Shejh Abdullah bin Bejje, ka mbajtur një ligjëratë publike me myslimanët në Uashington, e koordinuar me qendrën Adams. Në ligjëratën e tij, shejh Bin Bejje, theksoi rëndësinë që myslimanët ta konsiderojnë veten si vendas në Amerikë. Ai tha se nuk ka kontradikta mes islamit dhe civilizimit dhe se bashkëjetesa mes myslimanëve dhe të tjerëve, të cilës feje qofshin, është diçka themeltare e Islamit. Ai tha se pakti i Medines, i nënshkruar mes myslimanëve dhe ithtarëve të feve të tjera, i ka paraprirë asaj që sot njihet koncepti i shtetit modern. Pakti theksonte se të gjithë qytetarët, të çfarëdo besimi të jenë, janë pjesë e kombit. “Marrëveshja e Medines, duhet të jetë modeli ynë sot” shtoi ai.
Bin Bejje i nxiti myslimanët amerikanë që të ofrojnë një imazh pozitiv të islamit, nëpërmjet praktikave të tyre të përditshme, pasi islami është fe e paqes, dhembshurisë, bukurisë dhe tolerancës. Ai nuk është fe e dhunës dhe urrejtjes, gjë të cilën e mbështeti me thënien profetike:”Trajtoji njerëzit me edukatë!” dhe kur themi “njerëzit” nënkuptojmë të gjithë njerëzit, jo vetëm myslimanët.
Në këtë kontekst, Bin Beje i nxiti myslimanët të japin kontributin e tyre në çdo fushë që i shërben shoqërisë njerëzore dhe me të cilat ndajmë vlerat e përbashkëta, si shëndetësia, ekonomia dhe të drejtat e njeriut. Në fund të ligjëratës, Bin Beje u kërkoi myslimanëve që të bëhen pjesë e shoqërisë, në gëzimet dhe hidhërimet e saj. Ai i ftoi myslimanët ta korrigjojnë konceptin e xhihadit, i cili nuk ka të bëjë vetëm me luftën, por është një koncept shumë herë më i gjerë, që përfshin mundin dhe përpjekjet për të ndihmuar çdo njeri. /ardhmeriaonline/