Çelo Hoxha
Toleranca fetare e shqiptarëve është një vlerë që i ka kaluar prej kohësh kufijtë e Shqipërisë. Udhëtarët e huaj kanë shkruar prej më shumë se një shekulli. Vetë shqiptarët se kanë propahanduar kushedi çfarë këtë tipar të kulturës së tyre. Ata e kanë kultivuar natyrshëm, si një bujk i mirë bën me arën e tij, dhe kaq.
Toelaranca fitoi vëmendje pas rënies së diktaturës komuniste, kur kishte mbetur e vetmja vlerë e pacenuar dhe e denjë për t’u eksportuar. Në dhjetvjeçarin e fundit, kur Perëndimi duket i zhytur në luftë me të ashtuquajturin terrorizëm islamik, si një vend me shumicë myslimane, Shqipëria është përmendur shpesh si një shembull bashkëjetese. Këtij tipari të shoqërisë shqiptare kanë filoluar t’i thurin lavde dhe përçarësit e saj.
“Një ndër krenaritë tona të rralla është bashkëjetesa paqësore e tri besimeve fetare, shprehje e një tolerance fetare të jashtëzakonshme. Europa duhet ta marrë seriozisht në konsideratë tolerancën tonë,” deklaori shkrimtari Ismail Kadare, për numrin e pranverës (dhe numri i parë i saj) të revistës franceze Noor.
Forma e sugjerimit, “Europa duhet”, nuk është dhe aq tolerante, por e tolerueshme. Autori është shqiptar, por jo besimtar.
Toleranca e shqiptarëve është e vjetër sa besimet dhe është kthyer në pjesë e karakterit të tyre. Edhe ajo, ama, ka njohur ditët e saj të vështira. Në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, toleranca fetare e shqiptarëve u vendos në një provë të madhe, u sulmua frontalisht dhe në mënyrë sistematike nga fanatizmi. Ai përfaqësohej nga forca në shërbim të diktaturës, që e identifikonin veten si ateistë. Ata u shfaqën si – dhe po them me një fjalor të butë – sekt ekstremistësh.
Si shkrimtar i kësaj periudhe, anëtar i PSH dhe deputet i saj, Ismail Kadare ka kontribut të konsiderueshëm në sulmin kundër tolerancës fetare të shqiptare. Ai ka shkruar kundër fesë në një sërë poezish dhe veprash në prozë. Ne po u hedhim një sy disa poezive.
Në poezinë Në kishë (1961), kisha përshkruhet si një institucion mesjetar. Për poetin flaka e qirinjve në kishë është flakë e inkuizitorëve. Ai përshkruan një grua me “të zeza”, një vajzë të frikësuar që shikon herë qirinjtë dhe herë studentin e filologjisë (poeti). Studenti nuk është besimtar, ai ka shkruar aty të shikojë kush e ka përkthyer ungjillin. Plaka, e ëma e vajzës, “bën kryq/ dhe mallkon heretikët”. Mesazhi i kësaj poezie është ky: kisha është pengesë e dashurisë së lirë. Heretikët janë gjuetarët e vajzave. Nëna është armiku i heretikëve, kurse vajza viktima e “obskurantizmit”. Në fund, studenti përshëndet vajzën në kishë dhe gjithë ato që lexojnë poezinë: “Mirëmbrëma, vajzë!/ S’jam Xhordano Bruno.” Ky është imazhi i fundit që lexuersi merr me vete: kisha dhe një shkencëtar i djegur në turrën e druve prej saj. Realiteti, në fakt, ishte ndryshe. Ngjashmëri me institucionin e inkuzicionit kishin komitet e partisë, shkollat dhe universitet, ministria e kulturës, e gjithë të tjerat që dogjën libra, ekzekutuan klerikë, ndëshkonin pa mëshirë çdo mendim jokonformist me ideologjinë komuniste.
Në poezinë Ëndërra industriale (1960) parashikohet ngritja e një qyteti të ri: “pa kisha e muze me antika”, “pa perëndeshë mbrojtëse klasike”. Një qytet i hekurt, “i shqiptarëve, për shqiptarët”, i cili do të vishte “kohezionin proletar”. Piketat e para të këtij qyteti poeti i shikon “përmes xhamit me njolla”, nga xhipsi i Komitetit (të Partisë). Kjo poezi është shkruar në kohën e prishjes së marrëdhënieve të PPSH me Moskën. Qyteti i hekurt, vetëm për shqiptarët, e përgatit lexuesin për izolimin ta shikojë atë në një dritë optimiste isolimin dhe të përgatitet për qëndresë.
