Në këtë ditë, teksa ai përshkon rrugën me biçikletën e tij, krejt çfarë do të bëjë është të kthehet në retrospektivë atëherë kur kishte shërbyer për vendin e tij. Atëherë kur bindjet e tij kishin qenë ndryshe dhe kur kishte menduar se një ditë do të jetë më mirë. Ndjehet i lumtur që vendi i tij është i lirë por, fatin që ka ai dhe disa nga bashkëluftëtarët tjerë, thotë se nuk e kishte parë as në ëndërr, shkruan Revista IP Magazinë.
Bindjet prej një ushtari të devotshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kishin udhëhequr në një drejtim krejtësisht ndryshe nga situata në të cilën ndodhet tani. Kishte paramenduar se një ditë, veç çlirimit të vendit nga okupimi serb, Kosova do të arrinte të ishte një shtet i ndërtuar, që garanton të drejta të barabarta e mirëqenie për secilin banor të saj.
Veli Morina, 45 vjeç, kishte shërbyer si ushtar i UÇK-së gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe gjithashtu ushtar Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë Medvegjë e Bujanoc për një vit e gjysmë. Ndërkaq tani, për të mbajtur gjallë familjen, ai çdo ditë nga mëngjesi deri më mbrëmje mbledh kanaqe nga të cilat grumbullon vetëm dy deri tri euro në ditë, shkruan e përjavshmja IP Magazinë.
Ai jeton në fshatin Rixhevë të komunës së Klinës dhe çdo mëngjes me biçikletën e tij përshkon magjistralen Kijevë -Koroman dhe Kijevë- Klinë për siguruar bukën e gojës. Familja e tij nuk gëzon asnjë asistencë sociale nga shteti.
Morina gjatë kohës sa shërbeu si ushtar i UÇK-së, ishte pjesë e Brigadës 113, Mujë Krasniqi. Por, paraprakisht, ai kishte qenë i burgosur politik në vitin 1992 për dy vite e gjysmë për shkak se atë botë, kishte bartur armatim. Pasi u lirua nga burgu, menjëherë i’u bashkua radhëve të ushtrisë .
“Deri tash, puna jonë nuk po vlerësohet dhe shumica janë duke hjek keq. Me pas dit që vjen puna deri këtu, isha habit. Kurrë nuk kam besu se kemi me ardhë në këtë gjendje. E kam paramendu shumë më ndryshe”, thotë Morina.
Gjatë luftës, ai kishte qenë i vetmi nga familja që kishte qëndruar në Kosovë duke mos dashur të largohej as për edhe një moment të vetëm. Një pjesë e familjes së tij kishin qenë në Gjermani.
Sot e ka shumë të vështirë të rrëfej se në çfarë gjendje është tani ngase as vet nuk e kishte paramenduar një gjë të tillë. Afër ka të birin, Hajdarin dhe gruan Praverën të cilët e shohin me mërzi teksa flet.
Mundohet disa herë që të shkëpusë bisedën e të përqendrohet diku tjetër për të mos i mërzitur familjarët. Flet për herë të parë për gjendjen në të cilën ndodhet dhe e ka të vështirë të rrëfehet.
Një njërin nga dollapet në dhomën e pritjes, ruan uniformën e UÇPMB-së, e vetmja që e kthen në kohën kur ai “e kishte paramenduar situatën ndryshe”.
E shpalos atë me krenari, siç tregon me krenari edhe për kontributin që ka dhënë për vendin e tij.
“Kam qenë disa herë i rrezikuar në luftë pasi që kam qenë ushtar i dalluar. Por nuk kam dashur asnjëherë të largohem nga Kosova. Vendi duhej çliruar dhe ky ishte qëllimi ynë i vetëm”, shprehet ai me entuziazëm, për IP Magazinë.
Jeta me vetëm 3 euro në ditë
Veli Morina sapo ishte kthyer nga rruga, dhe në fytyrën e tij vërehej lodhje e mundim. Përshkon çdo ditë nga 14 kilometra rrugë dhe shpesh herë është i rrezikuar nga automjetet e tjera që qarkullojnë.
Familja Morina është pesë anëtarëshe. Veliu ka tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, që të tre nga ta vijojnë mësimet në nivelin e ulët.
“Fëmijët janë në shkollë, po duan tesha po duan veshmbathje. Ndonjëherë po më lypin pare kur po dalin në fotografi në shkollë dhe po qajnë pse nuk po kam me ju dhënë. Po duhet me i nda prej lemenkave e me ja jap”, tregon Morina afër së cilit është edhe i biri, Hajdari.
Ai tregon se fillimisht kishte marrë 65 euro ndihmë sociale por tani as ato nuk i merr fare duke u varur krejtësisht nga 3 eurot që grumbullon gjatë ditës. Veterani i UÇK-së tregon se shpeshherë ndodh që ata të mbeten edhe pa bukë dhe në këso raste janë miqtë e tij ata që i ndihmojnë. E në raste tjera, ai duhet të kërkojë miell hua.
“Nuk kam luftuar për të ardhur deri këtu. E kam paramendu ndryshe”, thotë ai disa herë duke tundur kokën me habi.
