Në sajë të projektit “Eureka” nxënësit e klasave VIII dhe IX, nga Shkolla Fillore “Ismail Qemali” Cërnilishtë sot së bashku me kryesin e degës vizituan Muzeun Etnografik të Pelagonisë që gjendet në fshatin Cërnilishtë të Prilepit.

Prof.dr. Mustafa Ibrahimi, ligjërues në universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, hollësisht i informoi nxënësit me trashëgiminë kulturore të kësaj ane, duke dhënë shpjegime për çdo eksponat dhe vegël popullore që janë të ekspozuara në Muze.

Midis tjerash i njoftoi me veshjet tradicionale, doket dhe zakonet gjatë dasmave,me veglat e punës, qëndisjet, vekun, qerren me qe, makinën për ithje e shumë sende tjera tradicionale që kanë qenë pjesë e jetës dhe punës të stërgjyshërve tanë nëpër shekuj. Mysafir në këtë prezantim ishte edhe doajeni i arsimit, z. Rexhep ibrahimi, një nga mësuesit e parë në këtë fshat. Për në fund prof.dr. Mustafa Ibrahimi të gjitha nxënësve dhe mësuesve ju dhuroi disa numra të revistës “Zëri i Pelagonisë” si dhe komplete librash ku vetë është autor. Nxënësit kaluan një pasdite të këndshme në vendin ku ruhet trashëgimia dhe tradita kulturore.