Myderrizi, Hafiz Fahri Efendi Iljazi ishte njëri prej hoxhallarëve më të ditur, jo vetëm të Gjakovës, jo vetëm të Kosovës, por ishte një nga më të dalluarit, një nga më të shquarit në nivel kombëtar, në të gjitha trojet ku ka shqiptarë….
Prejardhja familjare
Rrjedh prej një familje të njohur gjakovare, prej së cilës ndër shekuj kanë dalë shumë intelektualë, dijetarë, myfti, myderrizë, hafizë, hoxhallarë, atdhetarë…
Fahri Efendi Iljazi lindi në vitin 1903, në Gjakovë. Është djali i myderrizit, Hafiz Iljaz Efendiut, i cili ishte djali i myderrizit, Hafiz Muhamedi Efendiut, i cili ishte njëri nga pesë djemt e Yvejs Efendiut, të gjithë hoxhallarë të njohur, të nderuar, të cilët janë: Muhamed Efendiu, Hafiz Ismail Efendiu, Hafiz Muhamedi Efendiu, Jahja Efendiu dhe Hysein Efendiu.
Yvejs Efendiu, babai i pesë hoxhallarëve të shquar, ka qenë myderrizi i parë në Medresenë e Madhe të Gjakovës, e cila ishte vatra kryesore edukative, arsimore, kulturore, jo vetëm e Gjakovës, por e tërë Kosovës…
Shkollimi dhe shërbimi
Fahri Efendi Iljazi mësimet fillestare i kreu në Gjakovë, ku krahas mësimeve, pranë babait, myderrizit, Hafiz Iljaz Efendiut, e mësoi Kur’anin e Shenjtë përmendësh, në moshën 11- të vjeçare dhe e fitoi titullin e nderuar: Hafiz. Hafiz ishte edhe babai i tij, Myderriz Iljaz Efendiu, që nga mosha 9-të vjeçare…
Hafiz Fahri Efendi Iljazi i vazhdoi mësimet në Medresenë e Madhe në Gjakovë, pranë babait, Myderriz Iljaz Efendiut, deri në vitin 1920, viti kur ndrroi jetë babai i tij i nderuar.
I vijoi studimet në Medresenë “Mehmed Pasha” në Prizren, pranë Myderrizit të shquar Nusret Efendi Galibit, i cili ka qenë Myfti i Prizrenit, kryeqyteti shpirtërorë e historik i shqiptarëve…
Gjatë studimeve në Prizren, Fahri Efendi Iljazi, ishte njëri prej studentëve më të zgjuar, më të talentuar, aq sa, ka ndodhur shpesh, në mungesë të myderrizëve, edhe myderrizët i ka zëvendësuar…! Me përfundimin e studimeve, me sukses shembullorë, përveç diplomës e përfitoi edhe titullin e nderuar, titullin e çmuar: Myderriz. Këtë titull të çmuar, si sot akademik, për ta fituar, iu nështruar provimit para komisionit të përbër nga tre myderrizë, të cilët janë: Myderriz Rexheb Efendiu nga Mitrovica, Myderriz Ataullah Efendiu nga Shkupi dhe Myderriz Nusret Efendi Galibi nga Prizreni.
Shërbimet dhe vlerësimet
Që nga janari i vitit 1930 e deri në vitin 1948, kur e mbyllën komunistët, Hafiz Fahri Efendi Iljazi ka qenë Myderriz, udhëheqësi kryesor, në Medresenë e Madhe të Gjakovës, e cila i ka dhënë dritë tërë Kosovës…
Gjatë 18 viteve sa shërbeu në Medresenë e Madhe në Gjakovë, ku kanë studiuar 93 studentë, nga të gjitha trevat shqiptare, mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Në programin arsimor të Medresesë, Hafiz Fahri Efendia, përveç lëndëve që ishin në të kaluarën, futi lëndë të reja, si Kelami (Apologjetika) Ibnu Feraiz (E drejta trashëgimore), Filozofia Islame, Tesavufi Islam, Fizika, të cilën e ligjëronte Beqir Efendi Baraku, i cili ka qenë edhe poet…!
Në vitin 1938 doli gjenerata e parë e të diplomuarëve nga Hafiz Fahri Efendia dhe për këtë ngjarje nga Sarajeva erdhi një delegacion në krye me Reisin (Kryetarin) Xhemaludin Çausheviç dhe mysafirë të shquar nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët qëndruan bashkarisht tri ditë në Medrese, në Gjakovë. Të diplomuarit e gjeneratës së parë nga Gjakova janë: Hafiz Teufik Ef. Nahi, Hafiz Selim Ef. Yvejsi, Jahja Ef.Bakalli dhe Qamil Ef. Ferizi.
