Ndërsa vjen dhe afrohet koha e iftarit, nga shumë shtëpi nis të përhapet era e këndshme e ushqimeve që përgatiten për këtë qëllim. Fatkeqësisht, një erë e tillë nuk ndjehet kurrë në shtëpinë e familjes Memeti në Sllupçan të Likovës. Gjatë qëndrimit të ekipit të Alsat në këtë shtëpi, mbi shporet nuk përgatitej asgjë, për shkak se mungonin gjërat më elementare për ushqim. Këtë më së miri e dëshmuan lotët e zonjës së shtëpisë, e cila mezi mbahej derisa rrëfente për hallet dhe vuajtjet në këtë familje. Pos kushteve shumë të vështira, ajo që e bën jetën edhe më të rëndë në këtë familje është edhe fakti se djali 15 vjeçar Azizi i cili vuan nga paraliza cerebrale, ndërsa babai i tij Rraman Memeti 48 vjeç vuan nga skizofrenia.
“Me ushqim qysh e keni gjendjen? Na sjellin të tjerët, tash na ka sjell një njeri do miell edhe mbrëmë një tjetër na ka sjell pak ushqim. Fëmijët po lypin, nuk po dinë, po tash edhe këta po e din gjendjen e babës vet. Çka ju mungon për momentin? Gjithçka po mungon, krejt mungojnë këtu..miellin që na sjellin të tjerët e kursejmë, hamë bukë dy herë në ditë..Apel bëj te të gjithë shqiptarët që dëgjojnë dhe e shikojnë rastin e familjes tonë, kush ka mundësi me na ndihmu, krejt kushte i kemi të vështira, shumë keq është kur kryefamiljari nuk është me ti bë kushtet… Për ushqim i kemi shumë keq punët, se fëmijët po shohin, gjithkush po blenë, me atë ndihmën që e marrim duhet mi ble hapat e për ushqim kalojmë qysh të mundemi. Ne hamë bukë, si verës si dimrit dy herë në dytë se nuk kemi, me hangër tri herë ditë dhe me ja plotësu kushtet fëmijëve nuk kemi . Çka hani më shumë, çka përdorni më shumë? Makarona, oriz, nganjiher ju gatuaj, po edhe të gatuaj nuk kemi, nuk kemi as lopë as kurgjë”, tha Gjyle Memeti, kryefamiljare.
Përveç gjendjes së rëndë ekonomike, 4 anëtarët e familjes Memeti përballen edhe mungesën e shtëpisë. Ajo në të cilën jetojnë për momentin nuk është shtëpia e tyre. Zonja e shtëpisë bën apel për material ndërtimor për ti mundësuar Azizit me invaliditet ndërtimin e një shtëpie të vogël pa shkallë me qëllim të krijimit të një jetë më të lehtë.
“Ujë nuk ka këtu, kurgjë nuk ka,po edhe mi pas krejta kjo shtëpi është e huaja. Shtëpia është e huaja, problem është në këtë shtëpi, problem është…Ujë nuk ka, kurgjë jo, qe 15 vite ky fëmijë kështu jetonë, nalt poshtë..skemi ujë nuk kemi banjë, nuk kemi kurgjë ne këtu..Në dhomën tjetër e kam një pjesë të ndame edhe aty e laj se nuk ka ku me çu, kërkosh nuk ta do fëmijën me çu në kojshi me la..shumë zorr është, gjendjen më të rëndë e kam kurr ta marr këtë fëmijë me la se nuk është fëmijë i vogël po është i madhë . Më rëndë e kam kur ta mar me la edhe kur ta lë në shtëpi nëse unë kam nevojë me vrapu pas burrit, e msheli në shtëpi”, u shpreh Gjyle Memeti, kryefamiljare.
Azizi është 15 vjeç, është fëmija më i madh në këtë familje. Për shkak të gjendjes së tij, nuk mund të bëj një jetë si moshatarët e vet. Azizi ka nevojë për shumë gjëra, por ajo për të cilën ka nevojë urgjente është karroca elektrike, që të mund të lëvizë dhe të shkoj në shkollë pa ndihmën e vëllait të vogël, i cili përkujdeset për të.
“Kam nevojë për nji karrocë se unë nuk muj me shku në shkollë sikur që kam shku më herët, kam qenë më i vogël, më kanëndihmu edhe shokët, tash jam rrit nuk muj me shku se ata nuk unden mem shty. A ki nevojë për nji karrocë tjetër, çfarë karroce duhesh me pas që me ec vet? Kolicë me rrymë, e kam pas nji po mu ka prish. Me pas kolicën a del mi pa edhe shokët qysh luajnë? Dal, dal. Çka bën tërë ditën në shtëpi, a po mërzitesh tu ndejt? Po mërzitem, kshyri televizor, çka me bo. A mundohesh mi mësu mësimet që të kanë ngel mbrapa? Ndonjiher i kapi, ndonjëherë as nuk kam vullnet mi mësu mësimet”, tha Aziz Memeti.
Derisa Azizi dëshiron një karrocë elektrike, vëllai i tij, 8 vjeçari Resuli dëshiron që për festën e Bajramit të ketë tesha dhe këpucë të reja.
“Tash po afrohet Bajrami edhe pak, çka dëshiron me pas për Bajram? Tesha…patika. Edhe për vete edhe për Azizin? Po”, tha Resul Memeti.
U larguam prej këtu me shpresë se dora humane do të trokasë edhe në derën e familjes Memeti nga fshati Sllupçan. Ndërsa ne po largoheshim, në oborrin e shtëpisë, në vendin ku familja shpreson se ndokush do tu ndërtojë një shtëpi, Resuli ndihmonte Azizin të lëvizte me karrocë që në këtë mënyrë të largojë një pjesë të mërzisë. Melihate Rustemi
Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje, mund të kontaktojnë në numrin e telefonit:
+389 71 997 914
Gjyle Memeti, fshati Sllupçan, Komuna e Likovës
EDITOR
11 years ago
previous article
Ramazani në Spanjë
you might also like
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
3 days ago