Ka dy vite që Morina mbledh kanaqe për të mbajtur familjen por paraprakisht, thotë se nuk ka lëne vend pa kërkuar punë:
“Kam fol edhe me kryetarin e komunës, por vetëm premtime, nuk realizoi asgjë. S’pata zgjidhje tjetër dhe mu desht me dalë në rrugë”.
Kushtet e vështira të jetesës e kanë shoqëruar menjëherë pas përfundimit të luftës. Fatmirësisht, ai ka arritur që të ketë një kulm mi kokë falë një donacioni të dhuruar nga Caritas-i zviceran për ndërtimin e shtëpisë ku ai ndodhet aktualisht.
Po njolloset emri i UÇK-së
Ai nuk po brengoset vetëm për jetesën e vështirë që ai dhe familja po bëjnë. Halli i tij është edhe tek arrestimet e fundit të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare nga EULEX-i për të cilat ai thotë se po njollosin nderin e UÇK-së.
“Jam shumë i pakënaqur. Ata janë të pafajshëm. Por jam i bindur që një ditë drejtësia do të del në shesh dhe do të kuptohet lufta e pastër e ushtrisë sonë çlirimtare”, shpreh bindjet e tij.
Morina shpreson që një ditë të e tëra të mbarojë dhe lufta e UÇK-së të mbetet në mendje si luftë e pastër për çlirimin e Kosovës.
Jetën në rrezik
Gruaja e tij, Pranvera tregon se si njëherë i shoqi ishte goditur nga një veturë duke mbetur me lëndime të rënda.
“ E kishte shkel kerri dhe unë s’kam dit gjë. Kunata më pyeti se si është Veliu dhe atëherë e kuptova që i kishte ndodh diçka. E ka lëndu kokën rëndë dhe krejt vonë e kam kuptu”, shprehet zonja Morina.
Ajo tregon se vështirësitë më të mëdha i shoqi i has gjatë dimrit, e në rast se bora arrin trashësi, vështirësitë shtohen edhe më shumë.
“Dimrit është dasht me ja hjek borën me kaci e ai ka dal me kolicë me mbledh. Ka qenë shumë vështirë edhe rrezik për të”, tregon kryefamiljarja.
Ajo tregon se familja e saj po heq keq dhe hallin më të madh e ka tek fëmijët. E kanë të vështirë tu sigurojnë veshmbathje dhe në të shumtën e rasteve, ato i sigurojnë vetëm në rast se dikush u fal diçka.
“I sigurojmë qysh mundemi e në të shumtën e raste me të falne. Po jetojmë për gazepi. Unë nuk kam qenë as tek familja ime qysh prej verës së kalume. S’po kam mundësi me shku për shkak të kushteve”, tregon Pranevra e cila me origjinë është nga Tropoja, për IP Magazinë.
Ajo mundohet shpeshherë t’i fshijë lotët për të mos u hetuar nga i biri, Hajdari për të cilin thotë se qëndron gjatë tërë kohës i heshtur dhe nuk dëshiron të bisedojë me askënd. E ndjen veten të mbyllur dhe shumë ndryshe nga shoqëria e tij e shkollës. Për të thotë se qëndron më i mbyllur nga bashkëmoshatarët e tij dhe kjo gjë po i brengos prindërit e tij.
Ditën e çlirimit, në rrugë për kanaqe
Sot, 14 vjetorin e ditës së çlirimit të Kosovës, duket se festa nuk do të jetë njëlloj për të gjithë. Ai që ka kontribuar më së shumti, sot do të jetë si çdo ditë tjetër në rrugë për të mbledhur kanaqe. Nuk do të donte që kjo ditë të ishte njësoj sikurse ditët e tjera kur ai punon por e ka me doemos të punojë. I duhet gjithsesi të sigurojë paratë për familjen dhe nuk ka se si bënë ndryshe.
“Më duhet gjithsesi të dal sepse familja nuk pret dhe s’kam se si ti sigurojë ndryshe paratë. Andaj do të jem në rrugë”, shprehet i mërzitur.
Në këtë ditë, teksa ai përshkon rrugën me biçikletën e tij, krejt çfarë do të bëjë është të kthehet në retrospektivë atëherë kur kishte shërbyer për vendin e tij. Atëherë kur bindjet e tij kishin qenë ndryshe dhe kur kishte menduar se një ditë do të jetë më mirë. Ndjehet i lumtur që vendi i tij është i lirë por, fatin që ka ai dhe disa nga bashkëluftëtarët tjerë, thotë se nuk e kishte parë as në ëndërr, shkruan Revista IP Magazinë.
I tradhtuar nga ideali që e kishte bërë të mos i përtonte ngjitjes malit përpjetë 14 vite më parë, Veliu i kthehet familjes në mbrëmje. Aq sa mundet, për t’i gëzuar gruan dhe fëmijët me ndonjë copë buke apo monedhë metalike të pazarit të përditshëm.
Bërjen e luftës e ndjen se e ka pasur borxh. Atëherë kishte bartur armë në krah, për vendin. Tash lufton me biçikletë, dy qese najloni të mbushura me kanaqe dhe një bagazh në pjesën e pasme të mjetit të tij transportues. (Revista IP Magazinë)
EDITOR
11 years ago
previous article
Debatet kosovare dhe kriza kombëtare
next article
Erdoan, fjalim për trazirat në vend
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago