Më shumë se një derbi, më shumë se një finale. Reali dhe Atletiko e Madridit do zhvillojnë një përballje për “jetë a vdekje” në “Santiago Bernabeu”. Të dyja duan ta mbyllin sezonin me trofe dhe ky është shansi i vetëm, ndërkohë që janë skuadra të të njëjtit qytet, me një rivalitet historik. Zhoze Murinjo do largohet në fund të këtij edicioni dhe triumfi në Kupën e Mbretit do ishte një “lamtumirë” e kënaqshme, ndërkohë që Diego Simeone ka shansin që të thyejë “mjeshtrin” portugez, mbase në mundësinë e fundit që i jepet për ta pasur kundërshtar në një finale. Radamel Falkao është në javët e fundit si futbollist i Atletikos dhe ka në plan t’i dhurojë një tjetër trofe klubit, para se të transferohet për ndonjë shifër stratosferike. Dy klube milionerësh, me futbollistë të shkëlqyer, që do luajnë me zemër dhe vendosmëri në një duel që vështirë të gjesh favoritë të ndjeshëm…
Milionat – Atletiko kushton më pak sesa gjysma e Realit, por duke menduar që vlera e lojtarëve në dispozicion kap shifrën e 239 milionë eurove, kupton se bëhet fjalë për një “ushtri” të pajisur mirë. Nga ana tjetër, “galaktikët” kapin vlerën e 597 milionëve, ku pa diskutim që vetëm 100 milionë shkojnë për Kristiano Ronaldon. Sivjet kanë dështuar të transformojnë milionat në rezultate dhe triumfi në finalen e sotme do ishte një mbyllje me “gjysmë nderi” e këtij edicioni futbollistik.
Goleadorët – Sytë janë te yjet e skuadrave respektive, të cilët sërish kanë treguar një aftësi mahnitëse për të gjetur rrugën e rrjetës. Bëhet fjalë për golashënuesin e dytë dhe të tretë më të mirë në Europë për këtë sezon. Kristiano Ronaldo ka shënuar 34 gola në 34 ndeshje të kampionatit, ndërsa Radamel Falkao i përgjigjet me 28 në 33 përballje. Para tyre është vetëm Lionel Mesi. Vitet e fundit kanë qenë sistematikë për të shënuar në finale, siç bëri portugezi ndaj Barçës për Kupën e Mbretit, apo kolumbiani në Ligën e Europës e Superkupën kontinentale ndaj Çelsit. Lojtarë që dinë ta përballojnë presionin dhe të bëjnë diferencën në ndeshje të mëdha…
Trajnerët – Specialistë të ndeshjeve decizive. Simeone mund të quhet nxënësi i Murinjos për nga vitet e eksperiencës si drejtues, por trofetë e fituar i japin një respekt maksimal. Një duel mjaft interesant, duke llogaritur filozofinë agresive që praktikojnë në ndeshje të këtij niveli. Kreu i pankinës së Atletikos nuk e njeh kthimin në mbrojtje, ndërsa ai i Realit nuk harron të “shpikë” ndonjë lëvizje surprizuese në aspektin taktik. Një tjetër duel që ngjall interes ende pa nisur ndeshja, e cila garanton një “luftë” të vërtetë sportive…
“Kupën e fitojmë, ua kemi borxh tifozëve”
Te Reali nuk e mendojnë aspak dështimin në finale. Ksabi Alonso, edhe pse vlerëson potencialin e rivalëve, mendon se humbja do ishte një zhgënjim i madh, ndaj nuk ka për të ndodhur. “Ne kemi zhvilluar një sezon me luhatje. Mund të kishim arritur më shumë, gjithsesi kemi shansin për të fituar një trofe dhe nuk duhet të dështojmë. Humbja ndaj Atletikos do ishte me të vërtetë një zhgënjim i madh, por ne do triumfojmë. Këtë trofe ua kemi borxh tifozëve tanë, të cilët sivjet meritojnë patjetër një festë. Do hyjmë në fushë për të luajtur me zemër dhe për të dhënë maksimumin”, deklaroi Ksabi ALonso. Ndërkohë, për raportet e vështira të Zhoze Murinjos me tifozët ai nuk ka dashur të komentojë: “Të gjithë mundohen për të mirën e Realit. Nuk mendoj se do të bihet në kontradikta, pasi synimi është i njëjtë. Po punojmë për t’i dhuruar sa më shumë suksese këtij klubi”.
“Ia dimë pikat e dobëta Atletikos”
Gonzalo Higuain shprehet optimist për të fituar në finalen e Kupës së Mbretit, duke deklaruar se kanë përballë një kundërshtar që e njohin mjaft mirë. “Atletiko e Madridit ka një sulm të rrezikshëm dhe mbi të gjitha një mbrojtje kompakte, ndër më të mirat në Europë. Gjithsesi, kjo nuk na demoralizon, pasi ne i njohim shkëlqyeshëm. Ua dimë pikat e dobëta dhe do mundohemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht në finale”, tha sulmuesi argjentinas. Sa i përket mundësisë për t’u larguar në fund të edicionit, ai shtoi: “Nuk kam asnjë plan për të ardhmen. Mezi po pres të fitojmë Kupën e Mbretit dhe të shijojmë festën e triumfit”.
EDITOR
12 years ago
previous article
Në Tetovë pengesë kisha, për Strugën vendos Ahmeti
next article
Tani vjen “E” Formula (Foto)
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
6 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
6 days ago