Nxënësit e Kolegjit “Mehmet Akif”, nga Gjakova Rubin Daija dhe Edi Muhaxhiri kanë fituar medalje të artë, ndërsa Ardit Brovina atë të bronztë në olimpiadën shkencore të gjenive të rinj.

Ata bashkë me Ardi Zejnullahun nga Lipjani prezantuan shtetin tonë në këtë eveniment që u mbajt nga 16 deri më 21 qershor në New York të SHBA-ve, ku morën pjesë nxënësit nga 60 shtete të botës dhe 30 shtete të SHBA-ve.

Projektet e nxënësve gjakovarë janë mirëpritur dhe shpërblyer në kategoritë e ndryshme shkencore. Ato janë konsideruar si mjaft interesant edhe nga ekspertët dhe profesorët me renome botërore të fushave përkatëse.

“Projekti im dhe i Edit është shpërblyer me medaljen e artë në kategorinë e mbrojtjes së ambientit. Duke e ditur se monoksidi i karbonit është shumë i rrezikshëm për njeriun, ne e kemi projektuar absorbimin apo zhdukjen e tij duke e përdorur hemoglobinën si biofilter, e cila nëse kthehet në gjendje të ngurtë apo të thatë ka aftësi ta thithë monoksidin e karbonit dhe rrjedhimisht edhe të shpëtojë jetë njerëzish”, ka thënë Rubin Daija, duke e shpjeguar në mënyrë shkencore projektin e tij dhe kolegut të tij Edi Muhaxhiri.

E, ky i fundit ka shpjeguar se eksperimenti apo zbulimi i tyre është lehtë i fabrikueshëm dhe shpreson që në një të ardhme të afërt ai të jetë në dobi dhe në mbrojtje të njeriut.

“Metoda jonë mundëson absorbimin e monoksidit të karbonit në ambiente të mbyllura, përshembull në rastin tonë, mund të përdoret në afërsi të stufave, të cilat gjatë ndezjes prodhojnë monoksid karboni. Në dëshirojmë shumë që këtë ide ta industrializojmë dhe shpejt të fillohet me përdorim në përditshmëri”, ka thënë Edi, i cili ka treguar se teoria e tyre është vërtetuar pas shumë eksperimenteve që kanë filluar që nga muaji shtator i vitit 2012.

Ndërkohë, nxënësi tjetër Ardit Brovina i cili është shpërblyer me medaljen e bronztë, duke e zënë vendin e tretë në mesin e 800 projekteve të nxënësve nga e tërë bota, me aftësitë e tij ka dëshmuar se paraja e letrës është shkaktari numër dy që shkakton kancer në mëlqi, teori kjo që ka bërë jehonë të madhe në olimpiadë.

“Ne në paratë e letrës kemi gjetur prezencën e një kërpudhe helmuese (Aspergillus Flavus) qe kur i has 3 kushtet për zhvillimin e saj si: lagështinë(80%), temperaturën e dhomës (25 gradë Celcius) dhe vlerën e pH 5.2, ajo fillon të prodhojë helmin e saj që quhet Aflatoxin. Aflatoxina renditet si faktori nr. 2 në shkaktimin e kancerit te mëlçisë, por, përveç si substancë kancerogjene, ajo njihet edhe si substancë mutagjenike (ndërron strukturën gjenetike te ADN-së) si dhe imunosupresive. Aflatoxina gjendet në shumë produkte ushqimore si : qumësht, mish, misër, arra dhe pambuk. Është interesant fakti qe paraja e letrës përmban rreth 75% pambuk dhe ky zbulim paraqet edhe idenë themelore, mbi të cilën edhe i gjithë projekti ynë është bazuar”, ka thënë Arditi pas kthimit të tij nga SHBA-të.

Ai madje ka përmendur edhe disa nga hapat që duhet ndërmarrë, në mënyrë që njerëzit t’i largohen rrezikut që paraqesin paratë prej letre.

“Nga gjitha paratë e shteteve të ndryshme që janë marrë si mostër për eksperimentin tonë, kemi marrë rezultate që ato janë te infektuara me një sasi shume te madhe te aflatoxines, përveç parave të Rumanisë dhe Kanadës, të cilat nuk janë prej pambuku, por janë polimer, material që nuk mund te infektohet me aflatoxin. Si përfitim, nga ky projekt mund të kemi zvogëlimin e numrit të vdekjeve të shkaktuara nga kanceri i mëlçisë. Zgjidhjet për këtë problem mund te jenë: përdorimi më i madh i kartave të kredisë, shmangia e prekjes direkte të parave të letrës apo edhe prodhimi i parave polimer”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, të tre nxënësit kanë thënë se gjatë qëndrimit në SHBA janë përpiekur që sa më mirë ta prezentojnë shtetin e Kosovës, duke komunikuar dhe njoftuar për Kosovën të gjithë bashkëmoshatërt e tyre dhe profesorët pjesmarrës.

“U kemi dhënë shumë dhurata me simbole të Kosovës, të cilat janë mirëpitur nga të gjithë”, kanë thënë në fund Edi, Rubini dhe Arditi./igj/