Në poemën Përse mendohen këto male (1962-64), Kadare vazhdon me motivin e qëndresës. Që të jetë e fortë, ajo ka nevojë për unitetin e qytetarëve, të cilët deri atëherë kanë qenë të përçarë nga “kryqi i Krishtit” dhe “gjysmëhëna e islamit”. Deri atëherë, qëndresa ka qenë dobësuar nga “turqishtja e kuranit” dhe “logjika latine” (e Biblës). Përveç kësaj, sipas Kadaresë, “minaret dhe kambanaret” kishin bekuar, deri atëherë, gjakmarrjen. Priftërinjtë dhe hoxhallarët kishin qenë veç zëra shurdhues. Për shekuj me radhë, Shqipëria ishte vënë, deklaron poeti, në gjumë nga “priftërinjtë dhe disa poetë”. Pastaj erdhi Partia Komuniste, që e priu Shqipërinë, sipas Kadaresë, përpara.
Në këtë poemë, që diku flitet kundër injorancës, ka pasaktësira të theksuara historike. Gjysmëhëna nuk ka qenë simbol i fesë myslimane, por e perandorisë osmane, dhe gjuha e Kuranit nuk është, siç thotë Kadare, turqishtja, por arabishtja.
Në një poezi tjetër të Kadaresë (Anketë, 1956-1966), majat e minareve shpojnë retë, në muzg, dhe retë rrjedhin gjak.
Në vitet 60-të, Kadareja nuk mendonte se fetë në Shqipëri jetonin në paqe e tolerancë. Gjykimi i tij u bë, përmes leximit të poezive të tij (dhe jo vetëm poezive), gjykim i një pjese të madhe njerëzish, të cilët, një ditë, rrëmbyen kazmat dhe shembën nga themelet kishat, xhamitë, teqetë e gjithë objektet e tjera fetare në Shqipëri. Në objekte kulti u kthyen godinat e komiteteve të partisë dhe përmendoret e komunistëve.
Kadare thotë, për revistën franceze, se “kishat dhe xhamitë ishin braktisur prej 20 vjetësh më parë në diktaturë,” 20 vjet para vitit 1967, kur institucioneve fetare iu vu kazma. Ky pohim bie ndesh me realitetin. Fillimi i largimit të besimtarëve nga kishat e xhamitë mund të ketë filluar “20 vjet më herët”, por ata, ata që u larguan, u detyruan nga pushteti. Në 1946 ministria e Arsimit i porositi organet lokale që nxënësit të mos detyroheshin të ndiqnin mësimet fetare. Më vonë, brenda atij viti, mësimi fetar në shkolla u ndalua krejt, sepse “mësimi i fesë në shkollë do të shkatërrojë një pjesë të punës s’onë që do të bëhet në shkollë”, i shkruante ministria komitetit ekzekutiv të Shkodrës, 15 tetor 1946. Me një qarkore të datës 19 nëntor 1946, thuhej se mësimi i fesë në shkolla ndalohej sepse brezi i ri duhej të edukohej “në bazë të parimeve të luftës NÇL”. Ka dëshmi që prindërit ankoheshin se mësuesit bënin propagandë antifetare në shkollë, kurse s’ka asnjë dëshmi që të mbështetë mendimin e Kadaresë, në vargje apo intervista, që populli i braktisi kishat dhe xhamitë me dëshirë.
Fakti që Kadare flet për tolerancën mertion, mendoj unë, të lavdërohet, pavarësisht se ai e bën këtë bazuar në parimin: dora që s’kthehet, puthet. Ai na informon për karakterin e autorit dhe, njëkohësisht, konfirmon fuqinë reale të tolerancës./ezani/
__________________________
Bibliografi:
Ismail Kadare, Poezi, Tiranë 1979.
Ismail Kadare, Në diktaturë: liria e vetme e shkrimtarit është gjuha e tij, “Gazeta Shqiptare”, 16 maj 2013, fq. 22-23.
AQSH, F.511, V.1946, D. 23, D.24.
EDITOR
11 years ago
previous article
Liga e Parë dhe e Dytë me 10 ekipe
next article
Të varfër edhe me kartela bankare
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
6 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
6 days ago