Shumica prej nxënësve të Myderriz Fahri Efendiut, pasi kanë diplomuar, u bënë dijetarë të shquar, atdhetarë e luftëtarë të dalluar, prej tyre vlenë të përmenden disa emra të paharruar si: Mulla Zekë Bërdynaj, Mulla Ramush Shatri, Haxhi Jahja Daci, Mulla Iljaz Broja, Hafiz Muhamed Gashi, Mulla Hajriz Demaku etj.
Në vitin 1948 u mbyll me dry Medreseja e Madhe e Gjakovës nga komunistët, me arsyetim banal se kinse nuk i plotëson kushtet hygjenike…! Me gjithë këtë, Hafiz Fahriu e vazhdoi edhe për dy-tri vjet në fshehtësi mësimin me disa studentë të rinj…!
Më 15 nëntor të vitit 1957 në Sarajevë u zgjodh kryetari i ri  i myslimanëve të ish Jugosllavi, Haxhi Sulejman ef.Kemura. Kurse më 8 dhjetor 1957 u zhvillue në Sarajevë ceremonia në Begova Xhaminë pranimi i detyrës dhe betimi. Për këtë ngjarje me rëndësi, ishin ftuar në Sarajevë, me rastin e shpalljes, betimit, të Reisit (Kryetarit) të ri të Bashkësisë Islame për Jugosllavi, Sulejman Efendi Kemura, përveç delegacioneve vendore, kishte edhe delegacione nga vende të ndryshme arabe-islame, ishte caktuar që Hafiz Fahri Efendia nga Gjakova të lexonte tekstin e Betimit (Menshura) në gjuhën arabe, ashtu edhe ndodhi. Kjo nuk ishte rastësi, por ishte një vendim me rëndësi nga  dijetarët që kuptojnë, që dinë të vlerësojnë dijetarët, vlerat e një personaliteti të shquar të Kosovës, siç ishte Hafiz Fahri Efendia i Gjakovës.
Në vitin 1963, një delegacion fetar nga ish-Jugosllavia viziton Marokon, ndër anëtarët e delegacionit ishte edhe Hafiz Fahriu, aty i pret Mbreti i Marokos Hasani i Dytë dhe kur foli Hafiz Fahriu në gjuhën arabe, pastër, rrjedhshëm, me maturi, zhgjuartësi, mbreti mbeti i habitur…! Pas disa vitesh, Mbreti Hasan i Dytë, e kishte pyetur Fadil Hoxhën në Maroko: “A e njeh Hafiz Fahri Efendiun, është nga vendi i juaj? Po, bile jemi nga i njëjti qytet, nga Gjakova, ishte përgjigjur Fadil Hoxha. Kurse, Mbreti Hasan i kishte thënë: “Një kokë si e tij, plotë urtësi, i mjafton vendit tuaj!”
Veprimtaria e Hafiz Fahriut është shumë e gjërë, është shumë e gjatë, ka shërbye me përkushtim, mbi gjysmë shekulli, ditë e natë…
Ka shërbye si imam në disa xhami, ka shërbye si kryeimam i Gjakovës, edhe i një pjese të Kosovës, që quhet Dukagjin, duke përfshi Pejën, Istogun deri në Klinë.
Ka qenë Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, gjithashtu, ka shërbye në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës…
Ka shërbye për shumë vite në Xhaminë e Hadumit, e cila është xhamia e parë e Gjakovës, bukuroshja e Kosovës, themelue me 1594, nga një shqiptar, nga Sylejman Efendiu apo siç njihet në popull me emrin Hadum Aga.
Në Xhaminë e Hadumit, që kur isha fëmi, i kam përcjellë në vazhdimësi, ligjëratat, hytbet, predikimet e tij. Predikimet e tij kanë qenë në nivel superior,  ishte klasik, por edhe bashkohor. Gjithnjë ka qenë i përgatitur, çdo fjali e tij ishte e ndritur…Kurrë s’ka folë me hamendje, përherë ia qëllonte, dëgjohej me respekt e vëmendje…!
 Kanë thënë për Medresenë e Madhe të Gjakovës të udhëhequr nga Hafiz Fahri Efendi Iljazi  
 Në vitin 1941, një delegacion i Komunitetit Musliman Shqiptar me qendër në Tiranë nën udhëheqje e dr.Behxhet Shapatit vizituan Medresenë e Madhe të Gjakovës, e cila udhëhiqej nga Myderriz Fahri ef.Iljazi:”Myderrizi (Fahri ef. Iljazi) së bashku me popullin dhe prijësit fetarë na udhëhoqën për në Medrese, pranë së cilës kishin dalë dhe ishin rreshtuar një tufë studentësh duke na uruar mirëseardhje.
Qetësi e gëzim, të një ritmi fetar, konstatuam në fytyrat e tyre. Na çuan në sallën e Medresesë, sallë kjo e shtruar mirë dhe pastër. Këtu gjetëm të gjithë komoditetet për të cilat ka nevojë udhëtari.
