Nga: Muhamed Arifi
Obligim i të rinjve është që ta kuptojnë se kjo jetë është vetëm disa frymë të papërsëritshme dhe të numëruara, është shpresë e humbur nëse nuk konkretizohet. Koha është si shpata nëse nuk e prenë të prenë ty, koha është vetë jeta, dhe shumë herë e dëgjojmë shembullin e vjetër që thotë se: Koha është flori.
Ata që e vlerësuan kohën me flori humbën dhe u dënuan sepse ajo është më e çmuar se floriri dhe më e çmuar se çdo gur i çmuar, se çdo margaritar dhe diamant i kësaj bote. Andaj edhe e gjejmë njeriun të paaftë që të e ndërrojë kohën me çfarëdo çmimi pasi që nga vetë natyra e dinë se koha është jeta e tij dhe vetë mosha e tij prandaj nuk mund të gjesh dikën që e shet jetën e tij.
Prandaj prej shenjave të mëdha të devijimit është humbja e kohës.
Sot, rinin tonë e gjejmë duke jetuar një jetë pa i kushtuar as edhe kujdesin më të vogël humbjes së kohës. Ata e jetojnë jetën e tyre duke e kaluar lulen e rinisë nëpër dëfrime të kota, punë të pista dhe me gjëra të rrezikshme. Çka po i shtynë sot të rinjtë tanë që gëzojnë një shëndet të mirë dhe një forcë rinore të kënaqshme që ti zë dita duke fjetur ?. Çka i bëri ata që edhe pasi që dielli të lind e të arrijë zenitin në kupën e qiellit të jenë të thelluar në gjumë ?. Atyre djalli u ka urinuar në veshët e tyre saqë edhe kur të ngritën ndihen të lodhur, të plogështuar dhe pa asnjë vullnet për jetën, ngrihen me një përtaci të pa përshkruar dhe të pa kuptuar nga askush. Derisa kur të lind dielli për disa popuj që fare nuk i përkasin fesë islame i gjen ata në përpëlitje me valët e jetës dhe duke u përpjekur që të menaxhojnë hallet e tyre.
Ligjet e Allahut xh.sh dhe natyrshmëria e kësaj jete e refuzojnë dhënien diç më shumë se ajo që e meriton njeriu pa marrë parasysh se kush është ai, këto ligje nuk japin asgjë më shumë sesa përgatitja e njeriut për të, sesa serioziteti i tij në përgatitje, dhe sesa puna dhe angazhimi i tij.
A thua kjo gjendje në të cilën sot jeton rinia jonë është e denjë dhe adekuate për një rini islame ? A thua kjo gjendje është adekuate dhe e përshtatshme për një popull që është krijuar të udhëheq me njerëzimin në përgjithësi ? A thua është e mirë kjo gjendje për një popull që është krijuar të jetë dëshmitar për tërë njerëzimin në ditën kur do të dalin para Krijuesit të tyre ? A është në rregull kjo për një popull që mbi supet e saja e ka marrë përgjegjësinë më të madhe dhe amanetin më të rëndë, obligimin më parësore dhe porosinë që se barti as guri e as druri ?.
Oj rinia jonë, a nuk jeni ju bijtë e atij populli që në kohën e tyre ishin më të kujdesshmit ndaj dinarit dhe dërhemit ?! Ja shembulli i Abdullah Ibn Mesudit r.a ku thotë se: Nuk jam penduar për asgjë më shumë sesa për atë ditë në të cilën ka perënduar dielli, më është shkurtuar jetë por nuk më janë shtuar veprat. Ndërsa nga Amir Ibn Abdukajsi, njëri prej tabiinëve të devotshëm, është transmetuar se një njeri kishte ardhur dhe i kishte kërkuar që ti fliste ndërsa Amir Ibn Abdukajsi r.a i kishte kërkuar që ta kapte diellin. I kishte kërkuar që për të ta ndalte diellin që të mos shkojë drejt perëndimit, ta ndalte kohën që të mos ecte dhe të mos e bënte llogarinë e saj në mënyrë që të ketë mundësi ti fliste, e pastaj i kishte thënë se: Me të vërtetë koha ecën dhe çdo herë është e kaluar.
