Që prej një shekulli, vazhdimisht flitet për Islamin në Japoni. Në disa gazeta arabe dhe të Indisë u përhapën lajme se banorët e Japonisë janë duke kërkuar një fe për vete, dhe për këtë qëllim, ata organizojnë një konferencë për fetë. Mirëpo, ky lajm nuk doli të jetë i saktë, edhe pse u lansua në disa qarqe, bile një dijetar i Az’harit, konkretisht shejh Ali El-Xherxhavi, shiti disa toka që kishte në pronësi dhe blejti biletë që të shkojë në Japoni dhe të qëndrojë atje disa muaj. Ai atje e shkroi një libër të cilin e titulloi Udhëtimi në Japoni.
Mirëpo, edhe përskaj kësaj, Islami nuk u përhap në Japoni aq sa duhet, edhe pse mijëra japonezë hyrën në Islam dhe themeluan qendra e organizata islame. Ata mundohen ta përhapin Islamin në Japoni, unë njoh shumë prej tyre, dhe e lus Allahun t’ju ndihmojë.
Unë mendoj se ne do të kemi sukses në thirrjen e japonezëve në Islam, atëherë kur do të formojmë thirrës nga vetë mesi i tyre, ngase ata janë më të thirrur të komunikojnë me popullin e vet. Para kësaj, ne duhet të përgadisim thirrës të cilët do të jetojnë në mesin e japonezëve, do ta mësojnë gjuhën e tyre dhe do të martohen me japoneze (të cilat kanë hyrë në Islam). Kështu kanë vepruar krishterët të cilët kanë arritur në Japoni. Ata, në fillim hasën vështirësi të mëdha për shkak gjuhës, por, më vonë, morrën disa të rinjë të cilët i përkushtuan për këtë punë, ashtu që ata e mësuan gjuhën japoneze dhe komunikonin si japonezët. Ata themeluan dhjetra universitete katolike dhe protestante, dhe ende vazhdojnë të jenë aktiv në përhapjen e fesë së tyre duke u thënë njerëzve:Ne nuk kërkojmë prej jush asgjë tjetër, pos që të proklamoni se e besoni Jezusin dhe t’i shkruani emrat tuaj me ne. Krahas kësaj, nuk u kërkojmë gjë tjetër.
Vëllau ynë i nderuar, Dr.Salih Mehdij Samurai është i interesuar për thirrjen islame në Japoni që herët, që kur ishte atje si student dhe arriti të doktorojë në universitetet japoneze. Ai kaloi atje një periudhë jo të shkurtër. Tash, është duke e drejtuar qendrën islame në Tokio, dhe ka shpresa të mëdha se japonezët do të hyjnë në Islam. Ai vlerëson se për disa dhjetëra vite, të gjithë japonezët apo pjesa më e madhe e tyre do të bëhen muslimanë. Kjo nuk është e pamundshme për Allahun, mirëpo, gjërat nuk bëhen vetëm me dëshira, por me punë të palodhshme dhe durim të ngritur mbi dituri, planifikim dhe organizim. Këtë punë duhet ta bëjnë burra që e njohin fenë, e kuptojnë kohën, e kanë studiuar ambientin përkatës dhe ia kanë përkushtuar veten Allahut dhe komunikimit të thirrjes së Tij, të cilët janë prej atyre:<< të cilët i kumtojnë shpalljet e Allahut, i frikësohen vetëm Allahut e askujt tjetër pos Tij, e Allahu është i mjaftë të jetë llogaritës>>.
prej arabishtes:Bashkim Aliu