Nëse 42.8 për qind e paraleleve shqiptare të mjekësisë janë të vendosura në shkolla joadekuate, tek maqedonasit kjo përqindje është vetëm 18.6 për qind. Hapja e paraleleve maqedonase të mjekësisë në shkolla jo mjekësore është bërë që të mos hapen vetëm paralele shqiptare, kurse nuk ndodhë kështu më arsimin e mesëm mjekësor në gjuhën shqipe.
Viti i ardhshëm shkollor 2013/2014 sërish do ti gjejë nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme të mjekësisë me më tepër paralele jashtë shkollave adekuate se sa në shkolla të mesme profesionale të mjekësisë. Me ndonjë përjashtim të vogël, ka edhe raste kur edhe për maqedonasit janë hapur paralele të mjekësisë në shkolla jo mjekësore, sikurse janë paralelet e mjekësisë me mësim në gjuhën maqedonase në Kërçovë, Kumanovë apo Strumicë. Mirëpo, edhe në këto raste, formimi i paraleleve maqedonase është bërë ose për të mos lejuar që në ato qytete të ketë vetëm paralele të mjekësisë në gjuhën shqipe, ose për të krijuar iluzionin e balancave në krijimin e politikave arsimore. Pra, për dallim prej shkollimit të mesëm mjekësor në gjuhën shqipe, i cili është shpërndarë në shkolla joadekuatë për mungesë hapësirash në shkollat profesionale, tek maqedonasit formimi i paraleleve të atilla nuk është bërë se është ndjerë edhe aq shumë nevoja e atij lloj shkollimi. Për arsimin e mesëm në gjuhën maqedonase, përveç shkollave të mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup dhe “Nikolla Shtenj” në Tetovë, janë në dispozicion edhe tre shkolla të tjera profesionale të mjekësisë edhe atë në Manastir, Prilep dhe Shtip, ku mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase. Me shkollimin e mesëm te mjekësisë në gjuhën shqipe, nuk ndodhë e njëjta.
Paralelet e tilla forcohen nëpër gjimnaze dhe shkolla të mesme të kimisë apo teknikës, sepse mungojnë shkollat profesionale të mjekësisë për ta, ndërsa në shkollat ekzistuese, nuk u jepet hapësira e nevojshme. Kështu, për shembull, në shkollën e mesme të Mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup, pavarësisht interesimit të nxënësve, nuk mundësohet asnjëherë formimi i më tepër se gjashtë paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Në gjuhën maqedonase, numri i paraleleve nuk zbret asnjëherë poshtë numrit 11, madje edhe atëherë kur në ato paralele regjistrohen nga 30 apo më shumë nxënës shqiptarë. Për të shmangur “shqiptarizimin” e kësaj shkolle, Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpiku formulën e hapjes së paraleleve të mjekësisë në gjuhën shqipe në gjimnaze dhe shkolla të tjera. Për pasojë, sot në Shkup, shqiptarët kanë më shumë paralele mjekësi jashtë shkollave adekuate se sa në shkollat mjekësore. Konkretisht, ashtu sikurse është caktuar edhe me Konkursin e këtij viti, në gjimnazin “Zef Lush Marku” do të ketë katër paralele të mjekësisë dhe gjashtë të tjera në shkollën e mesme të kimisë “Maria Skllodovska”. Pra, në të dyja këto shkolla, do të këtë 10 paralele mjekësore në gjuhën shqipe, kurse në shkollën profesionale “Pançe Karagjozov” vetëm gjashtë.
Nëse i krahasojmë paralelet e shkollave mjekësore me paralelet e shkollave jo mjekësore, do të fitojmë një disbalancë të madh në kontestin e gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi. Kështu, për mësimin në gjuhën maqedonase kemi 35 paralele në shkollat profesionale mjekësore, kurse 8 paralele mjekësore në shkolla joadekuate. Ndërkaq, tek shqiptarët, ky raport është tepër i përafërt – 20 paralele në shkollat mjekësore dhe 15 në shkollat jo mjekësore. Pra, nëse 42.8 për qind e paraleleve shqiptare të mjekësisë janë të vendosura në shkolla joadekuate, tek maqedonasit kjo përqindje është vetëm 18.6 për qind. Përveç kësaj, numrin e paraleleve shqipe nëpër shkolla profesionale e rritë shkolla “Nikolla Shtenj” e Tetovës, ku formohen 13 paralele me mësim në gjuhën shqipe, si dhe një paralele shqipe në shkollën e mjekësisë në Manastir, e cila nuk formohet asnjëherë.