Shkruan: Sumeja Alija

 

Dhe vjen një kohë kur mëngjes e mbrëmje falënderon Allahun për dhuratën që të ka dhënë. Të lindesh, rritesh, edukohesh dhe të jetosh në një familje islame është dhunti nga ana e Allahut xh.sh. Gjithmonë je brenda atyre katër mureve, ku flitet për mirësi, lumturi, edukim, paqe dhe shumë elemente të tjera që e plotësojnë jetën e njeriut.

Ndonjëherë jeta na rastis që barrën dhe përgjegjësinë e disa vendimeve që janë marrë me dëshirën dhe pajtimin tonë, të barten nga dikush tjetër dhe këtë e lë si pasojë e moshës që kisha. Ky vendim është fillimi i rrugëtimit tim në nxënien përmendësh të Kur’anit.

Ishte ëndërr e madhe e prindërve të mi dhe e imja, një ashtu, të vazhdoja traditën familjare të hifzit, ku do të bëhesha hafizja e 12-të e familjes.

Nga shembujt e të parëve tanë që lexoja kuptoja se, duke u mbështetur, fillimisht, në Allahun xh.sh. dhe në angazhimin permanent, do të arrija në destinacionin e dëshiruar.  Tash më unë ju bashkëngjita këtij karvani, dhe isha e sigurt që do më dërgonte në rrugën e lumturisë së kësaj bote dhe rrugën e shpëtimit në Botën tjetër. Elhamdulilah, jetoj në një qytet ku falë punës së palodhshme të të ndjerit, hoxhës sonë Molla Mahmud efendiut (Allahu ja faltë Xhennetet atij), kishim fatin që xhamitë të zbukuroheshin me dua të shpeshta të hifzit, ku për ne si fillestarë ishte një vullnet për punë dhe një shpresë e madhe.

Çdo fillim rrugëtimi është i vështirë. Ndonjëherë nisesh, por nuk je e sigurt se a do të arrish në vendin që ke synuar, e shumë herë ke nevojë për personat që ke përreth vetes të të thonë edhe fjalën më të shkurtër por me plot peshë: “TI MUNDESH”, fjalë e cila të motivon për ta vazhduar rrugëtimin tënd.

Nga ana tjetër, të merresh me fjalën e Zotit është një punë që e do Zoti. Ta mësosh përmendësh Kur’anin do të thotë të jesh një njeri që të ka zgjedhur Zoti, pra, Ai të dalluar me të. Allahu xh.sh thotë “Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për nxënie, por a ka kush që merr mësim” . (El-Kamer, 17). Pa ndalu një minutë dhe mendo! A ka kush që ndalet për pak kohë nga gjërat më pak të rëndësishme e të fokusohet tek Kur’ani? A ka kush që për një kohë të lë pas disa angazhime të kësaj bote e të drejtohet drejtë Kur’anit?

Në ndërkohë që të tjerët merreshin me punë, ndoshta, jo shumë me vlerë, unë mundohesha për ta mësuar fjalën e Allahut, në fillim një ajet, pastaj një faqe, pastaj një xhuz dhe kështu për dy vite deri në fund. E dini  se sa punë kërkon, se sa kohë duhet që t’i kushtohet, sa durim, e sa e sa… Po u’a them unë si një hafize! Më lëreni t’ju tregoj se sa net me shoqëruan kur mbaja kokën për orë të tëra mbi Kur’anin fisnik, e sa mëngjese të hershme, kur të tjerët ishin në gjumë, belbëzoja me zë fjalët e Krijuesit… Sa mëngjese të freskëta, por edhe ata me acar, më shoqëronin rrugës për në mekteb! Sa gëzim që është, por edhe lodhje, sa buzëqeshje e ndonjëherë edhe lot, e kush mund të më kuptojë më mirë se sa një Hafiz, e pas kësaj shijojmë fjalët e të dërguarit “Zotëruesit të Kur’anit do t’i thuhet “Lexo dhe ngritu lartë. Lexoje ashtu siç e ke lexuar në dunja. Vendi yt do të jetë deri tek ajeti i fundit të cilin do ta lexosh!”

Të them të vërtetën është diçka që fjalët se thonë, lapsi se shkruan dot, mirëpo është zemra ajo që e përjeton. Dhe pas gjithë asaj sfide të madhe, lodhjeje, duke mos lënë një ditë të vetme pa punuar, po ju drejtohem të tjerëve me një fjali të shkurtër “Është ëndërr e shumëkujt, por e realizon vetëm ai që e kërkon dhe punon për të deri sa ta arrij!”

Me plote dashuri po ua kushtoj këto vargje te gjithë Hafizëve:

“Lum për ty o hafiz që je bartës i Kur’anit!

Lum për ju o hafizë, që tek Allahu jeni të veçantë!

Lum për ne që zemrat i kemi të mbushura me fjalën e Krijuesit!

Lum për ju që keni ecur mbi krahët e melekëve!

Lum për hafizët dhe për prindërit e tyre që në Xhennet do t’ju vendoset kurorë në kokë!

Lum për ne që ju rrethojmë!