Në kuadër të projektit INCEPT, u realizua takimi i katërt me temë “Konfliktet dhe dhuna: pasojat dhe zgjidhja e tyre përmes lojës”, i udhëhequr nga ligjëruesja Gilmane Osmani Musliji.
Gjatë këtij takimi, u trajtuan në mënyrë të detajuar konceptet e konflikteve dhe dhunës, si dhe ndikimi i tyre në shëndetin emocional të të rinjve. Ligjëruesja theksoi se konfliktet e pazgjidhura dhe format e ndryshme të dhunës mund të kenë pasoja afatgjata në zhvillimin personal dhe social të adoleshentëve.
Në vijim, u diskutua mbi stereotipet, paragjykimet dhe diskriminimin si faktorë nxitës të konflikteve, duke u ofruar pjesëmarrësve udhëzime konkrete se si t’i shmangen këtyre dukurive dhe si të ndërtojnë marrëdhënie më të shëndosha shoqërore.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua llojeve të dhunës, përfshirë dhunën verbale, fizike, kibernetike dhe sociale. Për secilin lloj, u sollën shembuj konkretë dhe u shpjeguan pasojat që këto forma dhune mund të shkaktojnë tek individi dhe komuniteti.
Takimi u pasurua me ushtrime dhe lojëra praktike, përmes të cilave pjesëmarrësit patën mundësinë të kuptojnë rëndësinë e punës në ekip, komunikimit efektiv dhe qasjeve konstruktive për zgjidhjen e konflikteve në grupe të ndryshme.
Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të projektit INCEPT, duke kontribuar në fuqizimin e të rinjve me njohuri dhe aftësi praktike për menaxhimin e konflikteve, si dhe në ndërtimin e një mjedisi më të sigurt dhe më bashkëpunues.
Shkup, 24 janar 2026









