Prespa gjithnjë e më shumë mbetet pa banorët e saj. Ky është shqetësimi i përbashkët i dy qytetarëve të Prespës: Sami Rexhepi dhe Myfit Abdiu. Ky është problemi më i madh, thonë ata për Portalb, pa lënë anash problemet e shumta ekonomike që kanë banorët e këtij rajoni, të cilat edhe kanë ndikuar në shpërnguljen kaq të madhe të banorëve të këtushëm.
“Papunësia e madhe e të rinjve ka bërë që ata të largohen nga vendi dhe ta marrin botën në sy. Rreth 70 përqind e intelektualëve të Prespës janë shpërngulur, ndërsa njerëzit e paarsimuar me kohë e kanë marrë rrugën e kurbetit. Ata janë shpërndarë në të katër anët e botës”, thotë Abdiu.
Ai shton se sipas të dhënave statistikore mbi 70 përqind e shqiptarëve që jetonin këtu, tani janë shpërngulur.  Abdiu vlerëson se nëse llogariten edhe ata banorë që janë shpërngulur,shqiptarët në përbërjen e tërësishme të popullsisë së Prespës do të përfaqësoheshin me mbi 30 përqind, ndërkohë që sipas regjistrimit të fundit të popullsisë ata përbëjnë 9.8 përqind të numrit të përgjithshëm të banorëve të këtushëm.
“Në Prespë tani jeton vetëm ¼  numrit të banorëve të dikurshëm. Numri i nxënësve nëpër shkolla ka rënë drastikisht, ndërsa kjo dëshmohet me faktin që në vitin e parë të gjimnazit të Prespës ka vetëm 11 nxënës shqiptarë, të cilët vetëm katër lëndë mësimore i mësojnë në gjuhën shqipe. Kjo edhe për faktin që po mungon edhe kuadri, i cili nuk është i gatshëm të vijë të punojë pa orar të plotë pune”, thekson Sami Rexhepi.
Ai gjithashtu thekson faktin, që një numër i caktuar i qytetarëve shqiptarë të Resnjës deklarohen si turq, ndaj dhe fëmijët e tyre mësimin e ndjekin në gjuhën turke ose maqedonase.
Myfit Abdiu  thotë se  më parë  ka pasur shkolla në gjuhën shqipe në Resnjë, në Gërnçar Kranjë, ndërsa aktualisht funksionon vetëm një tetëvjeçare, me një numër shumë të vogël të nxënësve.
“Në klasën e pestë ka vetëm 5 nxënës në të gjithë Prespën, ndërsa dita ditës ky numër zvogëlohet  dhe ndodh që paralelet të mbesin me nga një nxënës.”, thekson Abdiu.
Të dy qytetarët nga Prespa, ndërkaq pranojnë se shqiptarët e këtushëm, janë të përfshirë në institucionet publike, megjithëse ky përfaqësim ende nuk pasqyron atë përqindje që kanë shqiptarët në strukturën e përgjithshme të popullsisë së këtij rajoni.
“Përfaqësimi nuk arrin atë përqindje që zënë shqiptarët në numrin e përgjithshëm të popullsisë, por nuk është për t’u ankuar, edhe pse mund të bëhet edhe më mirë. Me sektorin për urbanizëm në Komunën e Prespës,  Fondin për Shëndetësi, Komunalen edhe një shkollë fillore drejtojnë shqiptarët, ndërsa edhe një prokuror publik në Resnjë është shqiptar” thekson Abdiu.
Ai shton se në përbërjen e kaluar edhe kryesuesi i Këshillit të komunës ishte shqiptar dhe kjo erdhi si rezultat i pjesëmarrjes në koalicion të BDI-së,  dy votat e  këshilltarëve të të cilëve krijonin shumicën në këshill.
Ndërkaq, Sami Rexhepi, thekson se në përbërjen e tanishme shqiptarët në Këshill janë të përfaqësuar vetëm me një këshilltar, ndërsa duheshin edhe pak vota që ata të përfaqësoheshin edhe me një këshilltar tjetër.
“Në qoftë se të dyja subjektet politike shqiptare do të bashkëpunonin, mund të arrihej që të merren dy dhe pse jo edhe tre këshilltarë”, thotë Abdiu.
Rexhepi dhe Abdiu evidentojnë edhe problemet me të cilët ballafaqohen bujqit e këtushëm. Ata thonë se qytetarët e Prespës, të cilët nuk janë të punësuar merren me kultivimin e mollëve, por mungon ndihma e qeverisë për përballimin e problemeve me të cilat ata ballafaqohen.
Kështu, aktualisht nuk funksionon sistemi i ujitjes, ndaj dhe bujqit duhet të investojnë deri më 5 mijë euro për të hapur puse, që të ujisin  3 deri 4 hektarë tokë. Në këtë kontekst ata përmendin pamundësinë e qytetarëve për të investuar në trafostacione, të cilat kapin vlerën e  rreth 30 mijë eurove, të cilat ata nuk mund t’i sigurojnë dhe në këso kushtesh nuk mund t’i ujisin sipërfaqet e mbjella. /Portalb