Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë është një nga institucionet që nuk ka gjetur asnjë post drejtues për kuadrot shqiptare. Ky institucion ka 44 poste që vlerësohen si jodrejtuese nga ana e zyrës së Avokatit të Popullit. Vetëm një nga këto poste u është ndarë shqiptarëve, ndërsa 39 nga postet mbahen nga ana e përfaqësuesve të bashkësisë etnike maqedonase. Gjithashtu, në kuadër të Akademisë, janë angazhuar 53 punonjës. Nga numri i përgjithshëm i vendeve të punës, shqiptarëve u është ndarë vetëm njëri prej tyre, ndërsa mbi 90 për qind të vendeve ose 48 prej tyre janë plotësuar me punonjës të përkatësisë etnike maqedonase. Sipas të dhënave të Ombudsmanit që janë prezantuar në Raportin e vitit të kaluar, përveç dy shqiptarëve, në Akademinë e Shkencave punojnë edhe dy turq dhe katër serb, të cilët gjithashtu janë shpërndarë në postet më të ulëta të hierarkisë.
“Gjatë vitit të analizuar, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve kanë punuar 106 persona, të cilët janë shpërndarë në të gjithë hierarkinë e këtij institucioni. Në këtë kontekst, bie në sy struktura monoetnike e posteve udhëheqëse. Analiza e vendeve të punës zbardh se 96 punonjës kanë qenë të përkatësisë etnike maqedonase, dy të tjerë kanë qenë shqiptarë, ndërsa përveç tyre – në akademi kanë punuar edhe dy turq dhe katër serb”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit, me të cilin është analizuar përfaqësimi i drejtë i të gjitha bashkësive etnike në të gjitha institucionet vendase. Përveç Akademisë, prania e shqiptarëve rezulton të jetë mjaft e dobët edhe në sekretariatet e ndryshme shtetërore. Sipas të dhënave zyrtare të Ombudsmanit, Sekretariati i përgjithshëm është njëri nga institucionet ku shqiptarët janë të pranishëm me rreth dy-tre për qind. Në këtë institucion, prania e shqiptarëve është pak më e lartë në strukturat udhëheqëse, por as në këtë segment nuk e kalon 10 përqindëshin. Analiza e Avokatit të Popullit zbardh se në sekretariatin e përgjithshëm, vjet kanë punuar 816 punonjës, ndërsa shqiptarëve u janë ndarë vetëm 26 vende pune.
“Vitin e kaluar, 54 nga 64 postet drejtuese të Sekretariatit të përgjithshëm qeveritar janë mbajtur nga ana e përfaqësuesve të bashkësisë etnike maqedonase, ndërsa 6 të tjera nga shqiptarët. Për sa u përket posteve jodrejtuese, në këtë organ vjet kanë punuar 344 persona. Analiza e strukturës së punonjësve zbardh numrin e lartë të të punonjësve maqedonas, por edhe numrin e ulët të shqiptarëve, të cilët renditen pas turqve, romëve, serbëve dhe vllehve, duke u barazuar me boshnjakët. Sa për ilustrim, në këtë sekretariat, në postet jodrejtuese dhe në strukturat më të ulëta, vitin e kaluar kanë punuar 414 maqedonas, 26 shqiptarë, 124 turq, 112 romë, 28 serbë, 30 vllehë dhe 24 boshnjakë”, qëndron në raportin vjetor të zyrës së Ombudsmanit.
Një tjetër sekretariat me pak shqiptarë dhe asnjë shqiptar në postet drejtuese është ai i legjislacionit. Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, në Sekretariatin e legjislacionit vjet kanë punuar 50 persona, ndërsa nga shqiptarët janë mbajtur katër vende në hierarkinë më të ulët. Përveç shqiptarëve, vjet në këtë organ kanë punuar edhe dy turq dhe një vlleh. (koha)
EDITOR
12 years ago
previous article
Zdunje, banorët protestojnë kundër ngritjes së kryqit (Video)
next article