Në klimën e debatit publik kosovar nuk është përherë e kollajtë të lexosh zëra të kthjellët e të logjikshëm. Kur diskutimi vërvitet rreth fesë, fobitë e inferioritetit e bëjnë debatin edhe më iracional. Në këtë klimë, Petrit Selimi ofron një artikulim të kthjellët, edhe kur nuk bie detyrimisht dakort me të.
Një mik më solli në vëmendje këtë artikull të Petrit Selimit ku mes shumë gjërash që nuk është e vështirë të biesh dakort, lexova edhe këtë:

Kisha nuk është urryer asnjëherë nga kosovarët (e si mund të urrehej kur është se vetë i ati i Nënë Terezës ka lindur në Prizrenin e bukur). Xhamia asnjëherë nuk ka qenë vendi i politikës mainstream. Shoqëria jonë është shumë sekulare. Prej mijëvjecarësh prodhojmë verë (lloje primitive rrushi, kaq të pëlqyera në Kosovë, e kanë zanafillën në kohët romake) dhe sot baret moderne urbane bëjnë mohitot më të mira në Ballkan.

Selimi po përpiqet të përgjigjet ndaj propagandës serbe apo dhe të qarqeve të djathta perëndimore që paraqesin Kosovën si vatër të rrezikut islamik. Ajo që është e lodhshme është se sa herë që Shqipëria apo Kosova paraqiten si vende muslimane të moderuara, ofrohet si provë fakti që sheh rrugëve bare ku njerzia pi birrë e raki.
Sa herë kemi parë reportazhe miqësore gazetarësh perëndimorë që u tregojnë audiencave të tyre se edhe pse Shqipëria – fjala vjen – është një vend me shumicë myslimane, këtu muslimanët janë të moderuar dhe kudo sheh kafene ku njerzia pijnë alkool. Pra i vetmi musliman i moderuar është ai që nuk pason fenë e tij.
Një artikull në Religious Dispatches sjell në vëmendje se kur prezenca e alkolit sillet si provë e moderimit fetar, ajo që nënkuptohet është se ata muslimanë që nuk pinë alkool për arsye fetare nuk janë të moderuar e për rjedhim vetëm një hap larg shpërthimit kamikaz që synon të vrasë këdo vërdallë.
Po kështu, mungesa e devocionit fetar, baret e klubet e natës, minifundet apo dhe bektashitë janë prova që Shqipëria nuk përbën rrezik të një baze ekstremizmi.
Qesharakja në këtë pretendim është se në fakt i jep jehonë të njëjtës karikaturë që Petrit Selimi në artikullin e tij me të drejtë kritikon, atë të Breivik dhe ekstremistëve të tjerë. A beson Selimi se muslimanët që falen, agjërojnë e nuk pinë alkool janë ekstremistë fetarë të rrezikshëm? A është rakia testi i moderimit?

Një teke, sa për moderim