Forumi Rinor Islam – Dega Shkup vazhdoi realizimin e aktiviteteve në kuadër të projektit “Eureka”, duke mbajtur takimin e pestë me temën: “Nga klasa e 9-të drejt së ardhmes: Planifiko hapin tënd të radhës”, me ligjëruese Gilmane Osmani Musliji.

Gjatë këtij takimi, të rinjtë patën mundësinë të reflektojnë mbi rëndësinë e orientimit të drejtë arsimor dhe profesional, në një nga periudhat më të rëndësishme të jetës së tyre – përfundimin e shkollës fillore dhe përzgjedhjen e shkollës së mesme.

Përmes diskutimeve dhe aktiviteteve interaktive, pjesëmarrësit u nxitën të njihnin më mirë interesat, talentet dhe aftësitë e tyre, të shqyrtonin mundësitë e ndryshme të shkollimit dhe të analizonin përparësitë dhe sfidat e secilës zgjedhje. Gjithashtu, u trajtua rëndësia e marrjes së vendimeve të pavarura, kërkimit të këshillave nga personat e duhur dhe përgatitjes së një plani alternativ përballë sfidave të mundshme.

Nëpërmjet ushtrimeve praktike, lojërave me role dhe reflektimit individual, të rinjtë u inkurajuan që ëndrrat dhe synimet e tyre t’i shndërrojnë në hapa konkretë drejt së ardhmes.

Mesazhi kryesor i takimit ishte se zgjedhja e shkollës së mesme nuk është thjesht një ndryshim i institucionit arsimor, por një hap i rëndësishëm në ndërtimin e së ardhmes, prandaj duhet të bëhet me vetëdije, informim dhe besim në aftësitë personale.

Shkup, 31 tetor 2026