Nën masa të rrepta sigurie dhe forca të policisë, sonte duke filluar në ora 20:30 në Arenën sportive “Filipi i Dytë” në Shkup do të luhet finalja e kupës fudbollistik të Maqedonisë. Në të forcat do t’i masin klubet tetovare, Shkëndija dhe Teteksi, të cilët do të luftojnë për titullin e parë apo të dytë të Kupës. Dueli i këtyre ekipeve, për shkak të përkatësive të ndryshme etnike të grupit të tifozëve, çdoherë ka qenë me rrezikshmëri të lartë, ndërsa tensionet para ballafaqimit të sotëm e rrit mbështetjen e paralajmëruar të “Vojvodave” të Teteksit dhe “Komitëve” të Vardarit si dhe të “Shfercerëve” të Çairit dhe “Ballistëve” të Shkëndijës.
“Tifozët të jenë korrekt dhe normalisht mbështetja t’u jepet lojtarëve, ekipit të tyre. Neve na intereson vetëm terreni, si do të luajnë lojtarët e mi”, thotë trajneri i Shkëndijës Artim Shaqiri. Madje, Federata fudbollistike e Maqedonisë dhe MPB-ja kanë përgatitur plan për sigurinë e tyre në stadium si dhe pozicionimi i tyre në tribunë. Kjo duhet të shmang rrezikun e qërim hesapeve fizike, ndërsa tifozëve u mbetet t’i pranojnë këshillat për t’u përmbajtur nga skandimet nacionaliste për të cilët parashihet padi penale.
Për këtë qëllim zëdhënësi i MPB, Ivo Kotevski paralajmëron se janë ndërmarrë  të gjitha masat që ky takim të jetë i sigurt.  “Ne jemi duke i ndërmarr të gjitha masat që janë të nevojshme për  të penguar çfarëdolloj dhune ose nëse ndodh ndokund të sanksionohet në mënyrën e duhur. Por para se gjithash kishim apeluar edhe tek klubet të kontaktojnë dhe të bisedojnë me tifozët e tyre me simpatizuesit t’u tregojnë që të sillen në mënyrë sportive dhe dinjitoze dhe gjithashtu deri tek Federata e futbollit e cila e organizon ndeshjen e futbollit t’i ndërmerr të gjitha masat”. Takimi zhvillohet në ora 20:30.