Forumi Rinor Islam, në kuadër të aktiviteteve të tij të vazhdueshme në mbështetje të të rinjve, realizoi takimin e parë me bursistët për vitin akademik 2025/2026.

Në këtë takim morën pjesë nxënës nga qytetet Kumanovë, Tetovë, Gostivar dhe Shkup, përfitues të bursave të Forumit Rinor Islam, të cilët u bënë pjesë e programit pas përzgjedhjes nga komisioni përkatës.

Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Forumit Rinor Islam, z. Abdulhamid Mustafa, i cili theksoi rëndësinë e orientimit të drejtë, përkushtimit ndaj dijes dhe rolit të të rinjve në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë dhe të përgjegjshme.

Ligjërues në këtë takim ishte juristi Milazim Mustafa, i cili mbajti një ligjëratë motivuese me temën “Si ta gjej drejtimin tim në jetë”, duke trajtuar çështje që lidhen me orientimin personal, qëllimet jetësore dhe rëndësinë e ndërtimit të një rruge të qëndrueshme në jetë, duke nxitur reflektim dhe diskutime të frytshme.

Në pjesën përmbyllëse, bursistët u informuan mbi ecurinë e aktiviteteve vjetore dhe angazhimet që do të realizohen gjatë këtij viti akademik në kuadër të programit të bursave.

Ky takim shënon fillimin e aktiviteteve vjetore me bursistët e Forumit Rinor Islam, duke synuar fuqizimin e të rinjve në aspektin arsimor, personal dhe shoqëror. Forumi Rinor Islam mbetet i përkushtuar në misionin e tij për të investuar në dije, orientim dhe zhvillim të qëndrueshëm të brezit të ri.

Shkup, 20 dhjetor 2025