Forumi Rinor Islam – Dega Shkup shënoi fillimin e muajit të shenjt Ramazan në Çarshinë e Vjetër në Shkup para xhamisë Murat Pashë me manifestimin tradicional “Mirë se erdhe Ramazan”.

Programi filloi me leximin e disa ajeteve kuranore nga hafiz Fatih Derdiyok, dhe vazhdoi me fjalë përshëndetëse nga nikoqiri i kësaj ngjarje, kryetari i FRI – së Dega Shkup, Afrim Demiri. Ai duke uruar të gjithë besimtarët për fillimin e muajit Ramazan, gjithashtu tregoi edhe aktivitetet që do të realizon kjo degë përgjatë kësaj periudhe nën moton “Ramazani muaji i arritjeve”.

Pikat artistike të cilat e begatuan këtë mbrëmje dhe dhuruan atmosferë festive ishin monologu “I dashur vëlla” nga Emira Asani si dhe ilahitë nga Qemal Emini, Nderim Alimi dhe Nafidan Miftari.
Nën përcjelljen e salavatave u lansuan edhe fishekzjarret me çka u përmbyll ky manifestim.

Gjithashtu u shpërndanë këshilla me hurma nga “Shporta e punëve të mira” si dhe balona për fëmijë.

22 mars 2023, Shkup