Gjuha është shenja identifikuese e një kombi. Por, sa të përgjegjshëm jemi ne ndaj saj, cili është niveli i kultivimit të gjuhës sonë standarde në institucione, shkolla, media etj. Rreth këtyre çështjeve Portalb, kërkoi mendimin e Akademik Ali Aliut dhe pedagoges së Universitetit të Tetovës, Zarije Nuredini.
Akademiku, Ali Aliu në deklarimin e tij rreth këtyre çështjeve, u shpreh se në përgjithësi niveli i standardit gjuhësor tek ne është i nivelit që lë për të dëshiruar.
“Në përgjithësi niveli i standardit gjuhësor në Maqedoni, është në nivele që le për të dëshiruar shumë. Sidomos i mediave të shkruara dhe elektronike, dhe pika tjetër më e dobët është përdorimi i standardit të shqipes nga njerëzit publikë, duke pasur parasysh edhe parlamentin në radhë të parë, duke patur parasysh edhe përdorimin e standardit në tribuna dhe debatet nga analistë komentatorë, personalitete politike.”, thekson Akademik Aliu.
Mjaft kritikë në këtë drejtim, ai shprehët për njerëzit publik, dhe sidomos gazetarët dhe politikanët.
“Ne kemi njerëz publik dhe gazetarë të pashkolluar, pa një bazament shkollor, pa një kulturë leximi të asaj letërsie, që është shkruar në gjuhën standarde. Ne na mungon përgjegjësia. Na mungon sedra dhe turpi që nuk jemi në gjendje ta themi një fjali të pastër dhe pa gabime dhe kemi njerëz që me guximin e njeriut publik dhe njeriut me pushtet dalin në media dhe flasin me një gjuhë të çoroditur. Ky është ambienti dhe hapësira jonë e kultivimit dhe ruajtjes së gjuhës standarde”, vlerëson akademik Ali Aliu.
Ndërsa, për sa i përket zërave për ndryshimin e standardit, ai thekson se gjuha është një materie e hapur dhe si e tillë gjithmonë duhet të përsoset, sidomos në leksik, por Akademiku, Aliu kërkesat radikale për ndryshimin e standardit i konsideron fatkeqësi të njerëzve me ide të tilla.
Ndërkaq, pedagogia e Universitetit të Tetovës, Zarije Nuredini vlerëson se Gjuha standarde përgjatë viteve, prej Kongresit të drejtshkrimit, ka gjetur zbatim të admirueshëm në gjithë arealet shqiptare.
“Viteve të fundit është pakësuar kujdesi ndaj standardit dhe mendoj se kjo ndodh për shkak të mungesës së mbrojtjes institucionale të saj dhe neglizhencës së institucioneve për të angazhuar lektorë të gjuhës shqipe. Përdoruesit dhe mediat shpesh nuk e zotërojnë standardin gjuhësor, as janë në gjendje të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ai ofron” thotë Nuredini.
Ajo mbron idenë se ligjërimi në mediat e shkruara vjen shpesh i spërkatur me gabime drejtshkrimore, dhe në këtë kontekst kritikon përdorimin e panevojshëm të fjalëve të huaja.
“Për sa i përket nismës së Këshillit ndër akademik për ndryshime në drejtshkrim, kjo duhet bërë me shumë kujdes dhe pa prerje të thella. Gjuha ndryshon vazhdimisht dhe ajo mund të pasurohet në leksik edhe nga gegërishtja. Por ky pasurim duhet bërë pa eufori.”thekson pedagogia në USHT, Zarije Nuredini. /Portalb
EDITOR
12 years ago
previous article
Laptopi që do e çlirojë “Google”-in nga “Microsoft”-i dhe “Apple”-i
next article
Al Khatib: Lufta sektare është komplot ndaj islamit
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
7 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
7 days ago