Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Diskriminimit Racor, që këtë vit u mbajt më 21 mars, Rrjeti Europian Kundër Racizmit (ENAR) shprehu shqetësimin për rritjen e islamofobisë në Evropë, në një raport të tij, botuar me datë 20. Raporti i përgjithshëm, bazuar në 26 raporte në shkallë kombëtare, përbën studimin e parë cilësor paneuropian mbi komunitetet myslimane në Bashkimin Europian.
Me një vëmendje të veçantë kushtuar islamofobisë, ENAR u bën thirrje institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare të ndjekin me vëmendjen e duhur këtë lloj të diskriminimit kundër myslimanëve, i cili, tashmë, është “mjaft i përhapur në shumë vende evropiane. Paragjykimet ndaj muslimanëve janë shpesh më të dukshme se ato që prekin dhe pakicat e tjera etnike dhe fetare, ” nënvizon raporti.
Islamofobia promovohet nga partitë politike të së djathtës ekstreme, si dhe nga partitë tradicionale, për të fituar votat dhe për të rritur popullaritetin e tyre në përgjithësi.
Këto prirje vetëm sa janë ashpërsuar edhe më tej prej krizës ekonomike.
Xhamitë dhe gratë, caqe të preferuara
Islamofobia manifestohet si “formë e diskriminimit dhe dhunës ndaj myslimanëve, si vandalizëm që synon ndërtesat e kultit apo të veprimtarive islamike, si edhe kundërshtinë për ndërtimin e xhamive, madje edhe në vende të tilla si Polonia, ku bashkësi myslimane janë themeluar dhe integruar prej shekujsh. ”
Gratë myslimane janë “më të prekura nga diskriminimi dhe urrejtja fetare në Evropë”, në veçanti për shkak të veshjes së tyre; ato janë një “objekt i dyfishtë diskriminimi – në bazë si të fesë, ashtu edhe të gjinisë së tyre,” thotë raporti i ENAR.
Emigrant, pra mysliman
Prirja anti-myslimane po barazohet gjithnjë e më shumë me atë anti-emigracion. Kështu “Eurabia”, një term alarmist, tipik i ligjërimit racist e islamofob, përdoret për të krijuar përshtypjen e një Europe në të cilën prania arabe është në rritje për shkak të rritjes eksponenciale të popullsisë emigrante, që po ndryshon kështu identitetin europian. Në Itali, një nga avokatët më të fortë të kësaj teze, Mario Borghezio, eurodeputet dhe anëtar i partisë Lidhja Veriore ka propozuar së fundmi një taksë për muslimanët me shumë fëmijë, për të ngadalësuar kështu, disi, islamizimin e Europës. Gjatë fushatës zgjedhore spanjolle të vitit 2011, mbështetja për partitë e ekstremit të djathtë është, sidomos në zonat me papunësi të lartë dhe një popullsi të madhe myslimane.
Sipas raportit, politikania konservatore Baroneshë Warsi deklaron se në Mbretërinë e Bashkuar, Islamofobia tashmë shihet si diçka normale dhe stigma sociale për shkak të paragjykimeve kundër muslimanëve nuk ka peshë të njëjtë me atë të shkaktuar nga paragjykimet kundër grupeve të tjera etnike dhe fetare.
Media e marrë peng
Media dhe rrjetet sociale janë bërë gjithnjë e më shumë hapësira të preferuara për shpërndarjen e ligjërimit ksenofob, islamofob dhe racist. Ato kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë për normalizimin e islamofobisë. Pavarësisht kësaj situate, masat rregullatore në internet janë qartësisht të pamjaftueshme dhe nganjëherë inekzistente.
Në Holandë, për shembull, sipas Qendrës për Raportimin e Diskriminimit në Internet (MDI), formulimet më diskriminuese postuar në faqet e internetit dhe rrjetet sociale kanë përmbajtje islamofobe. Raporti i Maltës tregon për prani shqetësuese të thirrjeve raciste e islamofobe në seksionet e komenteve të lexuesve në media.
Sipas të gjitha raporteve alternative të shqyrtuara, lajmet në media për pakicat etnike, në përgjithësi, janë negative dhe të shtrembëruar. Mediat priren të fajësojnë emigrantët dhe azil-kërkuesit për shkallën e lartë të papunësisë dhe krimit. Në Belgjikë, 51% e ankesave të diskriminimit kundër muslimanëve marrë nga Qendra për Mundësi të Barabarta, janë të lidhura me mediat. Një tjetër prirje që del është se mediat bëjnë përgjithësime rreth Islamit të bazuar në rastet individuale, deri dhe ato që përfshijnë konflikte brenda familjeve myslimane.
Në media “terrorizmi trajtohet pothuajse gjithmonë në aspektin e xhihadit, ndërkaq që Europol, në 2010, raporton se aktet terroriste të kryera nga terroristët islamikë përfaqësojnë më pak se 1%,” theksoi raporti alternativ i Francës.
Shifra të frikshme
Në Irlandë një e treta e të pyeturve raportuan se kanë përjetuar forma armiqësie anti-myslimane. Gratë myslimane kanë pothuajse dy herë më shumë gjasa të jenë në shënjestër, krahasuar me burrat.
– Në Bullgari, ndërsa shkalla e përgjithshme e papunësisë është rreth 12%, ky raport është rreth 35-40% në mesin e komunitetit musliman.
– Në Gjermani, nxënësit myslimanë, në veçanti vajzat myslimane që mbajnë shami, përballen me ngacmime nga mësuesit.
– Në Lituani 39-40% e të anketuarve nuk do strehim për “çeçenët, refugjatët ose myslimanët”.
– Në Francë, disa mjekë apo punonjës të tjerë të shëndetësisë kanë refuzuar të trajtojnë pacientët për shkak të origjinës së tyre etnike ose fetare, dhe në disa raste u kanë kërkuar pacientëve prej pakicave etnike (zakonisht burra muslimanë me mjekra dhe gra myslimane që mbajnë shami) të veshin “rroba neutrale “. Po ashtu, në Francë, femrat janë viktimat kryesore të islamofobisë, me 85% të akteve islamofobe që synojnë gratë.
“Vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Evropë” – konkludon raporti, me një ton jo edhe aq optimist. “Në të vërtetë, barazia nuk duhet të sakrifikohet në kohën e krizës ekonomike, por duhet mbrojtur si një e drejtë themelore dhe si një komponent thelbësor i demokracisë”./ezani/
EDITOR
12 years ago
previous article
Të dielën llogaritja verore e orës
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago