Forumi Rinor Islam, me mbështetjen e WAMY – Asamblesë Botërore të Rinisë Myslimane, organizoi më 19 gusht 2026, në Qendrën Rinore të FRI-së në Shkup, ditën e parë të Takimit Rinor “Nga potenciali në lidership”, me pjesëmarrjen e të rejave nga organizatat anëtare pranë WAMY që veprojnë në Maqedoninë e Veriut.
Në hapje të takimit, të pranishmet i përshëndeti Kryetari i Forumit Rinor Islam, z. Abdulhamid Mustafa, i cili u uroi mirëseardhje pjesëmarrëseve dhe vlerësoi rëndësinë e takimeve të tilla në zhvillimin e kapaciteteve të të rinjve, shkëmbimin e përvojave dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet organizatave.
Në kuadër të programit, prof. Hani Duman trajtoi temën “Mjedisi i punës dhe roli i tij në aktivizimin e potencialeve njerëzore”, duke u fokusuar në rëndësinë që ka një mjedis i shëndoshë dhe motivues në zhvillimin e individit dhe në suksesin e një ekipi.
Gjatë ligjëratës u theksuan disa elemente të rëndësishme për krijimin e një mjedisi pozitiv të punës, si komunikimi i qartë, ndarja e përgjegjësive, besimi ndërmjet anëtarëve të ekipit, mundësitë për zhvillim dhe mësim të vazhdueshëm, si dhe njohja e aftësive dhe potencialit të secilit individ. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të udhëheqësit në njohjen e ekipit, krijimin e marrëdhënieve të shëndosha dhe aktivizimin e potencialeve individuale në funksion të qëllimeve të përbashkëta.
Pjesëmarrëset u përfshinë edhe në detyra dhe ushtrime praktike, përmes të cilave reflektuan mbi mënyrën se si e konceptojnë një mjedis të mirë pune, faktorët që ndikojnë në motivimin e një ekipi dhe hapat që mund të ndërmerren për ta bërë atë më aktiv dhe produktiv.
Takimi synon të krijojë hapësirë për zhvillim, shkëmbim përvojash dhe fuqizim të kapaciteteve të të rejave, duke e orientuar potencialin individual drejt lidershipit, përgjegjësisë dhe kontributit të dobishëm në shoqëri.
Shkup, 19 gusht 2026





















