Studentet e vitit të tretë dhe të katërt të stomatologjisë, të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, praktikën profesionale do ta kryejnë në Universitetin e Sarajevës.
Pas mbarimit të ligjëratave për vitin akademik 2012/2013, tashmë fillon pjesa më e rëndësishme e procesit mësimor-shkencor, siç është faza e dhënies së provimeve dhe kryerja e praktikës profesionale nga studentët e të gjitha fakulteteve të Universitetit tonë, theksoi Rektori i USHT-së Prof.dr.Vullnet Ameti, me rastin e përcjelljes së studentëve të USHT-së, për në Universitetin e Sarajevës.
Ndër të tjera, rektori i USHT-së, Prof.dr.Vullnet Ameti, shtoi se studentët tanë, prej 20 maj deri më 2 qershor, në Sarajevë do ta kryejnë praktikën në fushën e stomatologjisë, para profesorëve dhe një stafi të specializuar në këtë fushë, praktikë kjo e cila, do t’i ndihmojë ata që më sukses ta kryejnë profesionin e tyre në të ardhmen.
“Ne si drejtues të këtij universiteti, angazhimin tonë e kemi orientuar kryesisht në arritjen e objektivave tona, siç janë edukimi i mirëfilltë dhe kërkimi shkencor, dhe në këtë drejtim investojmë fuqishëm që këto vlera t’i konkretizojmë në profilizimin e kuadrove që nxjerr ky universitet”, tha rektori i USHT-së, i cili, po ashtu vuri në dukje se studentët e stomatologjisë, mes tjerash do të kenë mundësi që për së afërmi ta ndjekin procesin e punës nëpër klinika të ndryshme dhe të njoftohen me metodat më të reja të diagnostifikimit dhe mënyrat e trajtimit të sëmundjeve në stomatologji.
Në të ardhmen pritet thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në mes USHT-së dhe Universiteteve të tjera nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe vizitat e ndërsjella të stafeve udhëheqëse, kuadrit akademik dhe studentëve. (INA)
EDITOR
12 years ago
previous article
Borxhi i brendshëm rreth 905 milion euro, ku është vija e kuqe?!
you might also like
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
3 days ago