Të tria komunitetet fetare të Shqipërisë, ai Ortodoks, ai Mysliman dhe ai Katolik kanë dalë kundër mendimit të Ismail Kadaresë se shqiptarët i braktisën kishat e xhamitë 20 vite para ndalimit të fesë.
Kisha Ortodokse, Thoma Dhima: Shqiptarët, frikë të shkonin në kishë
“Unë jam pagëzuar fshehurazi në vitin 1966 në Gjirokastër”
Nuk mund të them që ka pasur braktisje të besimit 20 vite para se të ndaloheshin fetë në Shqipëri. Më së shumti, mendoj se ka pasur një frikë nga regjimi i kohës, i cili i shihte shtrembër ata që shkonin në institucionet fetare. Përpos kësaj, të afërmit, pra familjet e funksionarëve të ndryshëm, ushtarakëve, ose njerëzve që kishin detyra me rëndësi në partinë e kohës, kishin droje e frikë t’u drejtoheshin kishave dhe xhamive, pasi do të shiheshin me sy tjetër. E megjithatë, njerëzit shkonin fshehurazi. Unë vetë jam pagëzuar në vitin 1966, pra një vit para se feja të ndalohej. Nuk jam pagëzuar në Tiranë, pasi familja kishte frikë t’i ndiqte hapur shërbesat fetare. Nëna ime më ka dërguar në Gjirokastër dhe atje është bërë pagëzimi im. Si familja ime ka pasur edhe shumë të tjera, që nuk është se nuk e donin fenë, e jo se nuk besonin në Zot, por kishin frikë ta thoshin hapur këtë. Sigurisht që edhe në këto vite ka pasur njerëz që ishin ateistë, por nuk qe ky brezi i ateistëve, që u rrit pa praninë e fesë, pasi brezi që u rrit pa praninë e fesë ishte ai i viteve 1970-1980, kohë në të cilën ajo qe e ndaluar. Në vitet 1960 dhe më herët ka pasur shumë të rinj që janë pagëzuar fshehurazi nga familja. Papa Kozmai ka qenë një prift në zonën e Vlorës që i pagëzonte njerëzit fshehurazi nga shteti.
Komuniteti Mysliman, Agron Hoxha: Xhamia nuk u braktis as pas 1967-ës
“Njerëzit nuk e tradhtuan besimin, por ata që ishin nën dantellën e Hoxhës nuk e panë këtë”
Njerëzit nuk i kanë braktisur as xhamitë as kishat, jo vetëm para se të ndalohej feja, por nuk e kanë braktisur besimin e tyre as gjatë ndalimit të fesë nën regjimit komunist. Madje janë munduar që ta përjetojnë besimin dhe praktikat fetare në mënyrë të fshehtë. Por do të shtoj edhe një parantezë, njerëzit që fshiheshin nën dantellën e Hoxhës nuk kishin se si ta dinin këtë dhe fakti më i thjeshtë është ai që në momentin që u hapën kishat dhe xhamitë, u mblodhën krejt spontanisht me dhjetëra e mijëra persona, të cilët natyrisht nuk mbinë nga toka, por ishin qytetarë të këtij vendi. Ajo që dua të them është se më 16 nëntor 1990, në kohën kur frika e komunizmit vazhdonte të ishte prezente, për hapjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër u mblodhën mbi 50 mijë vetë myslimanë dhe të krishterë nga dëshira e madhe për të përjetuar edhe njëherë lirshëm besimin e tyre fetar.
E njëjta gjë ishte edhe një javë më herët në varrezat e krishtera në Shkodër, në meshën e parë dhe po ashtu në hapjen e objekteve të tjera të kultit.
Një dëshmi tjetër e asaj që njerëzit nuk e kishin braktisur fenë, është edhe ajo që mijëra besimtarë dhe klerikë të të gjitha besimeve u burgosën, u pushkatuan, u internuan dhe natyrisht, këta nuk ishin njerëz që pushteti i kishte mbledhur nga kafenetë e lagjes, por ishin njerëz që donin të përjetonin fenë dhe besimin e tyre.