Ndërsa si shembull tjetër kemi edhe Gjykatësin e njohur Ebu Jusufin, Jakub Ibn Ibrahimi, Allahu xh.sh qoftë i kënaqur me të që transmetohet se në agoni të vdekjes kishte kërkuar nga shokët e tij dhe të pranishmit që të diskutonin rreth dispozitave të islamit në mënyrë që të përfitonte edhe në këto çaste të fundit të jetës. Ai nuk lejoj që asnjë çast të i kaloj pa pas përfitime dhe dobi nga dija më e dobishme dhe më frytdhënëse në këtë botë.
Të parët tanë, gjeneratat tona të arta, ata breza të edukuar në shkollën e të Dërguarit s.a.v.s ishin në garë kundër kohës, ata mundoheshin që t’ia kalonin kohës andaj edhe ishin iniciues të çdo momenti, ata nuk lejonin dhe as që mund ta paramendonin që as sa grimca e atomit të ju shkojë kot prej kohës.
Mjafton që për këtë të përmendim çlirimet e tyre dhe tërë atë mund që e dhanë në betejat në rrugën e Allahut xh.sh, tërë ata burra që e çmonin pluhurin e luftës në rrugën e Allahut xh.sh më shumë se tërë atë pasuri që e ka rrezuar dielli por megjithatë prapë kishin kohë për të edukuar brezat e rinj, për të bërë strategji dhe përgatitje afatgjate, për ta ndërtuar dhe mbrojtur shtetin, për të bërë thirrje në rrugën e Allahut xh.sh, për të shkruar e përpiluar libra e tekste të nevojshme për gjeneratat e reja, ata gjenin kohë edhe për inovacione. kjo ishte gjendja e tyre sepse ata e çmonin kohën, ata e kishin kuptuar fare mirë se koha është vetë jeta, kjo ishte gjendja e tyre sepse diapazoni dhe pjekuria e tyre kishte kaluar kufijtë.
E nëse kjo ishte gjendja dhe historia e të parëve tanë atëherë edhe ne jemi të obliguar që të ecim gjurmëve të tyre, që të bëjmë pasimin e tyre hap pas hapi, që ti marrim ata për shembull dhe mostër, e këtë shembull duhet ta kemi edhe në shfrytëzimin e çdo momenti dhe sekonde të jetës tonë.
Përmes kohës dhe shfrytëzimit të saj duhet të kemi për synim kryesorë që të afrohemi më afër Krijuesit tonë. Andaj duhet që të garojmë, përmes shfrytëzimit të kohës, që të arrijmë xhenetet e Tij dhe të garojmë drejt takimit me Të duke e edukuar vetën në shfrytëzimin e kohës. Po ashtu duhet të angazhohemi në edukimin e shoqërisë për ta shfrytëzuar kohën sepse vetëm kështu do të jemi në gjendje që të jemi produktiv dhe të japim maksimumin nga vetët tona.
Dhe së fundmi, kush e kalon një ditë nga ditët e tij pa gjykuar për ndonjë drejtësi, apo pa e kryer ndonjë obligim të tij, apo pa përfituar ndonjë njohuri, apo ndonjë punë të mirë të kryer atëherë ai e ka robëruar ditën e tij dhe i ka bërë padrejtësi vetës së tij.
E lusim Allahun xh.sh që të begatoj në kohët tona dhe në jetët tona sepse vetëm Ai është që mund ta bëjë këtë dhe vetëm Ai është që i përgjigjet lutjeve tona, ndërsa përshëndetjet tona çdo herë janë për të Dërguarin s.a.v.s, për familjen e tij dhe shokët e tij.
Përktheu: Artan Musliu