Gjuhëtarët shqiptarë nuk kanë reshtur kurrë së shkruari e së foluri për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës shkrimore të saj, si një element përbashkues identifikues, i domosdoshëm për të gjithë shqiptarët, veçanërisht në këtë kohë të tranzicionit të kulturës shqiptare. Me këtë qëllim parësor bashkohet edhe libri “Si të shkruajmë shqip” (Baza të shkrimit akademik), i prof. dr. Gjovalin Shkurtaj –akad. as. Ai u përurua më 15 mars 2013, në një takim me studentët e Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, organizuar nga Zyra e Karrierës së këtij Fakulteti, në kuadër të përgatitjes sa më të mirë të studentëve për një punë të suksesshme.
Ky libër, në fakt, vjen në këtë botim të përmirësuar, si rrjedhojë e kërkesave për të, pas tërheqjes së shpejtë të dy botimeve të mëparshme, më 2008 dhe 2012. Autori e ka “latuar e lëmuar” librin, duke u mbështetur edhe në këshillat e mendimet e shprehura për të, nga lexuesit dhe kryesisht pedagogët, që zgjodhën të përdornin dy botimet e mëparshme të tij, si bazë për ligjëratat dhe seminaret me studentët, në universitetet shqiptare, publike ose jo.
“Si të shkruajmë shqip” (Baza të shkrimit akademik) është hartuar me një penë tërheqëse dhe profesionale, nga profesor Gjovalin Shkurtaj, gjuhëtar i pasionuar e i palodhur për gjuhën shqipe. Libri ka në qendër të vëmendjes domosdoshmërinë e përvetësimit të bazave të shqipes, si nga studentët, dhe profesionistët e rinj shqiptarë të specialiteteve të ndryshme. Nevoja bëhet edhe më e ngutshme po të merret parasysh se këta të rinj ndjehen të papërgatitur për t’i qëndruar ndikimit dhe presionit të vazhdueshëm të gjuhëve të huaja, sidomos të anglishtes, italishtes e greqishtes. Në 310 faqe të tij, teksti në fjalë jep njohuri themelore: për hartimin, redaktimin, gatitjen e punimit shkencor, shkrimin e recensioneve, raporteve shkencore, rekomandimeve, cv-ve dhe shkrimeve të tjera profesionale. Por ai jep edhe njohuri bazë për drejtshkrimin e shqipes. Vlen të theksohet aspekti zbatues i këtij libri, që do të thotë se studentët mësohen si të shkruajnë sa më mirë shqip, nga përvoja e gjatë e një prej studiuesve dhe njohësve më të mirë të gjuhës shqipe.
Njohuritë teoriko-formuese, të dhëna në tetë kapituj të këtij libri, shoqërohen gjithandej me shembuj të shumtë të karakterit shkrimor, por edhe teknik. Shumë ndihmues në këtë drejtim është edhe treguesi i fjalëve të huaja, që mund të zëvendësohen plotësisht ose pjesërisht, si dhe shqipërimi i një sërë prapashtesash të huaja, të dhëna në fund të lëndës së trajtuar. Rëndësi i është kushtuar edhe zgjedhjes së fjalëve dhe termave të ligjërimeve specifike për profesione të ndryshme. Me këtë libër, autori synon të ndreqë dhe shumë pasaktësi e ngatërresa të panevojshme në përdorimin e termave të ndryshëm. Përmendim këtu vetëm një prej ilustrimeve të dhëna nga profesor Shkurtaj. Është fjala për përdorimin e termit shqipfolës, në vend të termit shqiptar. Me të drejtë, autori sqaron se, në rastin e bashkësive shqiptare në trojet kompakte ballkanike, ka “shqiptarë, universitete shqiptare dhe flitet shqip; pra, ka bashkësi shqiptare dhe jo shqipfolëse”.
