Sonte, në ambientet e Forumit Rinor Islam në Shkup, u realizua ligjërata e hapur për gra me temë “Kur imazhi bëhet më i rëndësishëm se karakteri”, nën ligjërimin e teologes Sumeja Peza.
Në një kohë kur pamja e jashtme shpesh merr përparësi ndaj vlerave të brendshme, ligjërata solli në vëmendje rëndësinë e moralit, sinqeritetit dhe karakterit si pasuri të çmuara të personalitetit të besimtarit.
Përmes shembujve frymëzues nga jeta e grave të shquara të historisë islame, si Asija, Aishja dhe Hatixhja (Allahu qoftë i kënaqur me to), u theksua se madhështia e njeriut nuk qëndron në atë që posedon apo shfaq, por në besimin, veprat dhe vlerat që kultivon.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe turpit si virtyt i besimit dhe ruajtjes së dinjitetit në një shoqëri ku standardet e bukurisë dhe të vlerës shpesh përcaktohen nga dukja. Në këtë kontekst, u rikujtua mësimi profetik se Allahu nuk shikon pamjen dhe pasurinë e njeriut, por zemrat dhe veprat e tij.
Në fund të ligjëratës, pjesëmarrëset patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të diskutojnë rreth temës së trajtuar.
Ligjërata u përmbyll me një mesazh që fton në reflektim: Imazhi mund të tërheqë vëmendjen, por është karakteri ai që i jep njeriut vlerë të qëndrueshme.
Shkup, 19 tetor 2026