Gjithashtu sot ftojmë Kadarenë, por edhe ndonjë skeptik tjetër, që të vizitojnë xhamitë e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë se si njerëzit jo vetëm i mbushin, por falen edhe rrugëve.
Natyrisht, sot kushdo është i lirë që të jetojë besimin e vet ose të jetojë në ankthin e mosbesimit të vet. Komente të tjera do të jenë të tepërta.
Kisha Katolike, Albert P. Nikolla: E dua Kadarenë, po kisha nuk u braktis
“Komunistët u përpoqën ta përdorin kishën kur erdhën në pushtet”
Unë e lexova intervistën e Kadaresë. Nuk e di nëse është përkthyer e plotë apo janë marrë pjesë nga botimi i revistës franceze. Para se të them mendimin tim, bëj një parantezë se për Kadarenë kam një respekt të madh. Pra këto mendime kanë të bëjnë vetëm me atë pohim të intervistës së tij ku flitet për braktisjen e kishave nga shqiptarët. Përsa i përket pohimit se ka patur braktisjes së Kishave dhe Xhamive nga shqiptarët 20 para vitit 1967, t’ju them të drejtën nuk arrij ta kuptoj mirë domethënien e tij. Besimi i krishterë nuk konsiston më së pari në muret apo hapësirat ndërtimore. Kuptimi parësor është “ecclesia”, pra Kisha si bashkësi feje dhe dashurie, bashkësia e të pagëzuarve që shpallin të njëjtën fe dhe zbatojnë të njëjtin urdhër të Zotit. Në këtë kuptim do të thoja se shqiptarët nuk e kanë braktisur besimin, përkundrazi ata e kanë ruajtur edhe pas vitit famëkeq 1967. Pra në këtë pikë Kadarè mund të shtjellojë më mirë se te tjerët se çfarë ka dashur të thotë me braktisjen e kishave. Jo vetëm kaq, edhe kishat si ndërtesa, nuk u braktisën që në 1947. Braktisje nuk ka patur asnjëherë, edhe pas vitit 1967. Ka patur largim me dhunë dhe frikësim të besimtarëve, që në kuptimin semiotik është e ndryshme nga braktisja si e tillë. Pra ky pohim duket se gjen pak pasqyrim në fakte historike. Dëshmi interesante që vijnë kundër pohimit të Kadaresë, na japin shkrimet e mjaft klerikëve të persekutuar shqiptarë. Një prejt tyre më duket interesante për kontekstin: dëshmitë e Imzot Zef Simonit rrëfejnë për betimin e fshehtë të meshtarëve katolike për kryejen e sakramenteve në fshehtësi. Janë të gjalla dëshmitë e mjaft katolikëve të pagëzuar pas vitit 1967 në fshehtësi. Kjo dëshmon jo për braktijse por për dashuri të pakufishme për Kishën deri në sakrificë. Nga ana tjetër, shteti komunist ka patur një shtypje jo sistematike ndaj Kishës Katolike dhe feve të tjera. Në disa momente pas marrjes së pushtetit, komunistët kanë kërkuar disa herë ta përdorin Kishën për qëllimet e tyre të mbrapshta politike. Përmend në këtë kontekst idenë e themelimit të Kishës Katolike Kombëtare të shkëputur nga Vatikani e cila, natyrisht do të dështonte pasi Kisha Katolike ka strukturën e saj të tillë që nuk bën të mundur ekzistencën e kishave katolike të shkëputura nga pushteti kishtar dhe shpirtëror i Papës. Pra pohimi i Kadaresë duhet kuptuar e kontekstualizuar në intervistën e tij në revistën francese, që siç e thashë më sipër, nuk di nëse është botuar e plotë në shqip. BalkanWeb/
EDITOR
12 years ago
previous article
Universiteti i Kembrixhit: Shumë femra britaneze pranojnë Islamin
next article
Në Irak shkruhet Kur'ani më i "gjatë" në botë (Foto)
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago