Valon Behrami ka qenë shënjestër e fyerjeve dhe vërshëllimave nga ana e tifozëve të Prishtinës, ‘Plisat’, në ndeshjen e djeshme ndërmjet Yjeve të Kosovës dhe kampionit të Kosovës.
Tifozët prishtinas e konsiderojnë Behramin tradhtar, por edhe të gjithë ata që zgjodhën t’i mbrojnë ngjyrat e përfaqësueseve tjera para Kuqezinjve.
Valon Behrami nuk është pritur aspak mirë nga tifozët e Prishtinës, ‘Plisat’, gjatë ndeshjes së djeshme ndërmjet skuadrës Yjet e Kosovës me Prishtinën, të cilën e fituan këta të fundit 3:2.
Tifozeria prishtinase, por edhe tifozeritë tjera kudo në trojet shqiptare, i konsiderojnë tradhtarë futbollistët shqiptarë që kanë zgjedhur të luajnë për përfaqësueset tjera, duke ia kthyer shpinën Kombëtares shqiptare.
Prandaj, mesfushori i Napolit ishte dje shënjestër e ‘Plisave’, të cilët e quajtën tradhtar dhe e vërshëllyen sa herë ishte në posedim të topit.
“Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve” dhe “Behrami, Behrami, Behrami, tradhtar si Esat Pashë Toptani”, ishin disa nga thirrjet kundër Valonit dhe atyre që nuk iu bashkuan Kuqezinjve.
-Behrami ka ardhur një herë në Kosovë dhe na pat mashtruar të gjithë tifozëve, duke na thënë që do të jetë lojtar i Kombëtares. Por, në atë moment që ia bëri ftesën Zvicra, na tradhtoi. Kështu që, edhe Behramin edhe Armando Dukën ne e shajmë. Për ne, asnjëri nuk është i mirë, deklaroi për Express kryetari i ‘Plisave’, Albert Kastrati.
Në ndeshjen e djeshme, pjesa dërrmuese e yjeve ishin pjesë e Kombëtares shqiptare, por në stadiumin e qytetit të Prishtinës kishte zbritur edhe Granit Xhaka, një tjetër futbollist që ka zgjedhur për të luajtur për Helvetikët.
-Edhe Xhaka ka qenë i vërshëllyer prej Plisave. Të gjithë ata që nuk luajtën për Shqipërinë, ata për neve janë tradhtarë. Por, Xhakën e arsyetojmë deri diku, pasi që vëllai i tij ka pranuar të luajë me Kombëtaren shqiptare dhe ndoshta shkaku i vëllait, edhe nuk është sharë sa Behrami, vazhdoi ‘Tigri’.
Për dallim nga pjesa lindore e stadiumit, ajo e perëndimit e përkrahu më së shumti Behramin, duke e duartrokitur sa herë që e posedonte topin dhe duke e thirrur emrin e tij shpesh.
-Ata janë shikues familjarë që më shumë kanë ardhur t’i shikojnë yjet e estradës. Ndoshta kanë menduar që edhe Behrami është ndonjë këngëtar që këndon në diasporë. Ai që i thotë vetes shqiptar, nuk ja thërret emrin atij, thotë prijësi i ‘Plisave’.
Ai tregon se tifozeria prishtinase nuk ka dashur të shkonte fare në këtë ndeshje, por në orët e fundit e kanë marrë vendimin që të shkonin për ta përkrahur ekipin e tyre të zemrës – Prishtinën, por edhe yjet e Kombëtares.
Kastrati më tej shton se, pa marrë parasysh që Behrami, Xhaka e të tjerët, që nuk luajnë për Shqipërinë, kanë ardhur në Prishtinë për ta respektuar këtë eveniment, ‘Plisat’ nuk kanë mundur të duroheshin pa ju treguar se nuk i duan, pasi konsiderojnë se i tradhtuan, kur zgjodhën përfaqësueset tjera.
Kastrati në fund premton se në Tiranë, futbollistët shqiptarë të përfaqësueses së Zvicrës do t’i presë një ‘ferr’ i vërtetë.
-Ne, nëse nuk do t’i shanim në Prishtinë, prapë se prapë në Tiranë do t’i shanim, sepse nuk jemi me dy fytyra. Do ta shihni se çfarë ferri i pret atje, pasi që më shumë se gjysma e stadiumit do të jetë i mbushur me shqiptarë të Kosovës, përfundoi Kastrati.
Përfaqësuesja e Zvicrës do të zbresë në Tiranë më 11 tetor, për ta zhvilluar ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2014 ndaj Shqipërisë.
Edhe në atë ndeshje, futbollistët shqiptarë që luajnë për ekipin e Ottmar Hitzfeldit pritet të fyhen dhe të vërshëllehen nga tifozeria shqiptare.