Forumi Rinor Islam – Dega Shkup organizoi me sukses koktejin e Bajramit me aktivistët, në një atmosferë të ngrohtë, vëllazërore dhe të mbushur me energji pozitive.
Ky aktivitet i veçantë, i realizuar në hapësirat e FRI-së, mblodhi aktivistët e degës në një frymë feste, uniteti dhe solidariteti, duke u dhënë mundësinë që së bashku të ndajnë gëzimin e Bajramit dhe të forcojnë edhe më tej lidhjet mes tyre.
Në kuadër të programit, të pranishmëve iu drejtua me një fjalë përshëndetëse Kryetari i FRI Shkup, z. Afrim Demiri, i cili shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe përkushtimin e të rinjve gjatë muajit të Ramazanit. Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e aktivistëve në realizimin e aktiviteteve të shumta të degës, duke i inkurajuar ata që me të njëjtin entuziazëm dhe përkushtim të vazhdojnë edhe në aktivitetet e ardhshme.
Një ndër momentet më të veçanta të këtij organizimi ishte shpërndarja e dhuratave për fituesit e kuizit, si dhe për ata që me sukses arritën të mësojnë suren El-Mulk, duke dëshmuar përkushtim ndaj dijes, Kur’anit dhe vlerave islame.
Atmosfera festive u shoqërua me buzëqeshje, bashkëbisedime të ngrohta dhe momente të këndshme mes aktivistëve, duke e bërë këtë takim edhe më domethënës dhe të paharrueshëm për të gjithë pjesëmarrësit.
Forumi Rinor Islam – Dega Shkup mbetet i përkushtuar në vazhdimin e organizimit të aktiviteteve rinore që synojnë edukimin, motivimin dhe fuqizimin e të rinjve në rrugën e dijes, vlerave dhe angazhimit në shoqëri.
Shkup, 23 mars 2026























