Komuniteti mysliman në Britani, ka ndërmarrë një fushatë me aktivitete të ndryshme dhe të shumta, për ti njohur britanikët me Islamin. Kjo, si një formë reagimi ndaj fushatës denigruese dhe raciste të së djathtës ekstreme në Britani, ndaj islamit dhe myslimanëve, sidomos pas vrasjes së ushtarit britanik.
Xhamia Finsbury Park, në veri të Londrës, ka organizuar aktivitete të ndryshme përgjatë dy ditëve të shkuara. Një nga aktivitetet, ishte “Dita e hapur” për fqinjët jomyslimanë të xhamisë. Vizitorët e xhamisë nga fqinjët, ishin me qindra. Veç fqinjëve, ishin ftuar dhe përfaqësues të disa kishave lokale, qendrave sociale, funksionarë të bashkive, policisë, zjarrfikësve dhe deputetë lokalë.
Gjashtë shkolla nëntëvjeçare dhe te mesme angleze, zhvilluan vizita në xhami, ku treqind nxënësit u njohën me parimet e islamit, si dhe ambientet, aktivitetin dhe ritualet që kryhen brenda xhamisë.
Në një ekspozitë, ishin pasqyruar fakte dhe dokumente rreth historikut të komunitetit mysliman në Angli, si dhe të personaliteteve myslimane me ndikim dhe kontribut në vend.
Sipas Alxhazira-s, edhe xhamitë jashtë Londrës po organizojnë aktivitete të ngjashme, të cilat synojnë ti prezantojnë britanikët me islamin. Kështu, në disa shkolla të ndryshme, nxënësit dhe studentët myslimanë, kanë organizuar aktivitete për ti njohur kolegët e tyre me islamin. /ardhmeriaonline/