Taulant Xhaka i ka thënë ‘po’ ftesës së Kombëtares dhe pritet të ftohet së shpejti nga trajneri Kombëtares shqiptare.

Mesfushori i Borusia Mynshegladbahut, Granit Xhaka, luan tashmë për Kombëtaren e Zvicrës, ndërsa i vëllai, Taulanti, me shumë gjasa do t’i bashkohet kombëtares së Shqipërisë. Sipas mediave kosovare, ky i fundit pritet të jetë përforcimi i radhës në Kombëtaren e drejtuar nga De Biazi. “Taulant Xhaka i ka thënë ‘po’ ftesës së Kombëtares dhe pritet të ftohet së shpejti nga trajneri Kombëtares shqiptare. Madje, flitet që kjo gjë mund të ndodhë që në takimin, i cili zyrtarisht ndodh më 29 maj”, pohon një burim i FSHF-së për mediat në Prishtinë.
Ndërkohë, duhet thënë se lojtari ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Zvicrës, madje edhe me U-21, çka mund të përbëjë problem për aktivizimin e tij të menjëhershëm me kuqezinjtë.
Gjithsesi, fillimisht atij do t’i duhet të pajiset me pasaportë shqiptare dhe më pas të ndjekë të njëjtat procedura sikundër edhe Migjen Basha, pra të kërkojë edhe lejen e FIFA-s, para se të zbresë në fushë me fanellën e Shqipërisë.
Përveç Xhakës, De Biazi ka ftuar për ndeshjen ndaj Norvegjisë edhe Valdet Ramën, Vullnet Bashën (vëllai i Migjen Bashës), Azdren Llullakun dhe Ilir Berishën.