Chris Hedges
Rishkrimi i historisë nga elita e pushtetit u shfaq dhimbshëm teksa kombi shënoi 10 vjetorin e fillimit të luftës në Irak. Disa pohuan se kishin kundërshtuar luftën, kur në të vërtetë nuk e kishin. Të tjerët, në mesin e “idiotëve të dobishëm të Bush-it” argumentuan se kishin vepruar vetëm në mirëbesim, bazuar tek informatat në dispozicion; e në qoftë se do ta kishin njohur atëherë atë çka dinë tani – sigurojnë ata,- do të kishin vepruar ndryshe. Pretendimi, sigurisht, është i rremë.
Të entuziastët luftënxitës, sidomos “skifterët liberalë” – në të cilët përfshihen Hillary Clinton, Chuck Schumer, Al Franken dhe John Kerry, së bashku me akademikë, shkrimtarë dhe gazetarë të tillë si Bill Keller, Michael Ignatieff, Nicholas Kristof, David Remnick, Fareed Zakaria, Michael Walzer, Paul Berman, Thomas Friedman, George Packer, Anne-Marie Slaughter, Kanan Makiya apo i ndjeri Christopher Hitchens – bënë atë që gjithmonë kanë ditur të bëjnë: të angazhohen në veprimtari vetë-ruajtjeje. Kundërshtimi i luftës do të kishte qenë vrasës për karrierat e tyre. Dhe ata e dinin këtë.
Këta apologjetë, megjithatë, nuk vepruan vetëm si tellallë nxitës për luftë; në shumicën e rasteve ata tallën dhe u përpoqën të diskreditojnë të gjithë ata që vunë në pikëpyetje thirrjen për të pushtuar Irakun. Kristof, në The New York Times, sulmoi regjisorin Michael Moore si një teoricien komploti dhe shkroi se zërat anti-luftë vetëm sa polarizonin atë që ai e quajti “llumë politike.”
Hitchens tha se ata që kundërshtuan sulmin në Irak “nuk mendojnë fare se Sadam Huseini është i keq.” Ai e quajti protestuesin tipik anti-luftë një “ish-hipi dërdëllitës apo neo-stalinist këlthitës.” Mea culpa-t gjysmake të shumë prej këtyre oborrtarëve një dekadë më vonë gjithmonë lenë pa përmendur rolin kaq të dëmshëm e themelor që ata vetë kanë luajtur në përgatitjen pak nga pak të luftës, përmes paralizimit të debatit publik.
Ata prej nesh që u shprehën kundër luftës, u përballën me brutalitetin e “patriotëve” të krahut të djathtë dhe me apologjetët e tyre liberalë, dhe u kthyen në armiq publikë. Në rastin tim, nuk pati rëndësi se isha arabishtfolës. Nuk pati rëndësi se kisha kaluar shtatë vite në Lindjen e Mesme, duke përfshirë muaj të tërë në Irak, si korrespondent i huaj. Nuk pati rëndësi se njihja mekanizmat e luftës. Kritika që ofruam unë dhe kundërshtarë të tjerë të luftës, pa marrë parasysh se qe e bazuar në fakte dhe përvojë, shërbeu që të ktheheshim në objekt përbuzjeje prej një elite liberale që zhburrërisht donte të tregonte “patriotizmin” e vet dhe “realizmin” në lidhje me sigurinë kombëtare. Klasa liberale ushqeu një urrejtje të egër, të paarsyeshme ndaj gjithë kritikëve të luftës. Shumë prej nesh morën kërcënime me vdekje dhe humbën vendin e punës, si ndodhi edhe me mua në The New York Times. Këta luftënxitës liberalë, 10 vjet më vonë, nuk po dinë t’i gjejnë vend falimentimit të tyre moral dhe pedagogjisë së tyre veleritëse. Ata kanë gjakun e qindra e mijëra të pafajshmëve në duart e tyre.
Elita e pushtetit, sidomos elita liberale, ka qenë gjithmonë e gatshme të sakrifikojë integritetin dhe të vërtetën për pushtet, avancim personal, grante nga fondaconet, çmime, profesorat, kolumna në shtyp , kontrata për libra, paraqitje televizive, tarifa bujare leksionesh dhe status social. Ata e dinë se çfarë nevojitet të thonë. Ata e dinë se cilës ideologji duhet t’i shërbejnë. Ata e dinë se çfarë gënjeshtrash duhen thënë – e më e madhja gënjeshtër është se ata ndërmarrin qëndrime morale për çështje të rrezikshme e jo të sigurta. Ata kanë qenë në këtë lojë për një kohë të gjatë. Dhe do të vazhdojnë të jenë aty, nëse karriera e tyre do t’ua kërkojë të na shesin përsëri, duke buzëqeshur.
Leslie Gelb, pas pushtimit të Irakut u shpjegua qartë në revistën Foreign Affairs: “Mbështetja ime fillestare për luftën ishte tregues i tendencave fatkeqe në komunitetin e politikës së jashtme, përkatësisht gatishmërisë dhe motivimit për të mbështetur luftërat për të ruajtur kredibilitetin politik dhe profesional. Ne ‘ekspertët’ kemi shumë për të rregulluar me veten, ndërkaq që ‘përsosim’ median. Ne duhet të dyfishojnë përkushtimin tonë ndaj mendimit të pavarur, dhe të përqafojmë, në vend që të hedhim mënjanë, mendime dhe fakte që përplasen me opinionin e përgjithshëm – shpesh të gabuar. Demokracia jonë kërkon pikërisht këtë“.
Për burracakëria morale e elitës së pushtetit është veçanërisht e dukshme kur bëhet fjalë për gjendjen e palestinezëve. Klasa liberale, në fakt, është mësuar të margjinalizojë dhe të përçmojë ata që si Noam Chomsky dhe Norman Finkelstein, kanë integritet, ndershmëri dhe guxim të denoncojnë krimet e luftës të Izraelit. Dhe klasa liberale është kompensuar për rolin e saj të pistë në bukosjen e debatit.
“Asgjë, sipas mendimit tim, nuk është më e dënueshme se ato zakone të mendjes ndër intelektualë që shkaktojnë shmangien, tërheqjen karakteristike prej një pozicioni të vështirë dhe parimor, të cilin e kupton se është i drejtë, por nuk vendos ta mbështesësh“, shkroi i ndjeri Edward Said.
“Ti nuk do të biesh në sy si shumë politik; ke frikë nga çka duket kundër rrymës; do të ruash reputacionin si i balancuar, objektiv, i moderuar; shpresa jote është që të të kërkojnë përsëri, të konsultohen me ty, të jesh në një bord ose komision prestigjioz , dhe kështu të mbetesh brenda rrethit të nderuar të të përgjegjshmëve. Një ditë ke shpresë se do të marrësh një diplomë nderi, një çmim të madh, ndoshta edhe një post ambasadori“.
