Me borxh publik të qeverisë qendrore prej pothuajse 34 përqind, që është niveli më i lartë në shtatë vitet e fundit, dhe me bruto borxh të jashtmë prej pothuajse 70% të PBB-së, ekonomistët e kyçën alarmin për ngadalësimin e tempos së marrjes së borxheve.
Sipas pozitave të projektuara buxhetore, këtë vit qeveria duhet të marrë hua prej 288 milionë eurove – aq sa praktikisht edhe është deficiti i projektuar buxhetor.
Profesori universitar Trajko Sllavevski për “Portalb”-in thotë se edhe pse ky nivel i buxhetit deficitar prej 3,5 përqind në vitet e ardhshme mund të jetë rrezik për ekonominë.
“Pyetja kryesore është se prej ku dhe si do të sigurohet qëndrueshmëria e deficitit buxhetor, gjegjësisht me çfarë huazimesh do të financohet minusi në arkën buxhetore. Sipas meje në vitet e ardhshme Maqedonia do të duhet ta zvogëlojë deficitin buxhetor në nivel jo më të lartë se 1,5%.
Deficitin aktual buxhetor e arsyetonte me pagesa nga kompanive në bazë të borxheve të mbetura si rezultat i kthimit të TVSH-së dhe për punë të kryera ndërtimore.” – deklaroi për “Portalb”-in, Trajko Sllavevski, profesor universitar.
Porosi të ngjashme, për ndërprerjen e marrjes së huave dërgoi edhe misioni i FMN-së gjatë qëndrimit të fundit në vend.
Të dhënat më të fundit të muajit mars tregojnë se buxheti publik i qeverisë qendrore është 2,7 miliardë eurp ose 33,9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ja se sa dhe prej ku vijnë këto borxhe:
Borxhi publik i qeverisë qendrore 2,7 miliardë euro
Borxhi i jashtëm 1,7 miliardë euro
Borxhi i brendshëm 1,0 miliardë euro
Vetëm në bazë të kambialeve dhe bonove të thesarit në terren vendor, qeveria ka borxh prej 905 milionë eurosh, nivel ky që konsiderohet si më i larti deri tani. Vetëm për pesë vjet, ose prej vitit 2008 e këndej, ky borxh i brendshëm, të cilin qeveria e realizon nëpërmjet ankandeve të letrave shtetërore me vlerë, është rritur për një shumë fantastike prej 780 milionë eurosh.
Paralelisht me rritjen e borxheve të brendshme, analiza e numrave tregon rritje edhe të borxheve të jashtme. Në periudhën e njëjtë për krahasim, prej vitit 2008 e deri tani ai është rritur për 750 milionë euro.
Ekspertët alarmojnë se hapësira për marrje të borxheve të reja është harxhuar.
“Sipas mendimit tim hapësira fiskale për marrje të borxheve të reja është harxhuar. Niveli aktual i ngarkesës me borxhe do të ndikojë mbi “çmimin” e të gjitha huazimeve eventuale të ardhshme. Kur caktohet kamata për huazimet, për kreditorët jashtëzakonisht i rëndësishëm është niveli i ngarkesës me borxhe të një vendi” – sqaron Marjan Nikollov nga Qendra për analiza ekonomike.
Para do kohësh Qendra për analiza ekonomike publikoi një hulumtim ku shqyrtohen dy skenare për tempon e mëtutjeshme të marrjes së borxheve nga vendi.
Sipas skenarit të parë, në rast të deficitit primar prej 2,1%, borxhi i qeverisë qendrore do të tejkalonte 40% të PBB-së në mes të vitit 2015.
Në skenarin e dytë, në rast të deficitit primar prej 1,4%, borxhi i qeverisë qendrore do të thellohej më ngadalë, me ç’rast kufiri prej 40% të PBB-së do të arrrihej në vitin 2018.
Me çfarë kredish është e ngarkuar Maqedonia?
“Portalb”-i analizon se cilat kredi, nën çfarë kushtesh dhe për çka janë shfrytëzuar gjatë viteve të fundit, kur praktikisht është regjistruar trend i rritjes së borxheve të brendshme dhe të jashtme.
EUROKAMBIALI I VITIT 2009: Qeveria mori hua prej 175 milionë eurosh. Konsiderohet njër nga marrjet më të shtrenjta të huasë nga ana e Maqedonisë, me përqindje të kamatës prej 9,97%. Afati për kthim ishte tre vjet, për të cilën gjë nga buxheti vetëm për kamata janë paguar pothuajse 52 milionë euro. Kjo hua, arkës shtetërore gjithsej i kushtoi 183 milionë euro. Paratë u harxhuan për financim të deficitit buxhetor, gjegjësisht për harxhime të rrjedhshme buxhetore.
KREDIA NGA FMN-JA: Në fillim të vitit 2011, FMN-ja miratoi një kredi për Maqedoninë në vlerë prej 475 milionë eurove. Paratë u paralajmëruan si “pako financiare” për vendet me politika të shëndosha ekonomike. Por, pak para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në mars të vitit 2011, qeveria me shpejtësi tërhoqi 220 milionë euro. Zyrtarisht, harxhimin e këtyre parave e arsyetonte me pamundësinë për të emituar eurokambial të ri. Pas këtij veprimi, pjesa tjetër e parave mbetën të pashfrytëzuara. FMN-ja realizoi monitoring të harxhimit të linjës kreditore.
KREDIA NGA BERZH-I PËR “KORIDORIN 8”: Në korrik të vitit 2012, në llogarinë e Maqedonisë hyjnë mjetet e kredisë në vlerë prej 46 milionë eurosh, para këto për rikonstruimin e hekurudhës prej Kumanove deri në Beljakovc, në gjatësi prej 30,8 kilometrash. Afati i kthimit të kredisë është 15 vjet.
KREDIA NGA BERZHI PËR “HEKURUDHAT”: Në tetor të vitit 2012 qeveria merr hua prej 50 milionë eurosh nga Banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim. Paratë janë të dedikuara për qëllim konkret për blerjen e lokomotivave të reja dhe trenave të ri për udhëtarë dhe për mallra.
KREDIA NGA DEUTSCHE BANK: Janar 2013. Qeveria merr kredi prej 250 milion eurosh nga Deutsche Bank. Mu kjo kredi dhe vendimi i qeverisë për marrje të huave të tjera, ishin kapsolla iniciale për eskalimin e gjendjeve dhe skenave brutale në Kuvend, më 24 dhjetor të vitit 2012. Këtë kredi Maqedonia do të duhet ta kthejë në afat prej shtatë vjetësh, në dy këste. Kësti i parë në vlerë prej 95 milionë euro do të duhet të paguhet pas pesë vjetësh ndërsa kësti i dytë prej 155 milion eruosh do të duhet të paguhet në fund të afatit, në vitin e shtatë. Në ndërkohë  – do të duhet të paguehn edhe kamatat.
Poashtu, nëpërmjet Bankës evropiane për rindërtim dhe zhvillim, qeveria disa herë ka marrë linja kreditore të dedikuara për përkrahjen e kompanive vendore. Këto kredi, me përqindje të ulëta të kamatës, janë numëruar edhe si masa “antikrizë”, me të cilat qeveria i ka ndihmuar sektorit privat. /Portalb/