Forumi Rinor Islam – Dega Shkup realizoi me sukses edhe ditën e dytë të Shkollës Dimërore, me pjesëmarrje aktive të nxënësve dhe studentëve, të cilët u angazhuan në ligjërata dhe aktivitete me karakter edukativ, formues dhe motivues.
Fokusi i kësaj dite ishte tek kuptimi i jetës, forcimi emocional dhe aktivizimi rinor, duke ofruar përmbajtje që synojnë zhvillimin personal dhe shoqëror të të rinjve.
Ligjërata e parë u mbajt nga trajnuesi Abil Baush me temën “Kuptimi i jetës dhe qëllimi personal”, ku u theksua rëndësia e vetëdijes individuale, orientimit të drejtë dhe ndërtimit të qëllimeve të qarta që i japin kuptim rrugëtimit jetësor të të rinjve.
Në vijim, hoxhë Shaban Tahiri trajtoi temën “Roli i fesë në forcimin emocional të të rinjve”, duke vënë në pah ndikimin e fesë në stabilitetin emocional, përballjen me sfidat e përditshme dhe ruajtjen e ekuilibrit shpirtëror.
Programi u përmbyll me një workshop interaktiv nga psikologe Edina Mici Ademi, me temën “Iniciativa rinore për shpresë dhe mirëqenie”, ku pjesëmarrësit, përmes ushtrimeve praktike dhe diskutimeve të hapura, u inkurajuan të shndërrojnë idetë dhe potencialin e tyre në iniciativa konkrete në shërbim të vetes dhe shoqërisë.
Shkolla Dimërore e Forumit Rinor Islam – Shkup u përmbyll si një hapësirë edukative dhe frymëzuese, e cila për dy ditë radhazi ofroi dije, reflektim dhe motivim për fuqizimin e të rinjve.
Shkup, 10 janar 2025






















