Valon Behrami është “shef” në Përfaqësuesen e Zvicrës në futboll. Këtë vlerësim e kanë dhënë mediumet zvicerane. Vetë Behrami nuk ka mohuar vlerësimin se është lojtari kryesor i përfaqësueses, ndërsa ka pranuar se të paktën është “shef” i lojtarëve të tjerë shqiptarë në përfaqësuesen e Zvicrës.
Zvicra të shtunën luan kundër Qipros në kuadër të eliminatoreve për botërorin “Brazili 2014”. Përzgjedhësi Ottmar Hitzfeld për këtë takim përveq Behramit ka ftuar edhe Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Blerim Xhemailin e Admir Mehmedin. Behrami e Xhemaili luajnë së bashku edhe te Napoli.
“Mua më pëlqen kur të gjithë lojtarët jemi në një linjë. Forca e këtij grupi është se të gjithë mund të flasin”, është përgjigjur Behrami në pyetjen nëse është shef në përfaqësuese. Nga gazeta zvicerane “Basler Zeitung” më pas është pyetur nëse të paktën është shef i të rinjëve me rrënjë shqiptare si Xhaka, Shaqiri e Mehmedi.
“Ky është një aspekt që qëndron. Nëse ata bëjnë një gabim, atëherë unë flas me ta”, ka thënë mesfushori.
Behrami 27-vjeçar për Zvicrën ka luajtur 39 herë dhe ka shënuar dy gola. Ndër të tjera, është paraqitur në dy kampionate botërore e në një kampionat evropian.
“Unë e kuptoj se sa shumë ka bërë Zvicra për mua. Falë Zvicrës jam bërë ai që jam sot. Për mua është e qartë se pas karrierës dua të jetoj këtu”, ka thënë Behrami.
Në pyetjen se cilën cilësi të një zvicerani tipik e ka, Behrami është përgjigjur: “Qasjen ndaj punës. Këtë më thonë në Napoli mua, Gokhan Inlerit e Blerim Xhemailit. Ne gjithmonë japim 100 përqindëshin”.
Futbollisti i lindur në Mitrovicë ka thënë se nuk është i “çmendur” ashtu si duket për shkak të tatuazheve dhe frizurës që mban. Ka vlerësuar se ka ndryshuar në vitet e fundit.
“Tash me vajzën time jam bërë më i qetë dhe më i balancuar. Në të kaluarën kam bërë atë që kam menduar se është e drejtë, pa menduar për pasojat dhe pa pyetur çfarë mendojnë të tjerët. Tash unë mendoj se çfarë mund të ndodhë nëse them diçka hapur. Jam bërë më i kujdesshëm dhe ndihem shumë mirë kur gjendem brenda grupit. Nuk jam pishman që kam bërë gabime. Çdo njeri bën gabime, me rëndësi është të mësosh nga to”, ka thënë Behrami. Ai ka theksuar se i është përshtatur nofka “Kali i çmendur”, që ia kishin lënë sa luante për Lazion (2005-2008).
“Ishte e drejtë për atë kohë. Isha i ri dhe i vetëm, shkoja shumë nëpër restorante, nganjëherë rrija deri në orën 23:00 dhe një ditë më vonë në gazeta shkruante se isha jashtë deri në dy të mëngjesit”.
EDITOR
12 years ago
previous article
U vra Dr Muhamed Ramadan Buti
next article
Brazil-Itali, një spektakël që përfundon 2-2 (Video)
you might also like
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
1 day ago