Kultura përbën një element thelbësor të jetës njerëzore. Ndërsa njerëzit janë ngritur anembanë Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, shumëllojshmëria e kulturave të tyre nuk është vetëm mjeti por edhe qëllimi përfundimtar i çlirimit dhe lirisë së tyre. Edhe pse imperializmi ishte kryesisht politik dhe ekonomik, ai ishte gjithashtu edhe kulturor duke imponuar mënyrat e të jetuarit, zakonet, perceptimet dhe vlerat që rrallë herë respektuan shoqëritë nën dominimin e tyre, që uzurpuan kontrollin e mendjeve, si një kolonizim i vërtetë i inteligjencës njerëzore.
Globalizimi shtrihet drejt kulturës, duke i çuar shpesh shoqëritë e Jugut Global në vetë-shpronësim. Çlirimi i vërtetë, marshimi drejt dinjitetit dhe demokracisë kërkon një “kryengritje kulturore” në të gjitha dimensionet e njohura të saj, në shprehjet artistike, intelektuale dhe fetare. Rëndësia e kulturës dhe e arteve në ndërmarrjen e detyrës së ripërvetësimit është kritike: mjetet e mendimit dhe traditës duhet të përdoren për t’i dhënë formë dhe substancë kuptimit të përkatësisë, e cila e vetme mund të garantojë mirëqenien e individëve. Nëse nuk ka kulturë pa fe dhe fe pa kulturë dhe nëse përfundimisht kultura nuk është fe; çështja duhet të hulumtohet po ashtu edhe aspektet e koklavitura të vlerave, kuptimeve spirituale, traditës dhe arteve. Pra, faktorët që i japin formë historisë, kujtesës, kombeve dhe identiteteve dhe që transmetojnë mirëqenien dhe lirinë duhet të përballen drejtpërsëdrejti.
Shoqëritë arabe me shumicë myslimane, janë të copëtuara nga tensionet fetare dhe kulturore që në kohë i kanë shqyer ato veçmas. Roli i referencës fetare është subjekt i një diskutimi të vazhdueshëm dhe debatesh të nxehta, në lidhje me marrëdhëniet mbi traditën dhe arabët – apo gjuhët e tjera kombëtare – që i kanë vendosur elitat sunduese dhe intelektualët me mosmarrëveshje. Ekzaminimi i afërt dhe studimi i këtyre përvojave na çon në një përfundim të vetëm që ne kemi të bëjmë me një sëmundje komplekse dhe të rrënjosur thellë. Përmasat e saj janë të shumta: kulturore, fetare, gjuhësore dhe për më tepër të lidhura tejet fort me identitetin.
Kjo prek tërthorazi të gjithë sektorët social dhe klasat, të gjitha prirjet e mendimit që nga sekularistët te islamikët dhe nga ateistët te besimtarët, edhe nëse janë apo jo të vëmendshëm nga kjo dukuri. Kjo tërheqje-shtytje komplekse kundrejt Perëndimit nuk është e re; ajo ka ekzistuar edhe përpara periudhës koloniale. Ajo ka krijuar një marrëdhënie të paqartë në të cilën imagjinatat janë të hipnotizuara dhe të tërhequra nga kultura e re globale perëndimore, ndërsa e njëjta forcë tërheqëse është refuzuar nga ndërgjegjja analitike, kulturore dhe etike që është përjetuar si një vetëshpronësim, kolonizim dhe me raste si një dhunë e përdhunimit kulturor. “Problemi arab” nuk ishte thjesht problemi i diktaturave të dhunshme që pasuan dekolonizimin politik, ajo ka patur gjithmonë marrëdhënie në vijimësinë e tjetërsimit dhe paralizimit, nëse jo shkatërruese ka pasur atë të kolonizimit intelektual.
Më tepër se konstrukte intelektuale
Procesi i rimarrjes së vetes është një prej pajtueshmërive me kuptimin. Kulturat së bashku me fetë që i formësojnë dhe ushqejnë ato, janë sisteme vlerash, tërësi traditash dhe zakonesh të grumbulluara rreth një ose disa gjuhëve, duke prodhuar domethënie: për veten, për të tashmen dhe prezenten, për komunitetin dhe për jetën. Kulturat kurrsesi nuk janë vetëm krijime intelektuale. Ata marrin formë përmes inteligjencës dhe kujtesës kolektive, të mbajtur përmes një psikologjie dhe emocionesh si dhe nëpërmjet kungimit shpirtëror dhe artistik. Rizgjimi arab nuk mund të përballojë për t’u ngritur mbi këto përmasa themelore të lirisë dhe çlirimit të individëve dhe shoqërive. Referenca islame është e një rëndësie të veçantë dhe bën thirrje për një vëmendje të veçantë, si të gjitha referencat fetare, ajo mund të ketë funksion pozitiv çlirues veçanërisht në rrethanat historike ose të bëhet një instrument reaksionar, dogmatik dhe autoritar, një instrument shtypës. Shqyrtimi i saj duhet të paraprihet nga një analizë politike dhe ekonomike dhe nga referencat sistematike ndaj studimeve në antropologji, kulturë dhe fe.
Emancipimi kulturor është i domosdoshëm dhe do të kërkojë një qasje historike. Nëse mesazhi i fesë është të jetë e pajtueshme me spiritualitetin, përmbushja kulturore mund të arrihet vetëm  përmes kremtimit dhe respektit për gjuhët, kujtimet dhe trashëgimitë e të gjithëve, si dhe me integrimin pozitiv të përkatësive të minoriteteve dhe dialekteve.
