Presidenti amerikan Barack Obama është takuar me kryeministrin turk Recep Tayyip Erdogan në Shtëpinë e Bardhë për bisedimet që në fokus kanë konfliktin sirian vetëm disa ditë pas dy sulmeve vdekjeprurëse me automjete-bombë në Turqi, për të cilat Ankaraja e fajëson shërbimin informativ sirian.
Presidenti amerikan Barack Obama është takuar me kryeministrin turk Recep Tayyip Erdogan në Shtëpinë e Bardhë. Në fokus të bisedës së tyre ishte konflikti sirian, vetëm disa ditë pas dy sulmeve vdekjeprurëse me automjete-bombë në Turqi, për të cilat Ankaraja e fajëson shërbimin informativ sirian.
Kreu i Qeverisë turke Erdogan ia ka dhuruar Obamës një gravur në të cilën është shkruar emri i tij i plotë në gjuhën arabe: “Barak Husejn Obama”.


Nga takimi i Kryeministrit Rexhep Tajip Erdoan me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama realizuar sot në Shtëpinë e Bardhë dolën mesazhe historike. “Pikëpamja e përbashkët” në lidhje me Sirinë dominoi konferencën e përbashkët e shtypit, që u zhvillua nën pikat e shiut.
Fjalën i pari në konferencën e shtypit e mori Obama. Presidenti amerikan tha se me Erdoanin kishte biseduar për situatën në Afganistan, programin bërthamor të Iranit, marrëdhëniet turko-izraelite dhe paqen në Lindjen e Mesme.
OBAMA: “DUAM NJË ZGJIDHJE PA ESADIN”
Pastaj Obama e solli fjalën në çështjen e Sirisë. “Do të vazhdojmë të punojmë për të rritur presionin mbi regjimin e Esadit dhe të bashkëpunojmë me opozitën siriane. Do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje për një proces demokratik tranzicioni pa Esadin. Jemi të vendosur për sa i përket largimit të Esadit. Duhet të marrë fund dhuna që Esadi ushtron dhe që nuk krijon mundësi për zgjidhje. Në këtë kuadër do të vazhdojmë të kemi një bashkëpunim të ngushtë me Turqinë.
Obama u shpreh se Turqia do të luaj rol të rëndësishëm në takimin e palëve në Siri në bisedimet e Gjenevës që do të mbahen në ditët në vijim.
Obama sqaroi se në takim u trajtuan edhe marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve. “Jemi të vendosur për zhvillimin më tej të investimeve dhe marrëdhënieve tregtare”, shtoi presidenti amerikan.
OBAMA SHPREHU NGUSHËLLIMET PËR ATENTATET NË REYHANLI
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama tha se do të jenë gjithmonë pranë Turqisë në luftën kundër terrorit dhe shprehu ngushëllimet për sulmet me bomba që ndodhën në qytezën Reyhanlı të Hatayi-t.
KRYEMINISTRI ERDOAN: “DO TË VAZHDOJMË LUFTËN E PËRBASHKËT KUNDËR TERRORIT”
Në fjalën e tij Kryeministri Erdoan i shprehu popullit amerikan ngushëllimet për sulmet në Boston, ndërsa tha se të dyja vendet janë të vendosura për të vazhduar përpjekjen e përbashkët kundër terrorit.
Kryeministri turk nënvizoi se të dy liderët zotërojnë vullnetin e përbashkët për ngritjen e marrëdhënieve tregtare dypalëshe në nivele më të larta.
“JEMI NË UNITET TË PLOTË MENDIMI PËR SIRINË”
“Siria ishte pika kryesore e agjendës së takimit. Biseduam për ato që do të bëhen këtej e tutje. Konstatuam përputhjen e mendimeve. Jemi në konsensus të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dhënien fund procesit të përgjakshëm në Siri dhe për ndërtimin e një qeverisjeje të re, e cila do të plotësonte kërkesat legjitime të popullit. Çështjet do ti trajtojmë në mënyrë më të detajuar edhe në darkë”, tha Kryeministri Erdoan.
