E-zani
Debati i zhvilluar në TV Klan mbi projektin e Xhamisë së Madhe, rishtroi një diskutim të cilin e kemi zhvilluar gjerësisht në faqen tonë. Shumë prej pikëpyetjeve dhe rezervave që ne dhe komentuesit në këtë blog kemi ngritur ndaj projektit të ri, u shtruan në studio nga debatuesit, gjë që na krijoji për herë të parë mundësinë të njohim edhe qëndrimet e Komunitetit Mysliman për to, të cilat natyrisht nuk ishin në lartësinë e duhur. Përveç z. Redi Shehu dhe z. Fabian Zhilla, të cilët diskutuan pikëpamjet e tyre individuale, personi i vetëm që kishte tagrin institucional për të mbrojtur dhe përfaqësuar projektin nuk ofroi ndonjë vizion të qartë mbi mënyrën sesi është konceptuar xhamia në raport me të gjithë problemet e parashtruara.
Na vjen mirë të pohojmë se shumë prej kritikave tona të diskutuara në këtë forum u shtruan edhe nga një intelektual i angazhuar në problemet e urbanistikës së kryeqytetit si Fatos Lubonja. Kjo tregon se rezervat tona nuk kanë qenë në ajër apo të motivuara negativisht kundër KMSH-së, siç edhe u akuzuam në mungesë të argumenteve në mbrojtje të projektit, por ato patën të njëjtën gjatësi vale edhe me njerëz të tjerë, krejt të ndryshëm nga ne, e krejtësisht jashtë të qenit i përfshirë në debatet tona, siç është z. Lubonja. Kjo do të thotë se, të paktën parimisht, këto diskutime mbështeten mbi një logjikë të pranueshme. Ashtu siç kemi vënë në dukje edhe ne, Lubonja u shpreh gjatë debatit se projekti nuk është aspak i përshtatshëm, se nuk i përgjigjet aspak peizazhit urbanistik ku bën pjesë, se varros të gjithë zonën arkitekturore ku ngrihet duke u shfaqur si ciklop në mes të ndërtesave të tjera dhe gjithashtu se stili arkitekturor i tij nuk adreson kohën dhe vendin ku jetojmë, por përpiqet të imitojë stile të vjetra, që nuk mundet dhe nuk ka kuptim të ribëhen në kohë të sotme.
Ndërkohë, përgjigjet e z. Aga ndaj këtyre kritikave ishin të tipit: këto janë mundësitë tona dhe nuk është faji ynë për këtë. Për sa i përket faktit që ky stil arkitekturor nuk i përgjigjet zhvillimeve të kohës, dhe se ngjan më shumë me xhami të vjetra turke, të cilat vlejnë si objekte muzeale, por jo si vepra të sotme arkitekturore, Aga u përgjigj se ky është projekti që duan besimtarët dhe se kështu janë xhamitë në Ballkan. E vlerësojmë përpjekjen e KMSH-së për të përfshirë qytetarët e saj në vendimmarrje, gjë që duket se nuk e bën për çështje thelbësore që lidhen drejtpërdrejt me përfaqësimin tonë si bashkësi, por kjo është një çështje që nuk zgjidhet me vota. Arkitektura është një fushë ku gjithmonë janë vlerësuar risitë dhe që nuk ka lidhje me frymën demokratike. Nuk mund të ketë popull arkitekt që përcakton se cili do të jetë stili arkitekturor i xhamisë. Përfshirja e qytetarit në vendimmarrje të tilla bëhet vetëm duke i hapur rrugë një debati të gjerë publik, por për këtë, kushti parësor është transparenca dhe informimi i publikut.
Përveç kësaj, përcjellja e mendimit të qytetarit në vendimmarrje do të kërkonte minimalisht një gjykim të mbështetur në alternativa. Nuk mund të thuash se  ke respektuar vullnetin e qytetarit për sa kohë nuk i ke dhënë atij mundësi zgjedhjeje dhe për sa kohe gjendemi mbi një projekt të vetëm që na serviret në momentin e fundit si fakt i kryer. Për sa kohë xhamia u projektua në mënyrë arbitrare dhe nuk pati asnjë konkurs, ku studio të ndryshme të viheshin në garë për të sjellë projektin më të mirë, qytetarët mbeten pa mundësi zgjedhjeje. Mbi të gjitha nuk është e vërtetë që xhamitë në Ballkan janë kështu siç paraqitet në projektin e KMSH-së. Turqia është e mbushur me xhami, ku mund të gjesh të materializuar të gjithë historinë e arkitekturës moderne, që nga baroku e rokokoja, deri tek ato të sotmet. Gjithashtu, në qytete si Sarajeva kemi eksperimente shumë interesante xhamish ku tradicionalja vjen mjaft natyrshëm në një formë moderne, apo së fundmi, edhe rastin e xhamisë së re të Zagrebit, një projekt krejtësisht bashkëkohor, ndoshta më i madhi tashmë në Ballkan.
Me të drejtë Lubonja ngriti edhe shqetësimin për dyqanet që projekti parashikon të ketë në kat të parë. Ai u shpreh se dyqanet nuk shkojnë për një objekt të tillë kulti, dhe se ato të kujtojnë të kundërtën e arsyes pse ngrihet ky objekt, duke shkatërruar kumtin që ai përcjell. Përgjigja e z. Aga ishte se kjo bëhet për shkak se Komuniteti Mysliman ka nevojë për fonde, për mirëmbajtjen e xhamisë. Kjo përgjigje tregon paradoksin e këtij projekti. Teksa KMSH-ja ndërton një projekt gjigand, duke thyer edhe parimet urbanistike të estetikës, vetëm e vetëm pse kërkon të dëshmojë fuqinë e vet, apo qoftë edhe madhështinë e fesë që predikon, nga ana tjetër ajo ndërton dyqane për të gjeneruar fonde për mirëmbajtjen e kësaj xhamie, duke dëshmuar njëkohësisht pafuqinë e saj për ta mbajtur atë projekt që synon ta shfaqë me madhështi.
Ky debat na vjen tashmë shumë i vonuar, duke i humbur vlerën. Do të ishte mirë që ai të zhvillohej që në embrion të këtij projekt, që vetë KMSH-ja të kishte mundësitë të merrte në konsideratë rezervat, sugjerimet dhe kritikat. Për këtë do të ishte e udhës që vendime të tilla të rëndësishme të jenë sa më transparente, sa më të hapura ndaj publikut dhe mbi të gjitha kultura e konkurrimit duhet të jetë model i panegociueshëm në çdo gjë, nëse pretendojmë të kemi një institucion që funksionon mbi bazë të meritokracisë.