Spanja do të jetë kundërshtari i Brazilit në Kupën e Konfederatave.
Kampionët në fuqi të Evropës dhe botës siguruan biletën për ndeshjen e fundit pasi kaluan Italinë në gjysmëfinale.
90 minutat e rregullta në Fortaleza përfunduan me rrjeta të paprekura, përkundër rasteve të shumta të krijuara nga të dyja skuadrat.
As shtesa 30-minutëshe nuk mjaftoi për ta zhbllokuar ndeshjen, ndërsa e djathta e Ksavit pak minuta nga fundi u ndal nga Bufoni e përfundoi në shtyllë. Të njëjtën gjë pat bërë edhe Xhakerini pak para fundit të kohës së rregullt.
U deshën goditjet e penalltive për të përcaktuar triumfuesin, e nga pika e bardhë vendosi vetëm gabimi i Bonuçit në gjuajtjen e 13-të, pasi të gjitha goditjet e mëhershme ishin të sakta. Topi i nisur nga mbrojtësi italian përfundoi mbi tra, ndërsa Hesus Navas shënoi penalltinë e fundit që u dha spanjollëve biletën e finales.
Italia largohet me kokën lart nga gara dhe duhet të kënaqet me një vend në ndeshjen për vendin e tretë kundër Uruguait të dielën. Në të njëjtën ditë, në mitikun “Marakana” Brazili dhe Spanja do përplasen për të përcaktuar fituesin e Kupës së Konfederatave 2013.