Efektet negative të globalizimit
Së bashku me Perëndimin, Afrika, Orienti Islam dhe Azia kanë rënë në grackën e ngritur nga efektet negative të globalizimit, duke përfshirë dhe jo kufizuar përjashtueshmërinë, për të mos thënë edhe pretendimet vdekjeprurëse ndaj kulturës dhe identitetit. Të njëjtat pretendime janë gjithashtu të gjithpërfshira edhe në botën arabe. Prandaj rëndësia e politikave kulturore të cilat duhet të zhvillohen në varg me politikat sociale, duhet të rrjedhin nga një bazament i përbashkët që përcakton kuptimin e përkatësisë kombëtare.
Kultura na jep kuptimin e një horizonti. Çdo gjë në trashëgiminë kulturore dhe tradicionale është e denjë për t’u festuar. Për të arritur çlirimin kulturor do të thotë të vesh në pikëpyetje të gjitha format e mundshme të tjetërsimin paralel ose dytësor: shpronësimi kulturor është shkatërrimtar, ashtu siç mund të jetë edhe imperializmi kulturor. Spiritualiteti i parashtruar si një pikë kujtese,  dhe si një kërkim për të vërtetën në dhe me anë të vetvetes, individualisht dhe kolektivisht është një akt I çlirimit. Megjithatë, ajo duhet të jetë pjesë e një përfshirjeje të hapur dhe konstruktive që, duke vepruar nga brenda shoqërisë dhe në respekt të plotë me pluralizmin që i dallon ato të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, do të përcaktojë qëllimet përfundimtare që i çojnë përpara kulturat, substanca e të cilave përbën historinë e çdo kombi.
Të mbrosh kulturën, kujtesën dhe identitetin do të thotë të pohosh se ato janë kuptimplota dhe se ato janë të afta për adresimin e sfidave të ditës. Të pohosh në vetvete do të thotë të bëhesh një subjekt, duke ndërmarrë përgjegjësinë e plotë për zemrën, trupin dhe mendjen e dikujt, ashtu si edhe për kolegun, shoqërinë dhe për natyrën në vetvete. Imperativi i koherencës është i padiskutueshëm si dhe kushti themelor i mirëqenies dhe lirisë së vërtetë. Shoqëritë perëndimore sot po marrin barrët e mangësive që i mundojnë ato, që minojnë parimet e demokracisë duke ruajtur një kulturë të frikës dhe pasigurisë. Pasiguria e mendjes është imazhi negative i paqes së zemrës. Shoqëritë arabe janë duke pësuar një krizë të ngjashme, ndoshta me një mënyrë të ndryshme, por me intensitet të njëjtë.
Kërkimi për një rizgjim
Ata vuajnë nga një gjendje e sëmurë e inkoherencës dhe e asnjë forme reforme, apo e një lirie politike, e cila do të mund të rizgjidhë ndjenjën e shqetësimit që ka gërryer në mënyrë të ngjashme themelet e Lindjes dhe Perëndimit. Nuk ka asnjë mungesë pengesash që mund të kapërcehen në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Të dyja vështirësitë ekonomike dhe politike janë të mirë-njohura, ashtu siç është edhe forca e referencave fetare dhe kulturore tek njerëzit; po aq i dukshëm është edhe potenciali për hapje etike dhe shpirtërore. Ajo që mbetet është gjetja e mjeteve për shprehjen e tyre shumëformëshe. Është koha që t’i rikujtojmë veteve tona se në themel të predikimeve të Islamit, besimtarët nuk duhet të çohen për t’u falur natën në mënyrë që të gjejnë vetveten dhe të harrojnë botën; por ato duhet të veprojnë kështu që në të vërtetë të gjejnë veten e tyre, në mënyrë që të investojnë më mirë në orët e ditës për të reformuar botën. Bota arabe dhe shoqëritë me shumicë myslimane qëndrojnë në nevojën e një rizgjimi që është i përgjegjshëm, larg iluzioneve, vetëkritik dhe me vendosmëri pozitive sa më shumë që ato qëndrojnë në nevojë të krijimtarisë dhe imagjinatës.
Pajtimi me vetveten, çlirimi nga kolonizimi intelektual dhe kulturor, për të mos përmendur shfaqjen e një “subjekti Arab” mund të ndodhin vetëm kur jeta e re është e frymëzuar në marrëdhënien tonë me kuptimin dhe qëllimet përfundimtare dhe vetëm kur imagjinata, arti, letërsia, piktura dhe muzika të jenë restauruar. Shkenca gjithashtu, së bashku me dijen dhe mënyrat se si gratë dhe burrat shprehin vetet dhe imagjinatat e tyre, dhimbjet, dëshirat apo pikëllimet dhe shpresat. Bota arabe është në grahmat e një krize tjetër: kriza e një imagjinate të frenuar nga e cila ajo po lufton për të shpëtuar dhe që ka një ndikim të fuqishëm në thelb të mirëqenies së saj. Me këtë logjikë, rizgjimi arab duhet të bëjë më shumë se përmbysja e diktatorëve.  Ajo duhet të çlirohet nga zinxhirët që dekadat e  abdikimit kanë aplikuar ndaj rendit të shkencës, dijes, estetikës, artit dhe të bukurës në përgjithësi.
Perktheu: Elmaz Fida