Në një atmosferë të mbushur me qetësi, emocion dhe pritje të bekuar, Forumi Rinor Islam organizoi me sukses tribunën tradicionale “Mirë se erdhe Ramazan” në Teatrin Shqiptar.

Mbrëmja nisi me leximin e ajeteve nga Kurani Famëlartë nga hafiz Besir Limani, duke prekur zemrat e të pranishmëve dhe duke sjellë ndjesinë e afrimit të muajit më të dashur për besimtarët.

Para një salle të mbushur, Kryetari i Forumit Rinor Islam z.Abdulhamid Mustafa përcolli mesazhin e Ramazanit si muaj reflektimi, pastrimi shpirtëror dhe rikthimi tek vlerat më të larta njerëzore. Ai theksoi se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të bukur aktivitetesh që do të shoqërojnë këtë muaj të bekuar.

Dr. Musa Musai foli për dimensionin psikologjik të Ramazanit, duke treguar se si agjërimi forcon vullnetin, qetëson shpirtin dhe i jep njeriut ekuilibër të brendshëm. Ndërsa hoxhë Sabaudin Jashari solli reflektime të thella mbi ndikimin shpirtëror të Ramazanit, duke përkujtuar shembuj nga jeta e Profetit Muhamed a.s., dhe duke na rikujtuar se ky muaj është mundësi për ndryshim dhe ngritje.

Kjo tribunë nuk ishte thjesht një aktivitet, ishte një thirrje për zemrat tona. Një fillim i bukur i një muaji që na bashkon, na pastron dhe na forcon si individë dhe si shoqëri.

Forumi Rinor Islam e nisi Ramazanin me madhështi, dhe me vullnet të palëkundur do të vazhdojë me aktivitete të tjera në shërbim të rinisë dhe shoqërisë.

Shkup, 17 shkurt 2026