Në lidhje me zgjidhjen e krizës në Siri Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan tha: “Para së gjithash është e rëndësishme mbështetja e opozitës dhe largimi i Esadit, pengimi i të qenit të Sirisë një fushë veprimi për organizatat terroriste, pengimi i përdorimit të armëve kimike, garantimi i sigurisë për të gjitha pakicat në vend”.
Kryeministri Erdoan theksoi se duan ta shpëtojnë Sirinë nga diktatura, duke shtuar se ky është problemi i përbashkët i të gjitha vendeve që i besojnë demokracisë dhe se do të vazhdojnë të punojnë për t’ia arritur kësaj. “Për momentin ne duam të shikojmë ndjeshmërinë e bashkësisë ndërkombëtare ndaj çështjes së Sirisë”, cilësoi Erdoan.
“ËSHTË E RËNDËSISHME PRANIA E RUSISË DHE KINËS NË PROCESIN E ZGJIDHJES”
I pyetur për zgjidhjen e problemit sirian Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan tha se është e rëndësishme angazhimi i Rusisë dhe Kinës, pasi pjesëmarrja e tyre do ta përshpejtonte procesin. Një diçka tjetër e rëndësishme këtu, shtoi kryeministri turk, është edhe presioni i bashkësisë ndërkombëtare.
Ndihmat humanitare për refugjatët sirianë sot ka shkuar deri në 1,5 miliardë dollarë, tha Erdoan duke shtuar se Turqia ndihmat ndaj popullit sirian do ti vazhdojë përmes politikës së saj të “dyerve të hapura”.
“GAZËN DO TA VIZITOJ NË QERSHOR”
Kryeministri Erdoan bëri sqarime edhe për vizitën kritike që do të realizojë në Gaza.
“Në qershor kam në plan të vizitoj Gazën dhe Bregun Perëndimor. Kam bindjen se kjo vizitë do të kontribuojë në paqen izraelito-palestineze”, tha shefi i Ankarasë.
“NJË DITË HISTORIKË PËR MARRËDHËNIET TURQI-SHBA”
Fjalën e tij Erdoan e përfundoi duke thënë se “marrëdhëniet Turqi-SHBA sot jetojnë një ditë historike”.
OBAMA: “ALTERNATIVAT DIPLOMATIKE DHE USHTARAKE PËR SIRINË QËNDROJNË GATI MBI TAVOLINË”
Në pjesën pyetje-përgjigje të konferencës së shtypit në lidhje me Sirinë Obama tha: “i rezervojmë të dyja alternativat, qoftë atë diplomatike, qoftë atë ushtarake. Do të ishte më mirë sikur Esadi të ishte larguar 2 vite më parë”.
I pyetur për këtë çështje Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Obama, tha se “i kishte parë provat mbi përdorimin e armeve kimike në Siri, por kishte nevojë për më shumë informacion specifik për të kuptuar se çfarë po ndodhte në të vërtetë në Siri”.
OBAMA: “SA MË SHPEJT TË LARGOHET ESADI, AQ MË MIRË DO TË JETË”
“Sa më shpejtë që të ikë Esdi, aq më mirë do të jetë”, cilësoi presidenti amerikan dhe vijoi:
“Çështja kryesore këtu është se si do të ndodhë kjo. Këto janë çështje që i biseduam. Nuk ka një formulë magjike për dhunën dhe situatën e pazakonshme në Siri. Nëse do të ekzistonte një diçka e tillë, atëherë Unë dhe Zoti Kryeministër (Erdoan) do të angazhoheshim në lidhje me këtë çështje dhe do ta kishim përfunduar me kohë. Por ajo që po bëjmë sot në vend të kësaj është rritja e trysnisë, fuqizimi dhe mbështetja e opozitës. Mendoj se bisedimet që do të mbahen në Gjenevë me pjesëmarrjen edhe të Rusisë dhe të përfaqësuesve të tranzicionit politik që do të përfshijë të gjitha grupet në Siri, do të japin një rezultat. Por ndërkohë ne do të vazhdojmë të interesohemi edhe me ndihmat për opozitën dhe situatën humanitare të popullit sirian. Do të vazhdojmë të jemi në konsultime të afërta me Turqinë, sepse e dimë që edhe Turqia është prekur thellë nga kjo gjendje”.