L. Demiraj
Nikahu, një e drejtë për të përfituar, një pengesë për t’u kapërcyer, apo një hap drejt lumturisë?
Dhe sigurisht që nëse lexuesi është mysliman që posedon ca dije, pyetja e mësipërme me tre nivele do t’i dukej e tepërt, por ja që ndonjëherë duhet të pranojmë disa të vërteta, që gëlojnë rreth nesh në formën e fenomeneve të mirëfillta.
Shumë të rinj që përqafojnë fenë përfshihen nga entuziazmi i rishtart duke i privuar vetes thellimin në postulatet e gatshme që u jepen nga të tjerë më të vjetër në fe. Por, koncepti tek i cili dua të ndalem këtu, ka të bëjë me nikahun.
Disa prej jush kanë familje të shëndetshme, por ç’më thoni për ata që kanë bërë divorc pas këtij akti? Asgjë nuk ndodh pa lejen e Tij dhe sigurisht që ndonjë syresh ka pasur arsye të mirëfillta, e sidoqofte të mos përjashtojmë mundësinë e shpërfaqjes në këtë akt të asaj çka unë, dhe jo vetëm unë, vërej shpesh në gjirin e besimtarëve shqiptarë: abuzimin në legjitimimin e nefsit nën ‘çatinë e së lejuarës’.
Sigurisht, kjo nuk qëndron e mëvetësuar. Kur kam pyetur dikë si është njohur me nusen (tashmë ish-nusen!) më ka treguar se mjaftuan vetëm tre takime. Tre, me numër!
Nikahu nuk është një e drejtë për të përfituar. Mund të mos ndodhë shpesh të jetë e tillë, por nuk është legjendë urbane. Keqardhja ime e rradhës për atë që ndodh më shpesh është trajtimi i nikahut si një detyrë pa asgjë të brendshme në vetvete, si një pengesë për tu kapërcyer, apo, e thënë me tjetër mënyrë, një rit që bëhet sa ‘për t’u bërë’.
Pak ditë para nikahut tim, rastisa në një të tillë tek njëra prej xhamive të Tiranës. Më ngazëllen kaq shumë kjo gjë e bukur. Megjithatë, nuk munda ta shihja nga afër. Meshkujt dhe femrat nuk mund të ishin bashkë në një sallë.
Kështu që unë prita të më tregonte djali që doja, i cili ishte bashkë me mua atë ditë. Ai doli me një shije të hidhur prej aty dhe përjetuam së bashku një gjendje shokimi. U morën dy dëshmitarë rastësorë, të ngeshëm, sikurse një hedhje zaresh në lojën e tavllës, dhe komunikimi me nusen u bë përmes telefonit celular. Edhe tani, në këto momente përjetoj sërisht një mbajtje fryme, por revolta e brendshme më ndihmon të vazhdoj të shkruarit.
Përtej aktit të faljes, ç’kuptim ka ndarja në ambjente të veçanta sipas gjinive? A nuk jemi po ne ata që shkëmbehemi në rrugë pranë njëri-tjetrit, që qëndrojmë ngjitur në autobuza, që shkëmbehemi shkallëve të pallatit, dyqaneve, auditoreve të shkollave, restoranteve, etj.? Cilët nga ju që bëni nikahun nuk jeni në prezencën e gjinisë tjetër në pafund momente të ditës, që nuk pranoni ta keni aty ditën e nikahut? Madje, saktësisht: 15 minutshin e nikahut? Nëse do më lejohej mua të konkludoja do ta quaja hipokrizi dhe të pakuptimtë, por dhe nëse s’më lejohet, unë sërisht e konkludoj. Është dita që ju bashkoheni, hidhni një hap që do ju hapë një derë shumëngjyrëshe, duke u betuar para Zotit të gjithësisë. E si mundet të mos jeni bashkë në një sallë, për të thënë “po”-në e shumëpritur e për t’u mallëngjyer së bashku me njeriun që doni, familjarët e shoqërinë, paçka se keni të bëni me gjini tjetër?
Dy dëshmitarët e rastësishëm? E ç’janë këta? Dy emra të panjohur në një fletë, sa për të qenë në rregull me pjesën burokratike të aktit? Burokratik, nikahu? Ky lloj nikahu vërtet që e përmbys totalisht vlerën shpirtërore të këtij akti. Ata dëshmitarë do të dëshmojnë. A do dëshmojë për ju dikush që s’ju njeh? Si? Ku?
Dhe ky nikah, që e zhveshën totalisht, doli dhe me trup të shëmtuar: një nuse që flet dhe thotë ‘po’ në telefon, nga kati sipër, dhe kërkon më tej mehrin e saj. E në fund, burri merr gjësendin e vet nga kati sipër dhe e çon në dhomën e tij… Mbetëm të shokuar.
Sikurse dihet, minimumi i kushteve plotësuese për kryerjen e nikahut është një vend, një hoxhë, dy dëshmitarë dhe përgjegjësi i vajzës (përgjithësisht babai). Ky minimumi, që përngjan i thjeshtë, është rëndom i aplikueshëm. Por fakti që kjo mundësi ekziston, nuk do të thotë aspak se është më e mira e mundshme. Përkundrazi, nuk janë pak ato raste vajzash, që, pas një nikahu të tillë, aspak të paralajmëruar, gjithëpërfshirës apo bekimdhënës nga prindërit, shkojnë tek shtëpia e djalit, ku më tej nuk pranohen nga familjarët e tij, zakonisht për shkak të mbulesës. Këtu, situatat e tensionuara, me qëndrime kategorike nga palët, përfundojnë po ashtu më zgjidhje kategorike: ndarje. E gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse një papërgjegjësi ndaj hapit madhor që po hidhet dhe mbi të gjitha mosvlerësim tërësor i tij.
Nikahu duhet të jetë një ditë gëzimi dhe festimi. Ai është një hap i domosdoshëm, por jo i mëvetësuar, e si i tillë duhet të shkojë paralel dhe me njohjet dhe pranimet paraprake ndërfamiljare. Jeta në çift, si një mirësi e dhuruar nga Zoti, duhet ta pasqyrojë këtë në të gjitha momentet e veta. Dhe te gjitha këto momente meritojnë bukuri, përkushtim dhe vëmendje, për ta kënaqur Zotin e njëherazi për të pasur pasoja të kënaqshme, derivate shkaqesh të menaxhuara nga vetë ne, përpos caktimit.
Nikahu, është një hap drejt lumturisë. Në një shoqëri pa ngjyra, në një fe që fatkeqsisht po na serviret postulatshëm e aspak duke u diskutuar, në çështjet që kanë të bëjnë me botën e brendshme, mos lejoni t’jua shterrojnë dhe përjetimet e lumtura.
Vajza! Jeni kaq të vlefshme në vetvete, kaq e brishta, mbartni një botë tiajën. Jepini vetes atë që meritoni.
Motër! Ti nuk meriton të njihesh përciptazi, të fshihesh, të jesh inferiore, të jesh objekt. Dhe ditën e nikahut tënd, mos rri në katin sipër, por qendro përballë tij. Ji e paqtë dhe e bukur. Mbuloje me buzëqeshjet e tua. Dedikoi diçka të bukur dhe shndrit, se je duke e kënaqur Zotin. /ezani/