Këtu pamë edhe programin e Medresesë, të cilin e gjetëm krejt të plotësuar e sidomos në disa mësime si në Filozofi Islame, Etikë, Jurispodencë Islame etj., të cilat duhet vihen edhe në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë.”(Revista”Kultura Islame”, Nr. 3, Tiranë, 1941)
Kanë thënë për Hafiz Fahri ef. Iljazin    
Prof. Fejzullah Haxhibajriç nga Sarajeva në librin e tij “Nekrolozi” ndër të tjera thotë: “Sipas meje, e them me plotë bindje se Hafiz Fahri Efendiu është njohësi më i madh i tesavufit dhe jurispodencës islame në Ballkan.  Nuk e ka njohur dhe komentuar Ibën Arabiun më mirë se ai askush në Ballkan”.
Në një intervistë me Hajriz Demakun, ish-nxënës i Hafiz Fahri Efendiut, ish-luftëtar i Shaban Polluzhës, babai i shkrimtarit të njohur Daut Demaku, nga Drenica, gazetari e pyet: “Mixha Hajriz, kush është për ty më i pari për pushkë, trimni, dhe për dituni?
Mixha Hajriz tha: Për pushkë e trimni si Shaban Polluzha s’ka, kurse për ilm, dituni si Hafiz Fahri Efenija i Gjakovës, shtatë shokë myderrizë, s’ka asnja! Këtë intervistë mund të kërkoni në internet, e gjeni leht!
Ka thënë Hafiz Fahri Efendija
Myderrizi, Hafiz Fahri Efendija ishte enciklopedi, këtu mjafton të shënojmë tri thënie të tij!
“Nuk na mbetet tjetër veçse ta dojmë, ta ndërtojmë dhe ta çmojmë njani-tjetrin”
”Të zhvillohemi në pikëpamje shpirtnore, intelektuale dhe atdhetare.”
”Ditunija asht arma ma e fortë kundër anmikut”
Hafiz Fahri Iljazi, ishte një personalitet i madh, si një figurë e shquar, gjithnjë ka qenë i vëzhguar, i përgjuar, nga kundërshtarët, që ishin anti-fetarët, anti-shqiptarët…
Përveç veprimtarisë fetare, edukative, arsimore, Hafiz Fahri Efendiu është marrë edhe me veprimtari kulturore. Rreth vitit 1950, e ka bërë transkriptimin në gjuhën shqipe të veprës “Vehbije” (Dhuratë), të myderriz Tahir Efendi Gjakovës, shkrue e botue në Stamboll, me 1835. E ka përmirësuar, e ka pastruar, nga fjalët e hueja, veprën “Mevludi” , të Tahir Efendi Popovës, që këndohet nëpër të gjitha trevat e Kosovës. Ka marrë pjesë në hartimin, përpilimin, e të parit doracak “Ilmihal i Vogël”, që është botuar në Prishtinë me 1957, nga Kryesia e Bashkësisë Islame.  Ka lënë në dorëshkrim veprën “Jasin”, përkthim nga gjuha arabe, por me komentim…
Emri i Myderrizit, Hafiz Fahri Iljazi, si një dijetar, si një personalitet i rrallë, përmendet me nderim edhe sot e kësaj dite, jo vetëm në Gjakovë, jo vetëm në Kosovë, por që nga Shkodra deri në Vlorë, nga Sarajeva në Shkup, Dibër, Tetovë deri në Stamboll…!
Hafiz ali
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Hafiz Fahri Ef. Iljazi (1903-1985)
me nxënësin e tij Hafiz Selim Ef.Yvejsi (1913-2001)
i cili i kreu për myderrizin, Hafiz Fahri Efendiun,
shërbimet e fundit mortore, në këtë jetë të përkohshme tokësore.
Fotografi e vitit, 1970, Gjakovë.
Hafiz Fahriu ndrroi jetë me 19 Nëntor 1985, në moshën 82 vjeçare. Shërbimet e fundit mortore, në këtë jetë të përkohshme tokësore, i kreu kushërini i tij, nxënësi i tij, Hafiz Selim Yvejsi. Në përcjelljën e fundit, përveç popullit, morën pjesë të gjithë hoxhallarët e Gjakovës, morën pjesë hoxhallarët nga çdo anë e Kosovës…!
Atë ditë, komunistët e Gjakovës, duke e parë gjithë atë popull, qindra hoxhallarë, shejhlerë, dukeshin të tronditur, këtë nuk e kishin pritur, vështronin si të hutuar me sy, ishin bërë si pulat pa kry…!
Namazi i xhenazës u falë pranë Xhamisë së Hadumit, ku oborri ishte mbushur përplotë xhematli, ndërsa u varros në oborrin e Xhamisë, Xhamisë së Hadumit, ku kishte shërbye me përkushtim, derisa i erdhi ftesa prej Krijuesit për n’Amshim…
Ky burrë, ky dijetar, pedagog, atdhetar, e meriton që së paku një rrugë, shkollë të emërtohet me emrin e tij të nderuar Hafiz Fahri Iljazi…
Mexhid YVEJSI, Gjakovë