Said vazhdon më tej:“Për një intelektual këto zakone të mendjes janë par excellence korruptive. Nëse ka gjë që mund të denatyrojë, neutralizojë, dhe më në fund të vrasë një jetë të pasionuar intelektuale, ky është përbrendësimi i zakoneve të tilla. Personalisht i kam hasur ato në një nga ato më të rëndat e të gjitha çështjeve bashkëkohore, atë të Palestinës, ku frika për të denoncuar një nga padrejtësitë më të mëdha në historinë moderne ka mpirë, topitur, nemitur shumë nga ata që e dinë të vërtetën dhe janë në gjendje t’i shërbejnë asaj. Sepse pavarësisht nga abuzimi dhe poshtërimi që pëson çdo mbështetës i hapur i të drejtave dhe vetëvendosjes palestineze, e vërteta meriton të thuhet, përfaqësuar nga një intelektual i pafrikë dhe i mëshirshëm. “
Julien Benda, në librin e tij të vitit 1927, “Tradhëtia e Intelektualëve” (“La Trahison des Clercs“) mëton se vetëm kur nuk jemi në ndjekje të qëllimeve praktike apo përparësive materiale, mundemi të shërbejmë si një ndërgjegje dhe si një qortojë. Ata që transferojnë besnikërinë e tyre pranë qëllimeve praktike të pushtetit dhe përparësive materiale, e kanë tredhur veten intelektualisht dhe moralisht. Benda shkroi se nga intelektualët dikur pritej të ishin indiferentë ndaj pasioneve popullore. Ata “vendosnin një shembull të kyçjes në veprimtari mendore pastërtisht të painteres dhe krijuan një besim në vlerën supreme të kësaj forme ekzistence.” Ata mbikëqyrnin “si moralistë mbi konfliktet e egoizmit njerëzor.” Ata “predikuan, në emër të njerëzimit apo drejtësisë, ndjekjen e një parimi abstrakt të lartë dhe në kundërshtim direkt me këto pasione.”
Këta intelektualë nuk ishin shumë shpesh në gjendje, pranon Benda, të parandalonin të pushtetshmit nga “të mbushurit e krejt historisë me zhurmën e urrejtjes së tyre apo me masakrat e tyre.” Por ata, të paktën, i kanë “ndaluar profanët ta lartësojnë veprimtarinë e tyre si të ishte fe, dhe i kanë ndaluar ta përfytyrojnë veten si njerëz të mëdhenj për këtë veprimtari“. Me pak fjalë, pohon Benda, “njerëzimi bëri keq për dy mijë vjet rresht, por nderoi të mirën. Kjo kontradiktë ishte një nder për gjininë njerëzore, dhe formoi çarjen prej nga civilizimi buroi mbi botë.”
Por sapo intelektualët filluan të “luajnë në ndeshjen e pasioneve politike,” ata që kishin “vepruar si një kontrollor mbi realizmin e shoqërisë, filluan të veprojnë si stimulues të tij.” Dhe kjo është arsyeja pse Michael Moore është i saktë kur fajëson The New York Times-in dhe establishmentin liberal, për luftën në Irak, madje më shumë se George W. Bush-in dhe Dick Cheney-in.
“Dëshira për të treguar të vërtetën“, shkruante Paul Baran, ekonomist i shkëlqyer marksist dhe autor i librit “Ekonomia Politike e Rritjes,” është “vetëm një nga kushtet për të qenë intelektual. Tjetri është guximi, gatishmëria për të ndërmarrë hetime racionale vazhdimisht, kudo që ato mund të shpien … për t’i rezistuar… konformitetit të rehatshëm e fitimprurës. “
Ata që sfidojnë dhëmb për dhëmb ortodoksinë e besimit, dhe vënë në dyshim pasionet politike në fuqi, që refuzojnë të sakrifikojnë integritetin e tyre për t’i shërbyer kultit të pushtetit, ata flaken nëpër margjina. Ata denoncohen nga po ata njerëz të cilët, vite më vonë, shpesh do t’i pretendojnë këto beteja morale si të vetat. Vetëm të dëbuarit dhe rebelët e mbajnë gjallë të vërtetën dhe kërkimin intelektual. Vetëm ata i emërtojnë krimet e shtetit. Vetëm ata u japin zë viktimave të shtypjes. Vetëm ata bëjnë pyetje të vështira. Dhe ç’është më e rëndësishme, ata demaskojnë të pushtetshmit, së bashku me apologjistët e tyre liberalë, duke ua zbuluar fytyrën e vërtetë . /ezani/
EDITOR
12 years ago
previous article
OEMVP fton kompanitë të marrin pjesë në hallall panairin në Bosnjë
next article
Vjen edhe një televizion kombëtar
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
6 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
6 days ago