dhe nëse arrin të realizojë kundër Belgjikës të premten, do të bëhet futbollisti i parë i Maqedonisë që realizon pesë ndeshje me rradhë në ekipin përfaqësues. Tetovari serinë e golave e ka nisur në takimin e humbur 2:1 nga Kroacia në Shkup, shënoi golin e vetëm nga penaltia në fitoren 1:0 me Serbinë, realizoi gol të bukur nga distanca në fitoren 3:2 në miqësoren me Slloveninë, ndërsa ‘qershinë mbi tortë’ e solli në takimin kontrollues kundër Danimarkës, kur prodhoi një kryevepër të vërtetë, duke shënuar gol spektakolar në fitoren 3:0.
Goli i fundit me Danimarkën, bëri që Ibraimi të barazojë rekordin e ish-reprezentuesit Zoran Boshkovski-Çoko, i cili kishte shënuar 4 takime me rradhë, ndërsa mbahet mend edhe si autori i golit të parë dhe historik për ‘kuqeverdhët’, në dulein kundër Sllovenisë, i zhvilluar pas mvetësimit të Maqedonisë. Ky fakt do të jetë një motiv shtesë për Ibraimin për të dhënë më të mirën nga vetja e tij, megjithse vetë futbollisti nuk preokupohet shumë me këtë detal.
“Të them të drejtën për mua më me rëndësi do të jetë nëse arrijmë të dalim me rezultat kundër Belgjikës, se sa rekordi për të cilin flitet. Normal, do të ishte kënaqësi nëse do të arrija të shënoj emrin tim në histori, por rezultati kolektiv mbetet para atij individual. Sigurisht se do të tentoj të shënoj gol dhe të vazhdoj serinë time, por kësaj here dua të potencoj se do të jetë shumë e vështirë, pasi që përballë do kemi kombëtare shumë kualitative”, deklaroi për Alsat-M, futbollisti më i miri i Maqedonisë, Agim Ibraimi.