Forumi Rinor Islam – Dega në Tetovë realizoi një tjetër takim frymëzues në kuadër të projektit Eureka.
Tema e rradhës, “Jeta me rrjete sociale”, u ligjërua nga Zurijet Sulejmani më 7 dhjetor 2024.
Ky takim, i mbajtur në një atmosferë interaktive, trajtoi çështje kyçe që lidhen me ndikimin e rrjeteve sociale në jetën e përditshme, veçanërisht tek të rinjtë.
Në ligjëratë u diskutua mbi platformat më të përdorura, ndikimin e tyre pozitiv dhe negativ, si dhe mënyrat për të menaxhuar kohën dhe varësinë nga to. Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndanin përvojat e tyre dhe të bashkëbisedonin mbi sfidat që sjell përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale.
Takimi u pasurua me aktivitete praktike, ku nxënësit trajtuan aspektet pozitive dhe negative të rrjeteve sociale në grupe punuese. Në fund, u ofruan këshilla të vlefshme për një përdorim të ndërgjegjshëm dhe të dobishëm të tyre.
Forumi Rinor Islam vazhdon të sjellë tema aktuale dhe edukative, duke kontribuar në zhvillimin personal dhe social të të rinjve.
Tetovë, 7 dhjetor 2024