Serioziteti i këtij botimi dëshmohet dhe nga gjuhëtarët e njohur, që kanë bërë recensimin e tij: prof. dr. Tefë Topalli e prof. prof. dr. Valter Memisha. Një recension të gjerë për këtë libër ka shkruar edhe prof. dr. Ali Jashari, dekan i Fakultetit të Mësuesisë, në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”. Ndër të tjera, ai shprehet se “ky libër u vjen në ndihmë të gjithë atyre, që duan të rregullojnë penën për të shkruar “shqip, thjesht, bukur, qartë dhe lehtë, sepse vetëm kështu i bëjmë nder vetes dhe kombit tonë”. Më tej, prof. dr. Jashari vazhdon: “Madje, veç të mira do të kishte futja e një lënde mësimi, me titull “Si të shkruajmë shqip”. Ky libër është dhe një gjedhe për t’u ndjekur nga gjithë hartuesit e teksteve shkollore…”. Vlerësim të lartë, për librin e profesor Gjovalin Shkurtajt, jep edhe prof. dr. Avni Presheva, titullar i logjikës në Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu, ky autor këshillon që “ai libër duhet të përfshihet në programin mësimor të të gjitha shkollave të larta të hapësirave shqiptare, brenda e jashtë Shqipërisë”.
Bashkohemi me këto e të tjera vlerësime, të shprehura për këtë libër, i cili ndryshon shumë nga përkthimet shabllon të bëra nga gjuhët e tjera, për nevojat e mësimdhënies së lëndës “Shkrim akademik”, në universitet. Vërtet lënda e shkrimit akademik mësohet në të gjitha universitetet botërore sot, por secili mëson të shkruajë në gjuhën e vet. Siç dihet, çdo gjuhë ka rregullat dhe specifikat e veta, të cilat nuk mund t’u montohen gjuhëve të tjera. Pikërisht këto lloj përkthimesh përbëjnë dhe një prej faktorëve dëmtues të gjuhës shqipe në kohën e tanishme. Këtu nuk është fjala thjesht për përdorimin e pikave ose të presjeve, a të ë-ve, siç tentohet të mendohet shpeshherë, në këto raste. Ajo që përbën vërtet shqetësim, është ruajtja e strukturës morfologjike e sintaksore të shqipes, gjë të cilës profesor Shkurtaj i kushton vëmendje të veçantë, në librin e tij.
Me pak fjalë, në radhë të parë, duhet të mendojmë shqip, të shkruajmë shqip dhe qartë. Vetëm atëherë do të jemi në gjendje të bëhemi profesionistë të vërtetë, pavarësisht se cilës fushë i përkasim. Nuk mund të kemi kurrë juristë, psikologë, mësues etj. të suksesshëm, nëse flitet një një gjuhë, e cila është gjysma shqip e gjysma në ndonjë gjuhë tjetër.
Veçanërisht në këtë kohë, kur shumë familje emigrantësh po kthehen në atdhe dhe po i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat dhe universitetet shqiptare, ndihet domosdoshmëria e një lënde me karakter të përgjithshëm formues, për shkrimin profesional shqip, në përputhje me strukturat morfologjike-sintaksore dhe rregullat drejtshkrimore të gjuhës së sotme shqipe. Dhe ato, botimi “Si të shkruajmë shqip” (Baza të shkrimit akademik), i prof. dr. Gjovalin Shkurtaj-akad. as. i plotëson më së miri. Ai përbën një libër pune të përshtatshëm për mësimdhënien e lëndës së Shkrimit akademik dhe të Kulturës së gjuhës, por edhe për të gjithë korrektorët dhe redaktorët e rinj të gjuhës shqipe, për studentët universitarë e pasuniversitarë dhe për mësuesit e gjuhës shqipe, në të gjitha hapësirat, ku shqipja flitet dhe mësohet, gjuhë amtare./shekulli/
EDITOR
11 years ago
previous article
Panairi në Prishtinë, plot shifra e mysafirë
next article
Top 10 "Dhjetat" e historisë së futbollit (FOTO)
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago